Natasha Poroçani: Udhëtim të mbarë e të sigurtë (por, mos harro...)
Sot Aleks nis klasën e parë dhe unë që e kam shoqëruar me dashuri që ditën kur lindi, nuk mund të mos i shkruaja një letër, duke besuar se po shkoj përtej dashurisë.
Sot, pak më i madh se çanta “Xhordan” (sa shumë kërkuam për çantën më të mirë për ty), ti u nise drejt rrugës që është shumë e gjatë dhe e vështirë.
Mami të porositi shumë herë që të dëgjosh mësuesen, gjyshi që të sillesh mirë, gjyshja që të hash brioshin që ta ka vënë në xhepin e brendshëm të çantës, babi të porositi të respektosh shokët e të ulesh në bankë me Livin; motra e madhe të rregullonte këmishën e bardhë, ndërsa e vogla, të shushuriste në vesh që në pushim të mos i shkoje në klasë.
Unë e di që këto janë detyrat e tua dhe ti do t’i respektosh të gjitha, por unë sot dua të të jap të tjera porosi, që do t’i dëgjosh me shumë vëmendje (siç di të dëgjojë një 7-vjeçar).
Mos lër askënd të të lëndojë! Askush mos të të tërheqë veshin, apo të të godasë. Askush nuk duhet të të tallë, të të poshtërojë, të të dërgojë në qoshe të klasës apo, më keq akoma, të të nxjerrë nga klasa. As mësuesit e as shokët. Dua që ti të shkosh në shkollë i lumtur, pa frikë. Mos harro, në të gjithë shkollën ti dhe shokët e tu jeni më të rëndësishmit.
Një ditë mund të ndodhë që shoku apo shoqja jote të ketë veshur një bluzë më të bukur se jotja, apo të mbajë në dorë një celular të shtrenjtë. Nuk dua të mërzitesh. Të kesh pak para, ose të mos kesh fare, nuk është turp. Mësuesja jote mund të ketë pak para. Në Shqipëri dhe në gjithë botën ka shumë njerëz të varfër. Shumica e njerëzve në botë janë të varfër. Shumica e të varfërve janë fëmijë. Ky nuk është faji i tyre. Është faji i shoqërisë, i shteteve. Kjo është padrejtësia, Aleks.
Dikur, ti më ke thënë se ke një shok të ngushtë me lëkurën “brown”. Dikush aty pranë nesh rrudhi buzët. ... Por ti je i miri i të mirëve.
Në botë ka shumë ngjyra, shpirt. Njerëzit jetojnë në vende të ndryshme, dhe secili vend ka të veçantat e veta: ne shqiptarët kemi të shenjtë fjalën e dhënë, shoku yt italian pëlqen picën, sepse traditat dhe zakonet janë të ndryshme; dikush beson në kishë e dikush në xhami, sepse fetë janë të ndryshme; dikush mendon se njeriu duhet të shkojë në Mars e dikush nuk e beson këtë gjë, sepse mendimet janë të ndryshme; dikush e ka të zbehtë ngjyrën e lëkurës e dikush të kaftë, dikush të bardhë e dikush të errët.
Por jesh “i bardhë” nuk do të thotë të jesh më i mirë.
Ty të pëlqejnë shumë librat me ngjyra. Të pëlqen edhe natyra, sepse ka shumë ngjyra, më thua herë pas here. Kështu është edhe bota, plot ngjyra, ndaj dhe është shumë e bukur. Si shoku yt me lëkurën “brown”.
Unë e di që ti i ke shumë xhan vajzat. Ke shoqe të ngushtë Livin dhe ke shumë xhan Greisin. Sa më pëlqen kjo gjë!
Ti vetë më ke thënë që s’ka lojë për vajza e lojë për djem. Djemtë e vajzat janë njësoj. Vihu në garë me to, por puno fort! Kush tha që vajzat munden lehtë? Mos prano, kur të thonë për shoqen tënde:“Hë, se ajo është vajzë…” Mos prano që dikush ta përkëdhelë, vetëm sepse është vajzë... as mësuesja. Sepse shoqja jote nuk është më pak e mirë se ti. Ajo rritet dhe mëson njësoj si ti, sepse aftësitë i keni njësoj.
E ke parasysh Egin, atë djalin që e sillnin prindërit çdo ditë në shkollë? Ai që ecën me vështirësi, sepse ashtu ka lindur. Ai do të jetë shoku yt i klasës. Të kesh një defekt të tillë në trup, s’ka asgjë të tmerrshme. Në botë ka fëmijë të verbër, të pamundur për të folur, për të dëgjuar apo për të lëvizur. Ata janë njësoj si ti. Vetëm se duan ca më shumë dashuri e ca më shumë vëmendje. Ti do të jesh shoku i Egit dhe nuk do të lejosh askënd të tallet me defektin e tij fizik, sepse ai është njësoj si ju.
Kur ne flasim bashkë, unë të them se ti je shumë i mençur. Ti vërtet je i mençur, sepse i dallon e i kap aq shpejt ndryshimet. Tani je i vogël e s’e kupton, por sigurisht që, në disa gjëra, je ndryshe nga shokët e tu: ti ke mendimet e tua dhe i mbron ato, të pëlqen të vishesh me rroba sportive, të pëlqen bota e informatikës, nuk e shijon mishin dhe dëshiron të bëhesh inxhinier. Madje, jo pak herë, ti, ashtu i vogël, debaton me prindërit e tu për mendimet e tua. Sa mirë që bën! Ashtu si të rriturit, fëmijët kanë të drejtë të dëgjohen, edhe nëse mendimet e tyre nuk përkojnë me ato të të rriturve. Të dëgjohen edhe nga mësuesit.
Të mësosh të mendosh, të bindësh, të mos pranosh mendimin e tjetrit, këto janë pjesë e rritjes tënde. Mos hiq dorë kurrë nga kjo, edhe kur ti mendon ndryshe nga të tjerët.
Ashtu si natyra dhe librat, edhe shkolla është plot ngjyra. Ka nxënës që kuptojnë shpejt, e ka nxënës që kuptojnë pak më ngadalë. Dikush është i mirë në gjuhë e dikush në fiskulturë; dikujt i pëlqen matematika e dikujt dituria e natyrës.
Ti do të mësosh më mirë atë që të pëlqen ty më shumë. Nëse është dikush që mëson më shpejt se ti, kjo nuk i jep të drejtë askujt që të të tallë apo të të dënojë. Problemi nuk është yti, por i atyre që kanë marrë përsipër të të mësojnë: çfarë të mësojnë dhe si ta mësojnë. Askush nuk mund të mësojë, nëse nuk kupton, nëse nuk e kënaq ajo që mësohet, nëse kërcënohet, apoedhe nëse ndëshkohet. Mos prano të quhesh budalla, injorant apo i paaftë. Nëse nuk e kupton, pyet. Ti ke të drejtë të kërkosh të të shpjegojnë e të të mësojnë, derisa ta kuptosh. Për këtë është shkolla. Për këtë janë mësuesit.
Aleks, shkolla është bërë që fëmijët të jenë bashkë, të luajnë, të mësojnë, të ndihen të lumtur. Nëse nuk ndihesh mirë në shkollë, gabimin e ka shkolla, jo ti.
Zemër e vogël, me këtë letër dua të të them që të mos lejosh të të kujtojnë vetëm detyrat e tua,por edhe të drejtat. Ti vetë duhet t’i mbrosh ato.Është diçka që e mëson që fëmijë.
Xhan, xhan...
Nga Natasha Poroçani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Nuk dua ta mbaj më sekret: Unë kam përjetuar bullizëm!