Muzikaliteti në "Albumin" e Nolit
Fan Noli, shkrimtari i shquar, i cili arriti që përmes muzikalitetit të ndërtonte vargje, që kanë mbetur gjatë në kujtesë. Në vargun e Nolit është vënë muzika në funksion të kuptimit dhe përmbajtjes. Bujar Meholli sjell shijen e kësaj poezie...
Muzikaliteti në "Albumin" e Nolit, në vargun e Nolit është vënë muzika në funksion të kuptimit dhe përmbajtjes. Kështu Noli ka zgjedhur që të konkretizojë, të shtojë më tepër ndjenja e përjetime personale, me anë të muzikalitetit që i nxit një atmosferë lexuesit e cila në situata kritike arrin deri në sarkazëm. Poezia e Nolit nuk ka mjete formale. Mjetet estetike të përdorura në poezinë e tij si rima, ritmi, ngjyra e tingujve e përsëritjet, janë ato që e bëjnë vargun më specifik dhe muzikor. Te Albumi, poezitë janë të ndërtuara në bazë të përsëritjeve të tingujve, ku mund të jenë zanorë dhe bashtingëllorë duke e bërë kështu gjuhën poetike shumë të veçantë. Ngjyrat e melodisë ndryshojnë nga një poezi në tjetrën, dhe kështu krijohet një mozaik ngjyrash që jepet me anë të tingujve të ndryshëm. Nëpër vargje hasim ku një zanore e ku një bashtingëllore të motivuara semantikisht, në mënyrë të pavetëdijshme nga autori.
Poezia Himni i flamurit, është shembull tipik i përsëritjes së zanoreve.
O flamur gjak, o flamur shkabë/ O vend o vatr’ o nënë e babë, ose /Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tretë/ Që të prenë e që të vranë.
Për të krijuar muzikalitetin e vargut, Noli zgjedh metoda tjera artistike duke bërë përsëritjen e shumë tingujve në të njëjtin varg si a,ë,m:
Me tam-tam e alarm e me nëmë u shurdhofsh/, apo Në bodrum nëpër llomë e kufomë u mallkofsh.
Ka raste kur tërë muzikën e përcaktojnë dy ose më shumë tinguj si te Marshi i kryqëzimit, ku përsëriten më shpesh tingujt zanorë dhe bashtingëllorë a,s,r. Përsëritjet e tingujve me frekuenca të shpeshta, Noli i përdorë në poezi për të imituar fenomenet e natyrës, si te vjersha Rend, o marathonomak.
Vapa mbyt e pluhri nxin/ Ferra çjerr e guri ngrin/; Afsha gjoksin përvëlon/ Syrin avulli verbon/ Ur e prush, Furr or Marathonomak.
Përmes përsëritjes së tingujve u dhe r krijohet imazhi onomatopik i vapës, i izolimit, i mbytjes. Përdorimi i tingullit r nga Noli bëhet në atë mënyrë ku gërshetohen dy elemente që bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën, muzika e vargut nga njëra anë dhe idetë e lëvizjes së shpejtësisë nga ana tjetër. Kirenari, është një poezi e tillë në të cilën autori e përdor shpesh këtë tingull, nëpërmjet të cilit edhe ka ndërtuar idetë.
Ç’vete shtrembër në Kalvar, o qyqar o kirenar/ Se ç’përmbysesh, kamçikohesh.. Rrihesh, ngritesh, çdehesh, zgjohesh.
Përsëritja e tingujve r dhe sh na krijon idenë e shushurimës, dhe rrokullisjes të cilat na japin një koloristikë muzikore ndërsa asidenti e nxit shpejtësinë e ritmit. Kështu arrihet të përforcohet ideja e poetit dhe arrihet të përputhet forma me përmbajtjen. Autori shpreh ndjenjat personale dhe arrinë të përdorë mjete të efektshme estetike për të shpeshtuar ritmin. Ka poezi në të cilat, ai ka përdorur ngadalësimin e përfytyrimeve vizuale, e bashkë me këtë përshtat edhe mjetin me të cilin realizon zbutjen e hovit ritmik, p.sh:
Jezu Krishti s’dëgjoi dhe s’e mori vesh mikun/ Dhe s’u unj përsëri të merrte kamçikun/ Dhe e kapën kamçikun sarafët për fenë.
Rima është kufiri logjik i vargut; ajo nuk krijon vetëm muzikën por thekson mendimet e autorit që shprehen tek lexuesi. Shembull të tillë kemi poezinë Anës lumenjve.
Anës detit i palarë, anës dritës i paparë/ Pranë sofrës i pangrënë/ Pranë dijes i panxënë.
Këto vargje janë të realizuara sipas parimit sintaktiko-ritmik dhe janë të vendosura në pozitën e rimës.
I palarë, i paparë, i pangrënë, i panxënë, janë fjalë që shprehin ngarkesën emocionale duke theksuar pozitën e mjerë arsimore, sociale dhe shëndetësore të popullit. Noli ka arritur të sjellë ritmin në pajtim me ndjenjat dhe idetë, ndërsa muzikaliteti është vënë në shërbim të mirëmbajtjes dhe kuptimit të poezisë së tij.
(Bujar Meholli; Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu