Muhamet Selmani: Sfida e zhvillimit të mësimdhënies-mësimnxënies cilësore dhe rikthimi i rolit edukativ në shkollë në epokën digjitale të informacionit
Studimi i Muhamet Selmanit shqyrton sfidat e ruajtjes së mësimdhënies cilësore në shkolla në kohën e avancimeve teknologjike. Ai thekson rëndësinë e integrimit të mjeteve digjitale në klasë, por gjithashtu vlerëson ndikimin e mësuesve dhe nevojën për zhvillimin e vlerave morale te nxënësit.
Nga Muhamet Selmani
Mastër shkencor “Shkenca sociale”; Drejtor i shkollës “Ibrahim Gjorgji”, Radomirë
“Mendja e një kombi është arsimi. Zemra e një kombi është morali”- Shekspir
Dy boshtet e rëndësishme mbi të cilat sistemi arsimor ngre jetësimin e misionit në epokën digjitale të informacionit janë, mësimdhënia-mësimnxënia cilësore dhe edukimi i nxënësve me standardet e mirësjelljes. Jetojmë në një botë që po preket nga ndryshimet e shpejta të teknologjisë së informacionit. Ky zhvillim digjital mund të krijojë pasoja të thella për sistemin shkollor, në qoftë se nuk do të dijë të lexojë dhe përshtat tendencat e zhvillimit teknologjik.
Bota e arsimit po përballet me epokën e re digjitale, kompjuterët, interneti, inteligjenca artificiale janë risi që tronditin metodat tradicionale të mësimdhënies. Janë këto mjete përforcuese që nëse përdoren në funksion të mësimdhënies do ta revolucionarizojnë atë, por nuk mund të zëvendësojnë rolin e mësuesit në mësimdhënien e drejtpërdrejtë të tij. Për t’iu përgjigjur kërkesave të shekullit të 21-të në përgatitjen e brezave përdorimi i mjeteve digjitale në kontekstin arsimor është një imperativ i kohës. Në të gjithë botën shkollat po përpiqen të jenë sa më kreative në mësimdhënie për të mbajtur nxënësit në pozita të të nxënit cilësor. Megjithatë nuk është vetëm teknologjia që ndihmon në të mësuar, ndërveprimi njerëzor është i pazëvendësueshëm në procesin mësimor.
Teknologjia e informacionit ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si mësojnë nxënësit, në mënyrë vizuale dhe praktike, tërheqëse duke stimuluar interesin e nxënësve. Nëse ne do të qëndrojmë me të vetmet mjete konkretizimi të mësimit, dërrasë e zezë dhe shkumës, si një shekull më parë, kot ankohesh se nuk po mësojnë nxënësit, se ata janë brezi digjital që metodat tona duhet t’i përgjigjen trendit bashkëkohorë të dijes nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Investimi në infrastrukturën digjitale, laboratorike shkon në funksion të mësimdhënies cilësore. Mësimdhënia cilësore dhe komponenti edukativo-kulturorë duhet të jenë në krye të prioriteteve të shkollave në epokën digjitale.
Historia na mëson se të gjitha ndryshimet kanë pasur gjithmonë dy shtylla kryesore të ngritjes, mësimdhënia cilësore që synon pajisjen me dituri dhe komponenti edukativ që ka në themel kryesisht zhvillimin e virtyteve dhe vlerave e standardeve që drejtojnë sjelljen e njeriut të formuar mirë. Formimi i njeriut të kulturuar me një grup njohurish, dijesh, vlerash që drejtojnë sjelljen njerëzor. Qëllimi i shkollës është dije dhe edukim. Arsimi është element në edukim,kurse edukimi është qëllimi. Ideali i edukimit është zhvillimi i gjithanshëm i personalitetit. Edukimi përfshijnë formimin e njeriut në tërësi, sfera intelektuale, morale etj. Edukimi synon cilësi pozitive të personalitetit. Por meqë cilësitë e personalitetit janë të lidhura ngushtë me arritjet e diturisë, del se mësimdhënia dhe edukimi kanë lidhje të ngushtë organike dhe plotësojnë njëra-tjetrën.
Viti që sapo lamë pas duket se ishte i mbushur me problematika nëpër shkolla. Përgjatë vitit 2024 personalitet dhe mendimtarët më të mirë kanë folur dhe shkruar për fenomenet që na shqetësojnë nëpër shkolla. Fjalët kyç të këtyre bisedave kishin të bënin me mësimdhënien cilësore, edukimin e mirë, mjedisin edukativ të shkollës, formimi i brezit të ri me virtyte dhe vlera morale, përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie, investime në mjetet teknologjike, etj. Një shoqëri ku edukimi dhe vlerat morale janë vënë në pikëpyetje, problematikat e edukimit dhe roli i shkollës e i familjes në adresimin e tyre është imediat. Situatat reale nëpër shkolla tregojnë për një mungesë edukimi të qëndrueshëm.
Ky studim shqyrton rolin e shkollës, mundësitë dhe sfidat në mjedisin e sotëm gjithnjë e më kompleks nën trysninë konkurruese të medies digjitale. Punimi ofron analiza të pasura nga mendimtarët më të mirë të një numri ekspertësh kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe edukimit duke ofruar analiza shteruese të së tashmes dhe të ardhmes së shkollës dhe rolit të saj në mësimdhënien cilësore dhe edukimin e mirë për të formuar nxënësit. Si rezultat i të gjitha analizave që janë bërë në tryezat shkollore, mediatike dhe politikat arsimore, rreth problematikave nëpër shkolla. Me thellësi dhe rigorozitet të madh, janë pasqyruar idetë kryesore ashtu si nektari i bletës.
Ky studim ofron të menduarit aktual teorik dhe praktik nga konstatimet në punën tonë si mësimdhënës, analiza të thella në lidhje me mësimdhënien cilësore dhe edukimin kulturor duke u bazuar në librat më të mirë pedagogjik dhe të psikologjisë së edukimit nga autor kombëtar e ndërkombëtar, ku bashkon kontribute kryesore nga studiues të shumtë. Ky punim meriton një lexues të gjerë, që nga ata që janë përfshirë në mësimdhënien dhe edukimin e brezave deri te hartuesit e politikave arsimore, drejtuesit e shkollave, nxënës, student, prindër, media etj. Nëse do t’i shkoni deri në fund këtij punimi duke e lexuar, iu garantoj se është një minierë ari plot ide dhe zgjidhje për veprim. “Paraardhës i çdo veprimi është një mendim” Rolf Walde.
Punimi ka në fokus dy shtylla themelore mbi të cilat qëndron misioni i shkollës:
1. Mësimdhënia-mësimnxënia cilësore në epokën digjitale të informacionit dhe të dijes.
2. Rikthimi i rolit edukativ në shkollë për formimin kulturor të nxënësve dhe standardet etike të mirësjelljes.
1. MËSIDHËNIA-MËSIMNXËNIA CILËSORE NË EPOKËN DIGJITALE TË INFORMACIONIT DHE TË DIJES.
Mësimdhënia cilësore në epokën digjitale të informacionit është hapi i parë dhe komponenti kryesorë për të patur produktivitet të lartë, për të formuar brezin e së ardhmes dhe për ta bërë botën një vend më të mirë dhe të zhvilluar. Me mësimdhënie cilësore duhet të kuptojmë integrimin e metodave të mësimdhënies duke u përditësuar me arritjet më të reja të kohës dhe të kuptojmë “tingullin” trendin e zhvillimeve të brezit të teknologjisë digjitale që po mësojmë. Teknologjia ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën si mësojnë nxënësit, në mënyrë vizuale dhe praktike, tërheqëse duke mbajtur të përqendruar vëmendjen e nxënësve, duke ngjallur dhe stimuluar interesin dhe kureshtjen e tyre. Epoka digjitale ku ne po jetojmë kërkon përdorimin e teknologjisë. Metodologjia e vjetruar e mësimdhënies nuk ngjall interes,por rrezikon të kemi nxënës apatik të painteresuar për dije. Rezultatet e vlerësimit të ndërkombëtarizuar të cilësisë së arsimit janë tregues se, sistemi arsimor ka nevojë për përmirësime në metodologjinë e mësimdhënies. Kualiteti rikthen vëmendjen.
Trajnimi i mësuesve dhe aftësimi i nxënësve për kompetenca digjitale është domosdoshmëri e kohës. Të kuptojmë metodat se si nxënësit po mësojnë sot. Përhapja e teknologjisë po riformëson shumë fusha në drejtim pozitiv apo negativ sipas qëllimit që e përdor dhe sigurisht arsimi nuk do të mbetet jashtë ndikimit, por duhet t’u prijë zhvillimeve duke i kthyer sfidat në mundësi në funksion të mësimdhënies cilësore. Teknologjia ka lehtësuar qasjen në burime të pafundme informacioni që duhet t’i orientojmë nxënësit. Aftësimi i nxënësve në fushën e teknologjisë nxit mësimnxënien e pavarur dhe rrit aftësitë vetë edukuese të nxënësve,por pa harruar rëndësinë e mësimdhënies së drejtpërdrejtë që bëhet nga mësuesi sepse mjetet teknologjike janë ndihmëse dhe mbështetëse të procesit mësimor,kurse mësuesi është shtylla kryesore e dijes.
Përgatitja e brezave për shoqërinë e dijes në epokën digjitale kërkon rikonceptim të sitemit arsimor që tek konceptimi i programeve që të jenë të azhornuara me zhvillimet e sotme dhe investimi në pajisjet teknologjike të avancuar. Të gjitha këto me një qëllim, që të kapim trendin e zhvillimeve bashkëkohore dhe për të përgatitur nxënësit drejt dijeve funksionale për jetën reale për t’iu përgjigjur kërkesave të shekullit të 21-të.
A.Integrimi i mësimdhënies-mësimnxënies cilësore me zhvillimet e reja teknologjike si resurse përforcuese.
Sfida më e madhe në arsimin shqiptar mbetët sigurimi i mësimdhënies cilësore që synon fushat kryesore të dijes dhe zhvillimin e aftësive. Strategjitë e mësimdhënies synojnë të rrisin të mësuarit e nxënësve. Mësimdhënia cilësore mban të përqendruar vëmendjen e nxënësve. Infrastruktura digjitale është një element bazik në këtë aspekt. Njeriu është gjithmonë në kërkim të zhvillimit të vetvetes, të përditësimit me të rejat më të fundit. Mjetet digjitale janë një mekanizëm për mësimdhënie cilësore. Instrumentet që përdoren për të arritur në mësimdhënien cilësore janë të një rëndësie vendimtare. Teknologjitë e reja sfidojnë metodat e vjetruara të mësimdhënies. Nxënësit marrin sot njohuri nga shumë burime, si rrjedhojë kërkohet integrimi në përdorimin e mënyrave dhe metodave efikase në mësimdhënie, me trendin e kohës. Interneti është bërë një resurs që ndihmon të mësuarit. Mësuesit dhe nxënësit kanë mundësi të përdorin platforma digjitale që ofrojnë video mësimore etj. Platformat online mundësojnë të mësuarit e pavarur jashtë orarit mësimor të nxënësve.
Nëse teknologjia përdoret në një mënyrë të mençur është një mbështetëse e fuqishme në të mësuarit e avancuar. Shndërrimi i teknologjisë nga një sfidë në një mundësi në funksion të mësimdhënies cilësore është një imperativ. Kjo mënyrë e re e mësimdhënies ndihmon nxënësit të kuptojnë konceptet në një mënyrë vizuale, praktike dhe tërheqëse. Mësimdhënia cilësore e matur me atë që nxënësit dinë dhe kanë arritur të zotërojnë nga kompetencat. Dëshmitë nga hulumtimet nënvizojnë se forcimi i mësimdhënies cilësore dhe mësimnxënies në klasë është një nga faktorët më të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë. Globalizmi e ka ekspozuar arsimin shqiptarë përballë krahasimit me rezultatet ndërkombëtare. Si rezultat i teknologjia së informacionit janë hapur rrugët e dijes për të mësuar nga çdo cepi i botës. Teknologjia ka ndryshuar qasjen në burime të pafundme.
B.Roli i mësuesit si aktor kryesor dhe aftësimi i tij me kompetencat digjitale në mësimdhënien cilësore.
Mësuesit ndodhen përballë një revolucioni ndryshimesh për format dhe metodat e mësimdhënies, çka kërkohen mësimdhënës të aftë që të kuptojnë tingullin e kohës në mënyrë që të reflektojnë ndryshimet që kërkon shkolla sot. Nëse nuk ecën me ritmin e kohës gjithmonë do ngelësh i fundit. Mësimdhënia me mendësi që nuk përshtaten me tendencat e kohës nuk jep rezultat. Qasja dhe zgjidhja inovative për një mësimdhënie cilësore dhe të nxënit është një sfidë e mësimdhënësve. Teknologjia mund të jetë një mjet mësimdhënës i fuqishëm për një të mësuar aktiv, por ka edhe kufizime. Së pari, teknologjia nuk mund të zëvendësoj detyrimisht mësuesin, kur fjala është për mësimdhënien e drejtpërdrejtë, mësuesit mbetën aktor kryesor. Miksimi ndërmjet përdorimit të teknologjisë dhe rolit të mësuesit në mësimdhënien e drejtpërdrejtë është një ekuilibër i harmonizuar. Zhvillimi i aftësive digjitale për nxënësit në funksion të mësimnxënies është një kompetencë tjetër që mësuesit duhet të aftësojnë nxënësit e tyre.
Trajnimet në fushën e teknologjisë për të integruar mjetet digjitale në praktikat e mësimdhënies do të jepnin një impakt të drejtpërdrejtë në rezultatet e nxënësve. Nxënësit sot përballen me shpërqendrim të vazhdueshëm, zhvendosja e fokusit të nxënësve nga përdorimi i teknologjisë në gjërat pa vlerë drejtë përdorimit në funksion të mësimnxënies do të ishte një kthesë e madhe drejt përparimit. Mbajtja e nxënësit të fokusuar për qëllimin që duhet të përkushtohet dhe nxitja e dëshirës për të mësuar është një sfidë e kohës. Pa arsim cilësor dhe dije është i pamundur produktiviteti i lartë. Përdorimi i teknologjisë për t’iu përshtatur ndryshimeve dhe për t’u përballur me sfidat është ndër komponentët kryesor të mësimdhënësve. Mësuesi inovativ në kërkim të mënyrave më efektive për të përmirësuar arritjet nxënësve është pikërisht ai i duhuri. Mësues dhe nxënës duhet të përditësohen në kompetencat digjitale, të cilat lehtësojnë mësimdhënien cilësore dhe mësimnxënien efikase.
C.Infrastruktura digjitale nëpër shkolla si një nevojë imediate në funksion të avancimit të metodave të mësimdhënies.
Investimet në infrastrukturën shkollore janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e procesit arsimor dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Niveli i mësimdhënies cilësore varet nga aksesi i teknologjisë. A gëzojmë ne kushtet për të patur një arsim të digjitalizuar? Digjitalizimi pothuajse në shumicën e shkollave mungon. E vetmja mënyrë e konkretizimi të mësimit vazhdon të jetë dërrasa e zezë dhe shkumësi si 100- vjet më parë. Kalimi nga dërrasa e zezë në smart bord, tabela inteligjente interaktive kjo padyshim do të ishte një pikënisje reformuese për arsimin dhe që e bën mësimdhënien më tërheqëse dhe interesante. Ka ardhur koha që dërrasa e zezë të zëvendësohet tabelën inteligjente.
Po shikojmë një brez të ri apatik ndaj shkollës, por aktiv në përdorimin e teknologjisë, e kjo është një kambanë alarmi, brez që janë aktiv në rrjetet sociale dhe pasiv në mësime. Kjo situat kërkon ndërhyrje rrënjësore, ashtu siç i mbajnë rrjetet sociale të ngërthyer nxënësit tanë në të njëjtin nivel duhet t’i mbajmë me vëmendje të përqendruar tek shpjegimi i mësimit. Kjo do të ndodh vetëm atëherë kur ne t’ua paraqesim mësimdhënien siç ua paraqesin informacionin rrjetet sociale. Atëherë do të ndodh ndryshimi. Teknologjia është si ndihmë për një të mësuar aktiv. Infrastruktura digjitale në shkolla është nevojë dhe jo komoditet. Teknologjia është e kushtueshme,por e domosdoshme. Koha na thërret për veprim. Plan pa buxhet nuk ka, “në të thatë noti nuk mësohet”. Pajisja e shkollave me infrastrukturë teknologjike është ndër projektet më urgjente për faktin se ka të bëjë me cilësinë dhe përmirësimin e kushteve për mësimdhënie-mësimnxënie cilësore.
D.(IA) Inteligjenca Artificiale, Chat GPT, forcë transformuse e informacionit, dijes dhe përdorimi efektiv në funksion të mësimdhënies e mësimnxënies cilësore.
A duhet të ndalohet (IA) në shkolla?
Një përgjigje për këtë e jep Instituti Britanik i Politikave të Arsimit të Lartë. Më shumë se gjysma e studentëve të anketuar 53% përdor mjete (IA) 36% e studentëve i konsiderojnë këto mjete si “mësues privat” efektiv për shpjegimin e koncepteve komplekse. Ministri kinez i arsimit e ka krahasuar Inteligjencën Artificiale me një çelës të artë për sistemin arsimor. Të luftojmë kundër teknologjisë së informacionit është një luftë e humbur, ndërkohë që chat GTP Inteligjenca Artificiale ka arritur në 100 milionë përdorues. Ne duhet të sigurojmë që nxënësit të mund të përdorin sistemet e (IA) në mënyrë korrekte. (IA) si një element fondamental i një kulture digjitale për të mësuar. Sfida e integrimit të teknologjisë në arsim, mësimdhënie qëndron në mënyrën se si përgatiten nxënësit për të ardhmen ku (IA) luan një rol udhëheqës. Për ta bërë këtë, nxënësit duhet të zhvillojnë një kuptim teknik të (IA). Ne duhet të kuptojmë se si funksionojnë këto sisteme dhe të punojmë për t’i zotëruar ato.
Aspekti revolucionar i “aksesit në dije” është i prekshëm tashmë në nivel global, falë programeve si ‘chat GPT; apo të tjera dhe kur flasim për “akses në dije” nuk mund të shmangim çështjen e impaktit/ndikimit që (IA) ka dhe do të ketë në botën e arsimit dhe edukimit. Shkolla është e destinuar të reflektoj dhe të jetë pararojë e ndryshimeve duke reformuar mënyrën e mësimdhënies. Modeli shkollor klasik ka pësuar goditje si rezultat i zhvillimeve teknologjike. Mësimnxënia online e fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale,por edhe nëpërmjet kanaleve, “youtube” janë rivalizuese të sistemit arsimor. Por se sa do t’i avantazhojë kjo shkollat, në krahasim me ato tradicionale mbetet për t’u parë se sa do të përditësohen me këto dinamika zhvillimi.
Në situatën aktuale sistemi arsimor ndodhet përballë një trysnie të madhe përballë faktit “përshtatu ose ngel në vend”. Asnjë sistem shkollor nuk ka pasur kaq pak kohë për t’u përshtatur me një ndryshim kaq të madh. Jemi në një mjedis të ri teknologjik pasi siç thotë shprehja: “Ne fundosemi ose notojmë në zgjedhjet tona”, e në këtë kuptim duhet të bëjmë zgjedhje të drejta për të ardhmen. Bota e arsimit po përballet me shtrirjen e jashtëzakonshme të Inteligjencës Artificiale, digjitalizim, motor kërkimi në internet, janë risi që tronditin mënyrat tradicionale të të bërit të gjërave, janë mjete që mund të mbështesin mësimdhënien inovatore. Teknologjia brenda sistemit arsimor siguron që nxënësit të jenë në avangardë dhe nxënësit të zbulojnë talentet e tyre. Mësimdhënia dhe edukimi janë dy anë të një medaljeje.
2. RIKTHIMI I ROLIT EDUKATIV NË SHKOLLË PËR FORMIMIN KULTURORË TË NXËNËSVE DHE STANDARDET ETIKE TË MIRËSJELLJES, NË EPOKËN DIGJITALE.
Edukimi duhet të jetë pika e nisjes si leva e Arkimedit për të shmangur të gjitha problematikat e sjelljeve të dhunshme dhe agresive. Ky shkrim synon të njoh lexuesin me normat e sjelles së qytetëruar. Në kuptimin e ngushtë fjala “edukatë” përdoret edhe “mirësjellje”. Edukimi moral është pjesë përbërëse e edukimit që synon pajisjen e nxënësve me norma, rregulla, cilësi dhe sjellje që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës. Morali është një fenomen që ka ekzistuar aq sa jeta njerëzore, kështu që mund të thuhet se morali ka mbajtur ritmin me kohën, pra me historinë dhe shoqërinë. Etika është shkenca që merret me studimin e moralit. Ajo merret me çështjet se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Etika kjo shtyllë e fortë e qytetërimit njerëzor, është bërë një sfidë e re në epokën digjitale. Morali është shqetësimi i përjetshëm, mendim i përjetshëm dhe i pavdekshëm dhe thelbi i përhershëm i jetës i cili gjithmonë riinterpretohet dhe kultivohet në çdo epokë sipas kërkesave të kohës dhe me një qëndrim konstant, ka një ndikim të ndryshëm në sytë e çdo moshe.
Kultura si përmbledhje e gjithë kësaj që u tha, është një grup njohurish , dijesh, vlerash që drejtojnë sjelljen njerëzore. Fatkeqësia e një kombi është goditja në thelbin e ekzistencës së tij, pikërisht në ADN-në e qytetërimit-tek Dinjiteti, Arsimi dhe Morali. Te qenia, mendja dhe shpirti. Njeriu pa asnjë kod moral e vlerash është një njeri i humbur dhe një metamorfozë e frikshme, siç vënë në dukje ngjarjet e përditshme,situata që po kalon shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe sistemi arsimor në veçanti është alarmante dhe një tregues i rënies së kulturës edukative. E kur shkolla bëhet vend ku kulmon dhuna,në këtë rast duket se shkolla ka dështuar në rolin e saj. Rikthimi i rolit edukativ të shkollës dhe familjes është një nevojë imediate në adresimin e problematikave të edukimit në krijimin e një ambienti edukativ dhe duke marr përgjegjësinë që gjithsecilit i takon. Edukimi i fëmijës është garancia më e madhe dhe do të jetë i imunizuar dhe rezistent si një kështjellë mbrojtëse përballë devijancave degraduese që janë në treg. Institucionet tona arsimore nuk duhet të përqendrohet vetëm duke dhënë mësim, por t’i kushtohet rëndësi edhe anës edukative duke e përgatitur nxënësin me një formim solid të aftë për t’u përballuar dhe orientuar saktë në sfidat e kohës në epokën digjitale.
Kostoja e dështimit është e lartë, nëse edukimi nuk bëhet prioritet. Fenomeni i rrjeteve sociale po helmon mjedisin social duke u shndërruar në një rrezik kombëtar të barasvlershëm me shpërthimin e Çernobilit. Miliona informacione pa kontroll cilësor. Fëmijët janë të ekspozuar përballë këtij cunami. Fëmijët edukohen përmes ekranit të celularit. Shkollat janë amplifikator të dijeve mekaniciste. Në këto rrethana nga duhet të fillojmë, të ngremë mure përballë viruseve sulmuese, apo të forcojmë imunitetin që është edukimi. Kinezët ndërtuan murin e madh kinez për t’u mbrojtur nga pushtuesit mirëpo pushtuesit mongol duke hyrë nga portat e pushtuan Kinën, sepse rojet që ruanin portat u shiten. Ndërtimi i murit nuk e luajti rolin, sepse problemi doli tek rojet jo besnik të pa formuar. Kinezët mendonin se me ngritjen mureve do të mbroheshin, por e vërteta qëndronte diku tjetër, “ Përpara se të ndërtojmë mure duhet të ndërtojmë njeriun” . Po të ndërtojmë njeriun e edukuar nuk ka nevojë të ndërtojmë mure kufizuese, sepse ai do të dijë si të veproj përballë sfidave duke bërë dallimin e të mirës nga e keqja dhe do të ruhet prej saj pa qenë nevoja të ndërtohen mure. Ndërto njeriun përpara se të ndërtosh mure.
A.Sfidat dhe mundësitë e edukimit të nxënësve, funksioni i shkollës dhe familjes në adresimin e tyre në epokën digjitale.
A janë shkollat duke bërë më të mirën e mundshme për të zhvilluar karakterin e nxënësve dhe intelektin e tyre?
Si përgjigje e kësaj pyetje mjafton të sjellim në vëmendje një përshkrim që i bën realitetit Pro. Dr. Përparim Kabo ku ndër të tjera thekson: Problematikat në edukim nëpër shkolla dhe degradimi i kulturës shkollore dhe edukatës tregojnë për rënien e kulturës edukative. Një shoqëri ku edukimi dhe vlerat morale janë vënë në pikëpyetje? Situata alarmante që po kalon Shqipëria në lidhje me krimin mes adoleshentëve është një pasojë që si shkak ka mungesën e një edukimi të qëndrueshëm. Ngjarjet nxjerrin në pah përgjegjësinë e familjes dhe shkollës në krijimin e një ambienti edukativ. Një angazhim i bashkërenditur i familjes dhe shkollës mund të adresojë këtë sfidë. Është e lartë kostoja e dështimit, nëse edukimi nuk bëhet prioritet nëpër shkolla. Çdo gjë që nuk është siç duhet së pari është e lidhur me edukimin kulturor e qytetar.
Një faktor tjetër i krizës së edukimit është dilema profesionale ku po tronditen vlerat dhe traditat historike nën ombrellën e globalizmit që po ndryshon çdo gjë në çast. Globalizmi një imponim i padrejtë apo i tërthortë i një sistemi modern,konsumi pa trashëgimi kulturore ndikon në realitetin tonë.
Prej shumë vitesh Evropa po përballet me rreziqe që minojnë kulturën, vlerat dhe standardet morale-etike. Kapitalizmi as shquhet për moral dhe as fyhet po t’ia vësh në dukje mungesën e tij. Një shoqëri që në rend të parë ka paranë, është një shoqëri pa ideale dhe vlera etike. Ky realitet erdhi edhe në vendin tonë, që ka rritur sfidat ndaj shkollës për të përgatitur nxënësit të imunizuar nga veset dhe shmangie duke krijuar një mjedis edukues dhe formues.
Edukimi i brezit të ri me frymën e kujdesit ndaj vlerave tona historike është ADN-ja jonë. Në shoqërinë likuide anarko-kapitaliste edukimi nuk është objektiv. Shumica e problemeve me të cilat përballemi shfaqen në trajtën e “shqetësimeve kulturore” dhe “problemeve edukative”. Dukuria e degradimit moral lidhet me natyrën e qytetërimit modern, mangësi e demokracisë është se standardet morale ulen, por edhe defektet e shoqërisë sonë. Në thelb, institucionet arsimore në Shqipëri ofrojnë lëndët shkencore dhe shoqëror,por nuk ofrojnë ndonjë lëndë për të formuar themelet edukative të gjeneratës së re. Në qendër të edukimit dhe mësimdhënies janë nxënësit dhe është detyrë e shkollës ta bëjë këtë. Shkolla ka një qëllim të qartë, të krijojë një mjedis mësimor jo vetëm që ndihmon në ndërtimin e një kulture të të mësuarit,por edhe formim të personalitetit nëpërmjet edukimit.
Prania e problematikave të sjelljeve të papërshtatshme nëpër shkolla tregon se edukimi nuk është në fokus dhe ky është shkaku që shkolla shkon drejt rënies. Shkolla të ndal rënien e saj. Institucioni që ka humbur kuptimin e qëllimit dhe të orientimit duke çuar në rënie të funksionit të saj. Nëse shkolla dëshiron të ndryshoj duhet të ketë edukimin në fokus që do të thotë, shkolla duhet të ketë për qëllim të formojë njeriun në vetvete, të kompletuar me një set vlerash të nevojshme për të qenë një qenie e virtytshme. Shkolla ka humbur funksionin e saj kryesor, edukimin e nxënësve. Edukimi është tkurrur tek lënda e qytetarisë, por nuk përmban vlera edukative që nevojiten për të adresuar problemet reale në epokën e modernitetit.
Edukimi përbën një sfidë për shoqërinë tonë dhe në qendër të kësaj sfide qëndron shkolla, kjo për disa arsye:
- Së pari, sepse shkolla ka në dorë të ardhmen e shoqërisë, duke edukuar brezin e fëmijëve të sotëm, ajo investon për të ardhmen.
- Së dyti, edukimi përfshin të gjithë hapësirën e shkollës, lëndët dhe aktivitetet që ajo zhvillon.
- Së treti, mësuesit janë shkolluar si edukator me përgjegjësinë e edukimit të brezave.
Një sistem edukativ është i mirë kur ai adreson siç duhet problemet e kohës. Fëmijët shqiptar po i edukon media sociale, televizori, interneti, youtube, i kanë vjedhur shkollës funksionin e saj primar të edukimit. Edukimi, vlerat, morali janë po aq të rëndësishme sa edhe dija akademike për formimin e nxënësve. Ne e dimë se edukimi është misioni kryesorë i shkollës që arrihet nëpërmjet mësimdhënies cilësore. Problemet në shkolla nuk mbarojnë, por trajtimi i të gjitha atyre fillon me mësimin dhe edukimin. Shkolla është ndërmarrja kryesore e edukimit.
Në këtë rrugë i bashkëngjiten shkollës edhe pak media që janë mbështetëse të shkollave dhe kauzës së dijes e edukimit, siç është RTSH shkolla, Auditor Arsimi dhe faqja informative Portali Shkollor. Televizionet e tjera kombëtare dhe jo të tilla në shumicën e rasteve nuk kanë emisione edukative por më shumë janë ndërmarrje me objektiv ekonomik, në rastin më të keq ka prej atyre programeve mediatike që po rivalizojnë shkollën me të kundërtën e edukimit. Media është një referencë dhe një fuqi ndikuese në edukim, patologjitë e shumta të saj kanë efekt negativ tek gjeneratat. Etika dhe edukata duhet të jetë gjëja e parë që duhet të ketë në fokus shkolla, media dhe të gjitha podiumet opinon bërëse. Emisionet kundër vlerave që nëpërmjet tyre synojnë një simbol vlerash që do të jetë model në shoqëri. Emisione të tilla ka në Shqipëri, është një model programuar duke vënë në qendër njeriun e vlerave, ku njerëzit për interesa tregu po i largohen vlerave. “Tregu rrezikon vlerat e vërteta” Niçja. Sjelljen e njeriut duhet ta kushtëzojë edukata jo instinkti. “Nganjëherë, ndërsa virtytet vyshken, veset ushqehen me dëshirë” Aleksandër Pop-poet anglez i shek.XVIII-të.
B. Shkolla si mjedis edukues.
A kemi arritur rrallë të ndërtojmë një mjedis shkollor edukues?
Në lidhje me këtë pyetje një përgjigje thelbësore e jep Pro. Dr. Musa Kraja në librin e tij “Pedagogji” thotë: “Institucionet arsimore nuk duhet të japin vetëm mësim mekanikisht, duke mos u përqendruar fortësisht në atë lloj të veçantë pedagogjie shkencore që dallon mësimdhënien nga edukimi. Shkolla duhet të jetë një shkollë e edukatës”. Duke pasur parasysh konceptin e edukatorit John Dewey në librin e tij “Shkolla dhe edukimi” ndër të tjera thekson realitetin e sotëm duke thënë: “Sistemet e sotme edukative po e shkatërrojnë ose shpërfillin po e bëjnë të pamundur marrjen e një trajtimi të rregullt moral.” Dewey, John. ʺShkolla dhe shoqëriaʺ,fq.17. Edukimi moral duhet të bëhet në shkollë. Është detyra e shkollës të zgjeroj kuptimin e vlerave. Mos të jetë shkolla si një vend ku duhet të jepet një informacion i caktuar, ku duhet të mësohen mësime të caktuara mekanikisht njeriu si robot. Edukimi është metoda themelore për progres shoqëror.
Mjedisi shkollor edukativ nuk mund të jetë efektiv pa bërë përpjekje në përpjesëtim me rreziqet që e kërcënojnë atë. Këto rreziqe kërkojnë arsye të shëndoshë dhe veprime të përbashkëta institucion pas institucioni, duke filluar nga shkolla, përgjegjësitë individuale dhe kolektive që duhet të marrë sot çdo qytetar. Pro. Dr. Zyhdi Dervishi i bën një përshkrim shumë të saktë gjendjes dhe jep dhe disa udhëzime se çfarë mund të bëhet për shkollën. “Problemi i shqiptarëve sot është liria pa korniza referuese shkakton efekt të kundërt. Të rinjtë nuk kanë hirearki vlerash, nuk kanë një bazim, referencë për të ndarë të mirën nga e keqja, vlerën nga antivlera. T’i japësh liri një injoranti është si t’i japësh një armë një të çmenduri”-Viktor Hygo.
A mund të bëhet diçka për shkollën?
Profesori i sociologjisë Zyhdiu përgjigjet:
1.Duhet të filloj puna me shkollën që në klasë të parë, si fillim pakësimi i nxënësve nëpër klasa, duke futur mësues në punë, më mirë të investosh për mësues se sa për polic.
2.Të fusim frymën humane nëpër shkolla, element kulturorë, psikologjik e sociologjik të cilët ndikojnë për të shëruar plagët. Kur ke të sëmurë çdo ilaç që ndihmon për të shëruar të sëmurin, të shëroj plagën është shumë i mirë nga lindja apo nga perëndimi vjen.
3.Të futet një edukatë më e shëndoshë nëpër shkolla dhe në respekt të hierarkisë. Nxënësit të vlerësojnë me respekt njëri-tjetrin. Beteja për edukimin është një betejë fisnike. Përgjegjësia themelore në edukim i mbetet shkollës dhe mësuesit. Shkolla duhet t’i përgatis fëmijët për jetë të përgjegjshme, në frymën e mirëkuptimit, paqes, tolerancës. Shkolla nëpërmjet edukimit ka objektiv formimin e një kapitali njerëzor cilësor në disa dimensione si:
- Dimensioni intelektual / Dije.
- Dimensioni fizik / Shëndet.
- Dimensioni qytetar / Moral.
- Dimensioni shpirtëror / Emocional.
Arsimi nuk duhet të shpërfill dimensionin social e moral të mësimdhënies e të të nxënit. Ajo që mungon dhe duhet të zhvillohet është dimensioni njerëzor i shkollimit. Edukimi është parë si fakt kyç i formësimit të vlerave dhe zhvillimin e personalitetit. Një program me ndërthurje ku spikasin dy drejtime “Njeriu shkencor” – nga i cili kërkohet përvetësim i njohurive shkencore nga nxënësit dhe studentët nëpërmjet mësimdhënies cilësore.
Drejtimi tjetër ai edukativo-moral i cili duhet të reflektoj në sjelljet dhe qëndrimet, në formimin e personalitetit të kompletuar.
“Shkolla ka fuqi ta bëjë bakrin ar, kurse injoranca e bën arin plumb”- Viktor Hygo
C.Roli i mësuesit dhe përgjegjësia e edukimit të brezave në epokën digjitale.
“Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj”- Vilhelm
“Nuk hapet mendja po nuk u hap zemra”- Platoni
Çdo njeri ka potencialin për tu bërë diçka, por të kushtëzuar nga një fakt, fakt i cili e ka emrin mësuesit që e kanë edukuar dhe mësuar. Mësuesit janë shkolluar si edukator me përgjegjësinë e edukimit të brezave. Mësuesi është kolona vertebrale e edukimit dhe personi më pararojë. Puna e mësuesit nuk mjafton vetëm të shpjeguarit mekanik të mësimeve, por nxënësit duhet të përvetësojnë edhe edukatën. Kujdesi dhe roli i mësuesit bie në dy drejtime:
- Formimi intelektual akademik, zhvillimi mendor i nxënësve nëpërmjet mësimdhënies cilësore.
- Formimi i personalitetit , zhvillimi edukativ i nxënësve nëpërmjet vlerave dhe moralit.
“Me pak fjalë, përkujdesja do të thotë të nxisësh përparimin akademik të nxënësve dhe në të njëjtën kohë të japësh shembullin e një sjellje sa më të denjë qytetare”. Daris,2003. “Psikologji edukimi” fq.76) Mësuesit si misionar të edukimit janë përgjegjësit kryesore që duhet të përgatiten për ndërmarrjen e madhe të edukimit. Nxënësi të erdhi në shkollë, atëherë t’i gatuaje me formimin e duhur. Autoriteti i mësuesit është autoriteti i shkollës. Zhvleftësimi i mësuesit në emër të të drejtave të fëmijëve u cenua vlera morale e tij në marrëdhëniet mësues-nxënës duke interpretuar tolerancën në liberalizëm dhe rregullin në konservatorizëm. Kjo solli shkatërrimin e sistemit arsimor me lirinë e padisiplinuar. Liria e disiplinuar edukative është si sinjalistika rrugore për mbrojtje dhe mirëfunksionim e njeriut. “ Të përhapësh dije pa moral është mungesë e jashtëzakonshme përgjegjësie” Uejn Xherard Trozmwn (Shkrimtarë dhe dramaturg anglez).
D.Mekanizmat e fuqizimit të edukimit në epokën digjitale të informacionit.
Në Japoni nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë, mësohet një lëndë që quhet “Rruga për tek morali”, ku nxënësit mësojnë për sjelljet me njerëzit! Nuk ka ngelje nga klasa e parë deri në të gjashtën, pasi qëllimi në këtë periudhë është edukimi dhe formimi i personalitetit dhe jo thjeshtë mësimdhënia. Nëse do të arrijmë të ruajmë ekuilibrin e qëndrueshëm mes dijes dhe moralit në vend që t’u nënshtrohemi tundimeve do të kapërcejmë sfidat me mençuri drejt një të ardhme të ndritshme. Terapia sociale kërkon që të kultivojmë në familje, shkollë, institucionet e sigurisë morale dhe kulturës qytetare, për të ndërmarrë një ʺaksion kombëtarʺ për të rregulluar raportet e sjelljes morale dhe edukatës si sistemi vetëmbrojtës i personalitetit të njeriut.
Duhet të kemi në vëmendje se keq përdorimi i teknologjisë digjitale dhe dituria pa moral janë drita që do na verbojnë sytë në vend që të na ndriçojnë rrugën. Në lëndën e qytetarisë nevojitet ndërhyrje që të ketë tema aktuale që të kurojnë problemet reale duke futur element të vlerave dhe kulturës që formojnë personalitetin e shëndoshë. Sot për shkak të ndryshimit të mënyrave të formimit dhe edukimit “të personalizuar” edhe për faktin se janë shtuar instrumentet e formimit të individit sistemi shkollor ka nevojë të ngrihet në nivelin që t’i prijë zhvillimit me element dhe filtra edukativ. Duhet të rikonfirmojmë autoritetin edukativ në shkollë. Përgjegjësia e organizmave të shkollës si struktura përgjegjëse, si mekanizëm i mbikëqyrjes dhe monitorimit me zero neglizhencë apo mungesë përgjegjësie në mjedisin edukativ. Një shembull praktik i kësaj që po themi është që mësuesi dëzhurn të rri në oborrin e shkollës gjatë pushimit të gjatë.
Sipas një studimi të bërë nga Bashkimi Europian thuhet se shumica e problemeve që ndodhin nëpër shkolla ndodhin pikërisht në pushim të gjatë. Instrument edukues është rregullorja e shkollës. Masat për shkeljet e rënda të disiplinës për të kuptuar mirë se ato janë si ilaçi i mjekut që shërbejnë për t’u shëruar dhe ndërgjegjësuar. Këshilli i etikës në shkollë është gardian (roje) i vlerave, heton parregullsitë, por edhe sjelljet e papranueshme të stafit dhe nxënësve. Trajtimi i sjelljes së vështirë në mënyrë shkencore është rruga e edukimit.
Teknikat e modifikimit të sjelljes, që sjellja pozitive të përsëritet disa herë dhe sjellja e gabuar të mos përsëritet duke shpjeguar pasojat e saj. Modelet e këqija mbivendosen duke ndërtuar bindje të shëndosha. Edukatori i sotëm duhet të jetë edukator edhe i internetit. Globalizmi po kalon nga ekonomia e kapitalit dhe tregut, në ekonominë e dijes dhe informacionit. Zhvillimi teknologjik po imponon kundër modelit monopolist të dijes që buronte vetëm nga sistemi arsimor. Për edukimin e fëmijëve nuk duhet të vendos teknologjia dhe shoqëria por familja dhe shkolla. Fëmijët janë të rrezikuar midis botës reale dhe asaj virtuale. Është e domosdoshme të veprohet në rrafshin edukativ. Disa mjete ligjore janë ndalimi i aksesit në rrjetet social siç e kanë bërë disa shtete përpara moshës 14-vjeç.
Kufizimi dhe mbajtja larg e fëmijëve nga ndikimet e rrjeteve sociale dhe modeleve të deformuara të shoqërisë. Këshillimi, korrigjimi dhe mbikëqyrja janë instrumente për edukim. Edukimi s’bëhet me urdhër por me bindje. Aktiviteti fizik dhe lojërat janë një mjet i vlefshëm që zhvillojnë aftësi sociale dhe personale. Edukimi është arti i të bërit njeriun etik. Të stimulojmë edhe sferën e vlerave etike- morale të nxënësve. Në ndërtesën e një Kolegji të Oksfordit është gdhendur thënia: “Sjellja e bën njeriun”. Kraja, Musa."Pedagogjia”,fq.155).
E. Dhuna ndërpersonale tek adoleshentët dhe edukimi kulturor si zgjidhje. Dhuna tregon për një shoqëri apo individ të paaftë që i mungon humanizmi, ndjeshmëria dhe vlerësimi për jetën. Një shoqëri që përdor dhunën si zgjidhje për problemet ka dështuar në zhvillimin e një morali dhe mungesës së vlerave. Fenomeni i dhunës nëpër shkolla janë pasqyrim i një dështimi të sistemit arsimor që nuk ka arritur të kultivoj karaktere të përgjegjshme, vlera morale e shoqërore, e as të frymëzojë dashuri për dijen. Sipas sociologut modernë, ʺadoloshenti është hallka e dobët e shoqërisëʺ. Edgar Morin, “Rruga”,fq.372.
Nëse nuk kuptojmë veçoritë moshore, proceset e zhvillimit, ndikimi i jetës së zbrazur, ndikimi i përdorimit të lëndëve psikotrope, influencat toksike të internetit dhe rrjetet sociale por edhe dobësinë më të madhe që i karakterizon adoleshentët që është, të mos menduarit për pasojat e veprimeve të tyre. Të gjitha këto janë shkaqe si pasojë kanë dhunën.
Dhuna përfundon kur fillon edukimi. Dhuna në aspektin filozofik tregon që ka humbur shtylla e etikës dhe moralit. Në aspektin psikologjik – dhuna si zgjidhje është një simptomë e çrregullimeve psikologjike që prek rininë me stres, ndjenja negative dhe agresive. Teoria e mësimit social shpjegon dhunën, “individët mësojnë sjelljen e dhunshme nga mjedisi përreth dhe nga modelet që imitojnë”. Në këtë kontekst media sociale, video lojërat, janë karburant për dhunë dhe agresion. Se vallë gjenetika është përgjegjëse për problemet e sjelljes, apo është ndikim i ambientit që na rrethon ku je rritur dhe si je edukuar, sido të jetë edukimi i paraprinë gjithçkaje. Në këtë aspekt “Është mirë të asgjësosh mushkonjat, por është më mirë nëse thajmë kënetat- duke rregulluar kulturën, duke sfiduar mbeturinat toksike shoqërore që komprometojnë rininë dhe duke përmirësuar rrënjët morale të karakterit” Myers, David. “Socialpsikologji”, fq.386.
Strategjitë e komunikimit paqësor janë një alternativë ndaj një bote trimash dhe viktimash. Njerëzit që veprojnë dhunshëm kanë probleme me kontrollin e ndjenjave të tyre si inati. Njerëzit që sillen dhunshëm e humbasin respektin dhe janë urrejtës. Edukimi i dhembshurisë ndaj tjetrit është shpjegimi më i mirë për atë se çfarë duhet bërë. Kërkimi i rrënjëve të shkaqeve në psikologjinë e individit keqbërës është një qasje, po nuk i shkon problemit deri në rrënjë. Ҫ’është ajo gjë në vetë atmosferën e shkollës që i bën këta të rinj kaq të dëshpëruar, kaq djallëzorë e kaq zemërgurë? Përse kërkojnë hakmarrje ose nocion të shtrembëruar të lavdisë, duke shfaqur agresivitet ndaj shokëve? Në ç’drejtim janë ndier të shpërfillur, të poshtëruar ose të trajtuar padrejtësisht? Psikologu ligjor J. Reid Meloy thotë: “Shpesh rrugëtimi drejt dhunës fillon me një pakënaqësi personale të përbërë nga tre komponentë:
- Së pari, ekziston një ndjenjë humbjeje.
- Së dyti, është ndjesia e poshtrimit dhe kërkon të rifitoj statusin.
- Së treti, ekziston mllef dhe fajsim i një personi apo grupi njerëzish si shkaktarët e problemit”.
Ngjarjet tragjike nëpër shkolla u janë atribuuar patologjisë emocionale të keqbërësve, mungesës së sigurisë dhe mbikëqyrjes në shkollë, neglizhencës nga organet përgjegjëse. Shkaqe tjera janë dhuna në media sociale e video lojëra. Zgjidhjet e sugjeruara përfshinë identifikimin e hershëm të ngatërrestarëve nëpërmjet nxënësve informator ose kontrolleve rreth sendeve. Afishimet në internet, vendosja e filtrave të rrjeteve sociale dhe censurë të dhunës në media.
Ndërmjetësimi dhe negocimi te bashkëmoshatarët është një mënyrë që duhet të aplikohet. Duke pasur parasysh shqetësimin për dhunë në shkollë, është për t’u habitur se sa pak dimë për konfliktet midis nxënësve. Sipas studimeve të bëra nëpër shkolla është arritur në përfundim se 90% e konflikteve ndërmjet nxënësve zgjidhen në mënyrë shkatërrimtare ose nuk zgjidhen kurrë. Shmangia, forca dhe kërcënimet duket se janë strategji të negocimit të bashkëmoshatarëve. Një model ndërmjetësimi është që mësuesi çdo ditë të zgjedh dy nxënës si ndërmjetës të klasës duke e deleguar problemin ose duke e zgjidhu nëpërmjet komunikimit. Mungesa e tolerancës dhe ndjenja e hakmarrjes janë karakteristika të shoqërive të dështuar.
Përgjigja më e mirë ndaj dhunës në shkollë është parandalimi. Duke qenë mësues, ju s’keni ç’thoni për dhunën në media-por mund të thoni shumë në edukimin për mënyrën se si nxënësit e trajtojnë shoku-shokun dhe për ndjenjat e frymën e respektit të krijuar në klasën tuaj. Ju mund t’i edukoni nxënësit me ndjenjën e dhembshurisë dhe vlerën e jetës. Nxënësit duhet të shpëtojnë nga mësuesit që i fyejnë, i poshtërojnë publikisht, i shpërfillin në klasë, ose u veshin cilësi negative. Mësuesi i efektshëm është ai që i mëson nxënësit dhe i edukon ata. Secili duhet të vetëpërmbahet që dhuna, nervozizmi, mosdurimi, agresiviteti të mos kenë vend në shpirtin e tij, siç thotë Lao Tzu :ʺKujdesuni për mendimet tuaja; ato bëhen fjalë. Kujdesuni për fjalët; ato bëhen veprime. Kujdesuni për veprimet; ato bëhen zakone. Kujdesuni për zakonet; ato bëhen karakter. Kujdesuni për karakterin; ai bëhet fati juaj.
Nëse duam të ndryshojmë mënyrën e veprimit të njerëzve ne duhet të ndryshojmë zemrat dhe mendjet e tyre. Indiferenca dhe neglizhenca ndaj të keqes, heshtja ndaj të keqes është krim, është një shfaqje që ushqen dhunën, titaniku u fundos si shkak i neglizhencës. Roli i familjes, shkollës, politikave arsimore është jetik për të frenuar rritjen e sjelljeve të dhunshme. Ndërsa thellohemi më thellë në dilemën e edukimit, bëhet e qartë se sfida dhe rruga përpara përfshin bashkëpunimin ndërdisiplinor, nxjerrjen e njohurive nga filozofia, psikologjia, pedagogjia, teologjia për të krijuar një kornizë që drejton edukimin etik.
Ë. Fëmijët mësojnë atë që jetojnë.
Po iu sjellim në vëmendje faktin që të gjithë atyre që merren me fëmijët, se njohja e parimeve të zhvillimit, të të nxënit dhe mësimdhënies është po aq e rëndësishme sa dhe mësuesi, edukatori apo edhe prindi i cili në çdo hap shërben si model, për mirë apo për keq. Dhe, që të edukojmë fëmijët të vlefshëm për vetveten dhe shoqërinë, qytetar të denjë të së ardhmes, kujdesi ynë duhet të jetë maksimal. Sa e rëndësishme është kjo këtë e tregojnë rreshtat plot ndjenja të renditura në formën e një poezie të shkurtër vargjet e Nolte e që gjendet shpesh në materialet psikologjike.
Nëse një fëmijë jeton me kritikën, ai mëson të dënojë.
Nëse një fëmijë jeton me armiqësinë, ai mëson të luftojë.
Nëse një fëmijë jeton me talljen, ai mëson të jetë i ndrojtur.
Nëse një fëmijë jeton me turpin, ai mëson të ndiejë fajin.
Nëse një fëmijë jeton me tolerancën, ai mëson durimin.
Nëse një fëmijë jeton me inkurajimin, ai mëson besimin.
Nëse një fëmijë jeton me lavdërimin, ai mëson të vlerësojë.
Nëse një fëmijë jeton me ndershmërinë, ai mëson drejtësinë.
Nëse një fëmijë jeton me sigurinë, ai mëson të ketë besimin.
Nëse një fëmijë jeton me miratimin, ai mëson të pëlqejë vetveten.
Nëse një fëmijë jeton me pranimin dhe miqësinë, ai mëson të gjejë dashurinë në botë.
Musai,Bardhyl."Psikologji Edukimi".fq.310.
F. Sfida etike e edukimit të fëmijëve në epokën digjitale të informacionit.
Nuk ka dyshim se interneti është bërë një faktor ndikues në edukim. Në të vërtetë teknologjia nuk është as e mirë, as e keqe dhe as neutrale; varet nga qëllimi i personit që e përdor atë. E vetmja gjë që kemi në dorë është vetvetja dhe ndryshimi fillon vetëm nga vetja. Nuk bëhet edukimi me komanda,por çdo njëri duhet të ndjejë, të kuptoj me anë të bindjes dhe duhet të motivohet për ta bërë diçka. Gjithmonë në edukimin e fëmijëve duhet së pari të potencojmë në gjërat që duhen bërë sepse automatikisht fëmija përmirësohet edhe tek ato gjëra që duhet të heq dore. Jepi alternativa fëmijës përpara se t’i thuash mos këtu e mos atje.
- Çelësi për të pasur fëmijë të virtytshëm, rezistentë dhe me imunitet të fortë ndaj veseve është edukimi.
- Orientimi i fëmijës nga bashkëmoshatarët është epidemi e heshtur që minon lidhjet prind-fëmijë.
- Rrjetet sociale dhe media po e zhvendosin vëmendjen e fëmijëve larg librit dhe shkollës.
- Pavarësia e parakohshme që i jep fëmijës në fakt mund të pengoj progresin natyror të fëmijës. - Liria a padisiplinuar shkak i humbjes së edukatës, kurse liria e disiplinuar është domosdoshmëri për mbarvajtjen në të mirën e fëmijëve.
- Spontaniteti në edukatën e fëmijës nuk është pozitiv.
- Prindërit duhet që të mos humbin vetën e tyre si pikë referimi tek fëmijët.
Janë tronditur pikat e referimit si shkolla, familja, mësuesi, prindërit, libri në pika çorientimi media sociale, telefoni, lojërat agresive online kjo deri në mpirje të plotë. Fëmijët nuk i lihen kohës t’i edukoj por fëmijët duhet të udhëhiqen nga virtytet dhe vlerat.
Edukimi dhe përkujdesja ndaj fëmijëve janë dy fjalë që kanë shumë dallim. Përkujdesja është të kujdesesh për nevojat jetësore të tyre si, ushqim, veshmbathje. Edukimi shkon më lartë si përgjegjësi prindërore.
- Ndërtimi i bindjes që përfshinë vlerat, etikën, kulturën sjelljen.
- Orientimi i interesave prioritare dhe si e shfrytëzon kohën e lirë.
- Jep sugjerime, si trajnim në sporte, marrëdhënie dhe komunikim ndërpersonal të mirë, lexim, dituri dhe shkencë.
- Rregullat e shoqërimit e lidhjeve. Me kë të shoqërohet e prej kujt të largohet dhe si t’i ndërtoj marrëdhëniet me të tjerët. Të bashkëpunoj në virtyte dhe vlera e jo në armiqësi.
- Zgjidhja se kë do të marr për shembull, shembujt moral që do të ketë si referencë model që ka dëshirë të bëhet si ata dhe të kuptoj rregullat për të zgjedhur personat që synon t’u ngjajë. Të mësuarit dhe studimi i jetës së njerëzve të suksesshëm.
- Edukimi drejt një përdorimi të dobishëm të telefonit. Disa shtete kanë ndaluar rrjetet sociale me argumentin se, deformon moralin e rinisë. Të gjitha këto janë përgjegjësi së pari e prindërve për t’i dhënë formë fëmijës në nivelin më të lartë edukativ sikurse kanë përgjegjësi t’i ushqej po ashtu ka edhe përgjegjësi t’i edukoj. Kujdesi edhe mund të delegohet kurse edukim jo nuk delegohet sepse është detyrë e nënës dhe babait së pari dhe detyrë e shkollës së dyti. Teknologji si shpata me dy tehe, na del për detyrë t’i mbikëqyrim fëmijët dhe të mos ia lëmë fëmijët rrjedhës së kohës për të qenë viktima të saj. Fëmijët duhen të edukohen me vlera dhe jo me veset e kohës duke u mësuar atyre virtytet. Mësimdhënia cilësore dhe edukimi kulturor dy garanci të mëdha për të ndërtuar një të ardhme të ndritur. “Njeriu mund të bëhet me ndihmën e edukatës”- Kanti
- Sfida etike të një epoke të dominimit të teknologjisë së informacionit dhe (IA) Inteligjencës Artificiale në shërbim të njeriut dhe jo kundër ti. Edukimi dhe ngritja e ndërgjegjes për përdorimin etik të teknologjisë është thelbësore. Ndikimi negativ i platformës sociale është një nga shkaqet që promovojnë sjellje të papërshtatshme agresive. Edukimi i nxënësve në mënyrë që nuk kanë zgjedhur t’i realizojnë ëndrrat e tyre me rrjetet sociale por me dije. Teknologjia digjitale është si një shpatë me dy tehe varet si e përdor. Njerëzit duhet të mësojnë se si ta shfrytëzojnë fuqinë e teknologjisë, për të përmirësuar përvojat njerëzore dhe për të forcuar marrëdhëniet e tyre sociale dhe morale. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohemi se në këtë botën digjitale do të arrijmë lartësi të reja të të kuptuarit dhe vetëdijes. Në këtë drejtim edukimi luan një rol jetik në epokën e teknologjisë. Brezat duhet të mësojnë se si të ndërveprojnë me teknologjinë në një mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale është një temë që nuk shqetëson vetëm nxënësit ajo prek edhe mësuesit, drejtuesit, familjet, të gjithë aktorët e sistemit shkollor. Në rastin e inteligjencës artificiale gjeneruese si ChatGPT, për shembull, është thelbësore të kuptosh se si funksionojnë kërkesat, që duhet t’i jepni sistemit; me kërkesa të pavërteta keni rezultate të pavërteta, dhe mjetet humbasin dobinë e tyre. Ne duhet t’u mësojmë atyre se teknologjia është vetëm një mjet dhe se është njeriu dhe mençuria jonë që i jep vlerë të vërtetë. Kontrolli ynë i kësaj teknologjie duhet të ndodh jo vetëm nga pikëpamja teknike por edhe nga pikëpamja etike – morale dhe sociale. Ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë teknologji t’i shërbej njerëzimit, jo ta bëjë atë zotërinë tonë mizorë dhe pa ndjenja. E ardhmja jonë është në duart tona. Nëse mund të përdorim mençurinë dhe nëse mund të mbajmë një ekuilibër midis teknologjisë dhe njerëzores do të jemi në gjendje të arrijmë një botë të zhvilluar në harmoni ku njeriu ta nënshtroj atë dhe jo ajo të nënshtroj njeriun. Kjo është sfida e madhe e kohës sonë. Gjetja e një mënyre në të cilën teknologjia dhe njeriu nuk lëvizin në konflikt por në harmoni drejtë një të ardhme më të ndritshme. A mund të vendosim korniza të përshtatshme ligjore dhe etike për menaxhim dhe monitorim? Kjo çështje kërkon bashkëpunimin dhe ndërveprimin e të gjithëve, institucioneve përgjegjëse, kompanive. Programuesit janë përgjegjës për programet që instalojnë, t’i përmbahen etikës, dhe të mos nxisin dhunë dhe agresivitet. Arbitër i teknologjisë është njeriu, programues i saj. E vërteta e (IA) Inteligjencës artificiale është e kushtëzuar nga të dhënat dhe algoritmet që njeriu e ka ushqyer, instaluar. Inteligjenca Artificiale është një pasqyrim i të dhënave që ne u ofrojmë atyre. Çdo rezultat i (IA) ndikohet nga kufizimet njerëzore. Nëse të dhënat janë të pasakta, rezultatet do të jenë të pasakta në kthim. Përzgjedhja e të dhënave dhe dizenjimet me kujdes dhe përgjegjësi është një sfidë e komplikuar. Gabimet tregojnë kufijtë tanë në arritjen e së vërtetës absolute.
- Varësia ndaj përdorimit të medieve sociale është një patologji dhe sfidë e kohës.Sipas studimeve në Gjermani 6% e fëmijëve janë të varur në mënyrë kronike nga lojërat dhe mediet sociale. Psikologu Kai Muller i cili drejton Shoqatën e Ekspertëve për Analizimin e Varësisë nga mediet sociale dhe punon në ambulancën që trajton fëmijët me varësi nga lojrat kompjuterike në Klinikën Universitare të Maincit. Aty telefonojnë prindër të dëshpëruar, që nuk dinë se sitë veprojnë me fëmijët që kalojnë në celular për shumë kohë. Injorojnë shkollën dhe reagojnë me mllef, refuzojnë të ndahen nga celulari, mbyllen në dhomën e tyre, ku prindërit humbasin qasjen tek ata, në rast ekstrem harrojnë të ushqehen, duke krijuar një lidhje emocionale dhe kjo është shtysa e parë të mbetesh varur në një lidhje të tillë. Nëse nuk do të veprojmë shpejt tani, atëherë gjithnjë e më shumë fëmijët në të ardhmen do të jenë të varur në mënyrë kronike nga mediet sociale dhe trendi negative nuk do të ndalet. Gjuhëtarët e Oksfordit, zgjodhën ʺbrain rotʺ (kalbja e trurit) si fjalën e vitit që përmbledh vitin, teknologjia dhe varësia ndaj saj ka dominuar gjatë vitit dhe me pasojë deri në kalbjen e trurit. Rrjetet sociale e kanë bërë punën e tyre dhe varësia është tashmë patologji. Ama e vetmja mundësi është edukimi i njerëzve për të kuptuar dhe vepruar me mendje të zgjuar. Sfida numër një është ta bëjmë këtë, e këtë duhet ta bëjë shkolla për t’i dalë në ballë kaosit ashtu siç imuniteti i trupit përballë viruseve. Mjekët ku kurojnë një sëmundje para se të merren me sulmin ndaj viruseve ata japin ilaçe që të forcojnë imunitetin që në rastin e trajtesës sonë ilaçi është edukimi. Si mund ta bëjmë shkollën një qendër kualitative të mirëfilltë edukimi si imuniteti i trupit që përballon "mikrobet" përballë sfidave të kohës dhe për të trajtuar patologjitë?
- Teoria e parë, duke mjekuar ekuivalent ilaçi është mësimdhënia cilësore dhe edukimi.
- Teoria e dytë, duke pastruar ambientin duke ndërtuar sistemin siç thotë W.Edwards Deming “Një sistem i keq do të mund një person të mirë çdo herë” ku shkolla të jetë një ambient edukues.
- Teoria e tretë, për të shpëtuar ka vetëm një rrugë, sipas Montesorit, ʺËshtë njeri i disiplinuar ai njeri që sundon vetveten dhe rregullon vetvetenʺ.(Kraja, Musa. “Pedagogji”,fq.28)
Mendime përmbyllëse
- Ringritja e shkollave kalon nga: Mësimdhënia-mësimnxënia cilësore dhe dimensioni edukativ janë dy shtyllat themelore që do të ndikojnë në kapitalin më të madh “kapitali njeri i formuar mirë”
- Dëshmitë dhe hulumtimi nënvizojnë se forcimi dhe cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies në klasë është përcaktuesi kryesorë për performancën e nxënësve - është mësimdhënësi ai mbi të cilin bie barra në klasë.
- Shkolla të ngrihet në nivelin që kërkohet për t’iu përgjigjur kërkesave të shek. 21-të, duke investuar në edukim dhe digjitalizim. Investimi në infrastrukturën digjitale, laboratorike shkon në funksion të mësimdhënies cilësore.
- Misioni i mësuesit është t’u mësojë nxënësve, diturinë dhe t’u mësojë edukatën, mirësjelljen. Teknologjia nuk mund ta zëvendësoj rolin e mësimdhënies së drejtpërdrejtë të mësuesit por është mbështetëse.
- Në qendër të edukimit janë nxënësit dhe zhvillimi gjithëpërfshirës i tyre nëpërmjet edukimit dhe ndërtimit të sistemit efikas, ambientit të favorshëm edukues.
- Sistemit arsimor t’i kthehet komponenti edukativ. Edukimi i fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut i shkollës. Kauza e edukimit duhet të konsiderohet sot si kyç i çdo lëvizje shoqërore, madje të ketë vend qendror në politikat e partive, politikat arsimore, kurrikulat shkollore, institucionet fetare, podiumet mediatike etj. Nga pikëpamja kombëtare, mos – fokusimi tek edukimi si mjet dhe rruga më e mirë e formimit të duhur të karakterit ka qenë një arsye me rëndësi dhe një faktor vendimtarë i prapambetjes sonë.
- Ndërsa thellohemi më thellë në dilemën e edukimit, bëhet e qartë se sfida dhe rruga përpara përfshin bashkëpunimin ndërdisiplinor, nxjerrjen e njohurive nga filozofia, psikologjia, pedagogjia, teologjia për të krijuar një kornizë që drejton edukimin etik. Është e domosdoshme që në shkollat tona të fillojë të zbatohet një lloj edukimi i cili u godit në 67 e kjo ka sjell shumë pasoja, ka të bëjë më arsimin e fëmijëve lidhur me qenien e tyre shpirtërore e mbushjes së boshllëkut shpirtëror dhe dhënies kuptim jetës. Një praktik europiane në shumicën e shteteve kanë paraparë lëndën e arsimit fetar duke e kuptuar se njeriu përgjatë shekujve është zhvilluar shpirtërisht dhe shkencërisht. Gabimet tregojnë kufijtë tanë në arritjen e së vërtetës absolute. Feja dhe shkenca përkrah njëra tjetrës dhe plotësuese të njëra tjetrës kanë ndryshuar botën.
- Ne jemi në një epokë të re të teknologjisë së informacionit, e vetmja zgjidhje që kemi është ta përdorim në mënyrë konstruktive. Në të vërtetë teknologjia digjitale nuk është as e mirë, as e keqe dhe as neutrale; varet nga qëllimi i personit që e përdor atë.
- Të mos ia lëmë fëmijët rrjedhës së kohës për të qenë viktima të saj. Fëmijët duhen të edukohen me vlera dhe jo me veset e kohës duke ua mësuar atyre virtytet dhe logjikën.
- Edukimi do të jetë mburojë si imuniteti për trupin për të lundruar në kompleksitetin e kësaj teknologjie transformuese dhe për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm të saj në dobi të njerëzimit dhe jo shkatërrimin e tij.
- Inteligjenca Artificiale është një pasqyrim i të dhënave që ne u ofrojmë atyre. Çdo rezultat i (IA) ndikohet nga kufizimet njerëzore. Nëse të dhënat janë të pasakta, rezultatet do të jenë të pasakta në kthim. Përzgjedhja e të dhënave dhe dizenjimet me kujdes dhe përgjegjësi është një sfidë e komplikuar.
- Kontrolli ynë i kësaj teknologjie duhet të ndodh jo vetëm nga pikëpamja teknike por edhe nga pikëpamja etike – morale dhe sociale. Ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë teknologji t’i shërbej njerëzimit dhe jo kundër ti. Për të shpëtuar ka vetëm një rrugë, sipas Montesorit, ʺËshtë njeri i disiplinuar ai njeri që sundon vetveten dhe rregullon vetvetenʺ.(Kraja, Musa. “Pedagogji”,fq.28)
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Vlerësimi i mësuesve dhe formati që duhet të plotësoni
Vlerësimi i orës së hapur dhe i projektit kurrikular, risitë në zhvillimin profesional dhe kualifikimin e punonjësve arsimorë
Informacion i përmbledhur për PISA Main Study 2025