Msc.Evans Drishti: Më thuaj me kë rri, të të them kush je!
Prindër mos e lini vetëm fëmijën, por integrohuni, luani dhe argëtohuni së bashku, dilni dhe komunikoni që të fitoni çiltërsinë e tij. Bashkohuni me shoqërinë e tij të ngushtë, bëjini ata pjesë të rëndësishme tuajën, që të kuptoni mënyrën se si ushqehet fëmija juaj për të cilin padyshim shpenzoni gjithçka!
Qëndronte si në heshtje, aty në fund të laboratorit, si i strukur në vetminë e tij aq të dëshiruar, i veshur me bluzën e uniformës, të cilën nuk është se e mbante vazhdimisht, thuajse ta kishte një ngarkesë të papërballueshme, me një palë pantallona që në të shumtën e rasteve dukej sikur u kishte dalë edhe boja, me një xhakavento të thjeshtë në pamje të parë, me ngjyra të zbehta që dukej sikur e përpinin edhe më tepër në atë vetminë e vet… Nuk ua thoshte mësimeve për hir të së vërtetës, ndoshta për nga dembelizmi që kishte fituar që në fëmijërinë e hershme, ndoshta për shkak të një mungese kontrolli të vijueshëm nga rrethi familjar ose edhe për shkaqe të tjera… I pëlqente të luante, të merrej me gjëra të vogla, por që i sillnin një lloj argëtimi, qoftë edhe i çastit, mjaftonte thjesht të ishte diçka argëtuese, por pa e menduar se sillte edhe trazira gjatë procesit mësimor. Si për të realizuar ambicien e tij nuk mjaftohej i vetëm si individ, përkundrazi insistonte të përfshinte edhe disa të tjerë, që në fakt kishin një nivel disi më të lartë krahasuar me nivelin e tij dhe në një farë mënyrë shprehnin edhe një interesim më të dukshëm për të përfituar diçka nga ajo orë mësimore.
Ditët vijonin dhe kalonin si pa u kuptuar, e ndërkohë u vu re se dy bashkëmoshatarët e tij që, të nxitur kuptohet prej shokut të tyre, nisën të merreshin më tepër me ato lojërat e vogla, por shqetësuese për ambientin dhe atmosferën në laborator, e si rrjedhojë, nga dita në ditë, nga java në javë u ndie qartazi një luhatje e tyre në mësime, madje edhe një rënie e dukshme pas disa kohësh. Për çudi, djaloshi me hiperaktivitet të mbuluar dhe ideatori i atyre lojërave, të fshehta në dukje, tentonte të mos shfaqej si kreatori i këtyre “bëmave” duke qëndruar në “fshehtësinë” dhe “urtësinë” e tij, por duke lënë në mes në mënyrë “djallëzore” dy bashkëmoshatarët e vet, të cilët i kishte rrëmbyer tashmë keqazi kjo lojë “e tepruar” duke i shmangur si me forcë nga realiteti i mësimeve dhe i detyrave dhe duke sjellë, ashtu si pa dashur, edhe një “ftohtësi” ndaj procesit mësimor, por edhe ndaj vetë lëndëve të ndryshme.
Pas shumë kohësh, tanimë e kishin humbur pothuajse “tërësisht” përqendrimin, e si të mos mjaftonte kjo, edhe dëshirën për të ecur me hapa të shpejtë dhe të sigurtë përpara. Ky fenomen, në fakt, nuk u vu re vetëm gjatë orarit mësimor dhe edukativ brenda ambienteve të institucionit arsimor, por të njëjtin shqetësim e paraqisnin edhe familjarët e tyre gjatë bashkëbisedimeve të organizuara si një përpjekje për të sjellë një reagim në kohën dhe vendin e duhur për të marrë edhe ndryshimin e shumëkërkuar. U zhvilluan edhe konsulta psikologjike me ta, kuptohet në seanca të ndryshme dhe në intervale të ndryshme kohore, të cilat sollën edhe rezultate mjaft efektive, pasi së pari u evidentua problemi shqetësues, më pas u shtruan vështirësitë që hasnin këta fëmijë, e më pas u kalua në projektimin e planit veprues me synimin e qartë në arritjen e kthimit të këtyre fëmijëve në vëmendjen dhe përqendrimin që duhej të kishin gjatë procesit.
Më shqetësuese s’ishte vetëm ideja se ata pësuan një rënie në mësime, por edhe fakti se tregonin edhe sjellje aspak të hijshme në komunikime jo vetëm me bashkëmoshatarët e tyre, por edhe me të tjerët, deri edhe me të mëdhenjtë. Ata s’shkëputeshin asnjëherë prej shokut të tyre “besnik”, i cili ishte po ai që i kishte përfshirë në këtë valle, ishte po ai që sillte ato “ngacmimet e rastit”, ishte po ai që lëshonte “grepin” e një loje, si gjithnjë duke qëndruar si në heshtje, e më pas duke ua lëshuar vëmendjen dy “bashkëpunëtorë”ve të vet me të cilët kishte arritur të krijonte të ashtuquajturin “ekip”in intrigues. Të shumta, po aq edhe të ndryshme ishin “lojërat” që ideonin mes tyre, në dukje për “argëtim”, të cilat natyrshëm i mendonin kohë më përpara dhe i vinin përpara një planifikimi “profesionist” duke tentuar:
- Të sillnin momente dhe çaste gazmore në klasë;
- Të krijonin të qeshura që sillnin natyrshëm edhe mungesë përqëndrimi;
- Të krijonin kurthe për të tjerët, pse jo edhe për “më të urtët”;
- Të kumbisnin minutazhin e procesit edukativ që të mos merreshin në pyetje;
- Të deformonin natyrat e të tjerëve në mënyrë që të rrisnin numrin e pjesëmarrësve në të tilla “evente” sipas tyre…;
Po ç’pasoja mund të sillnin “këto lojëra” edhe për vetë natyrën e fëmijëve bashkëmoshatarë?
Kështu:
I pakulturuar – I paedukatë – I pafytyrë
Me distancimin dhe ftohjen nga libri shkollor dhe jo vetëm, fëmija do të humbasë edhe sensin e kulturës për të kuptuar mënyrën e sjelljes, të veprimit si dhe për të zgjeruar horizontin dhe diapazonin e tij për të kuptuar fushat e ndryshme të jetës.
Me distancimin nga libri dhe rregullat shkollore, por edhe familjare njëkohësisht fëmija humbet etikën e të folurit, të komunikimit duke kaluar në përdorime të një fjalori aspak njerëzor dhe etik.
Me distancimin nga libri dhe rregullat shoqërore fëmija humbet ndjesinë e përgjegjësisë ndaj obligimeve dhe detyrimeve duke kaluar në pafytyrësi.
I pamoralshëm – Gënjeshtar – Mashtrues
Me distancimin nga edukimi shkollor dhe rregullat shoqërore fëmija humbet nocionet e moralit të shëndetshëm jo vetëm për nga fjalori, por edhe nga sjelljet dhe veprimet, i ndikuar padyshim edhe nga rrjetet e ndryshme sociale “me përmbajtje imorale”
Me distancimin nga edukimi shkollor dhe rregullat shoqërore fëmija tenton “të gënjejë” për t’i shpëtuar rrethanës dhe momentit, por me këmbëngulje për të vijuar sërish më vonë, pse jo me sjellje dhe veprime akoma më shqetësuese duke u bërë kështu një gënjeshtar i pagdhendur dhe duke rënë në kurthin e mashtrimit.
Duke përqafuar gënjeshtrën si një armatë “e sigurtë” në gjetje të një rrugëzgjidhjeje të çastit ai përvetëson dhe “mashtrimin” duke ideuar “lojëra” të tjera që e çojnë drejt qëllimit të tij “sublim”.
Fyes – Mburrës – Xheloz
I përfshirë në vorbullën e “lojërave” intriguese dhe devijuese fëmija humbet konceptin e një komunikimi serioz dhe etik duke kapërcyer të gjitha caqet dhe duke kaluar tashmë në fyerje dhe ofendime si për të treguar një lloj “pafajësie” ndaj rrethanës ku ndodhet, si një tregues i qartë edhe i një shprehjeje të urtë “Edhe me faj edhe i fortë”.
Me distancimin nga rregullat shkollore dhe sociale si dhe i përfshirë në këtë atmosferë dekadente ai tashmë vihet në përpjekje të krijimit të një “imazhi të ri” thuajse “një protagonist” që vetëm mburret në pavetëdijshmërinë e vet për bëmat që s’kanë asnjë peshë dhe që e çojnë drejt një fëlliqësire të padëshirueshme.
Natyrshëm që me përfshirjen gjithnjë e më tepër në të tillë “rrjet” vjen edhe xhelozia ndaj bashkëmoshatarit, që e bëri pjesë të kësaj “loje” duke i hapur rrugë një lloj “konkurrencë” se cili do të arrinte të bëhej “protagonisti i ditës”.
Frikacak – Urrejtës – Tradhtar
Me distancimin nga libri shkollor dhe etika shoqërore, me përqafimin akoma më shumë të “lojërave të egra dhe të ashpra” të zhvilluara fshehurazi, fëmija përpunon në vetvete “frikën” e madhe se “mos të zihet” “me presh në dorë”, e nisur nga kjo, ushqen në shpirtin dhe mendjen e vet një lloj urrejtje për “shkollimin” dhe “rregullatorin shoqëror” duke arritur më pas edhe në një “tradhti” dhe “mashtrim” si ndaj vetes ashtu edhe ndaj shokëve dhe fatkeqësisht edhe familjes së tij.
I vrazhdë – I paturpshëm – I padurueshëm
Me distancimin nga edukimi shkollor dhe etika shoqërore fëmija shfaqet edhe i vrazhdë në veprime dhe komunikim ose duke ngritur zërin vend e pa vend ose duke shfaqur sjellje cinike të pakontrolluar ndaj tjetrit ose duke tentuar të luajë rolin e protagonistit i zhytur thellë në mjerimin e pavetëdijes, e në këtë mënyrë ai humbet edhe ndjesinë e turpit, pasi çdo veprim i paturpshëm për të kthehet në diçka “të natyrshme”, e për rrjedhojë shkon deri në masën agresive për tu shfaqur i padurueshëm edhe për të tjerët.
Injorant – I pavetëdijshëm – Trashaman
Distancimi nga mësimet shkollor, leximet e ndryshme dhe rregullat etike shoqërore e bëjnë fëmijën të tregohet injorant dhe i pavetëdijshëm jo vetëm thjesht në një fushë të caktuar, por në shumë aspekte të jetës. Kështu të tillë individë duke mos shfaqur asnjë interes ndaj procesit edukativ flasin gjëra boshe, ndërhyjnë vend e pa vend, drejtojnë pyetje pa logjikë, por edhe më e keqja s’dinë të flasin apo edhe të lidhin qoftë edhe dy fjalë me një kuptim logjik. Kjo kategori sjell për rrjedhojë naivitetin e tejskajshëm deri në absurditet duke hedhur veten në një grackë të pakapërcyeshme.
Të nderuar mësimdhënës:
Është në dorën tonë të evidentojmë që në hapin e parë të tilla raste të këtyre fëmijëve dhe të marrim masa të menjëhershme për një parandalim të këtyre “lojërave” keqbërëse që sjellin për pasojë edhe “degradimin” e natyrës së fëmijës.
Prandaj mbart një rëndësi jetike pjesëmarrja e vazhdueshme e kujdestarit të klasës duke komunikuar vazhdimisht dhe pa ndërprerje me nxënësit duke u treguar jo vetëm “pasojat” e këtyre “tërbimeve”, por edhe obligimet dhe detyrimet që kanë në përditshmëritë e tyre.
Është domosdoshmëri që nxënësi të ndjejë në klasë dhe në ambientet e shkollës edhe praninë e vazhdueshme të anëtarëve të drejtorisë, si autoritetet më të sigurta dhe të qëndrueshme në mbarëvajtjen e procesit edukativ. Komunikimet e herëpashershme të trinomeve nxënës – mësimdhënës kujdestar – drejtues i shkollës sjell padiskutim një frenim të dukshëm të fenomeneve. Padiskutim që një rol kyç mbart edhe takimi i vijueshëm me psikologun e institucionit arsimor si një orientues i qenësishëm për kapërcimin e situatave të pakëndshme.
S’duhet harruar se:
Mungesa e pranisë së kujdestarit në ambientet e klasës apo edhe të shkollës, mungesa e një komunikimi edhe nga ana e mësuesve të ndryshëm të asaj klase, mungesa e ndërveprimit të drejtorisë së institucionit arsimor do të sillte padyshim:
- një rritje të lojërave dhe për rrjedhojë të pakënaqësisë brenda ambientit të klasës;
- një zhgrehje dhe një ç’orientim gjatë procesit mësimor dhe edukativ;
- një rritje të numrit të “nxënësve problematikë”
dhe për rrjedhojë
- një ulje të nivelit mësimor dhe edukativ të klasës…
Të nderuar prindër!
Padyshim që impenjimet e juaja janë të volitshme dhe të domosdoshme, por s’duhet të harrojmë se paraqitja e të tilla problematikave nga ana e fëmijës suaj s’përbën një problem shqetësues thjesht për klasën dhe shkollën, por pikësëpari përbën “një alarm” të bujshëm për ju si prindër që e sollët në jetë këtë qenie.
Harrohet në të shumtën e rasteve se fëmija ka nevojë emergjente për vëmendje dhe përkujdesje, ka nevojë të ndjejë nga afër afrimitetin dhe mbi të gjitha seriozitetin e prindit të vet, ka nevojë të dëgjojë fjalët e juaja plot energji dhe emocion, ka nevojë të shohë më nga afër përkushtimin tuaj në mbështetjen që duhet t’i jepni gjatë edukimit jo vetëm familjar, por edhe shkollor, ka nevojë jo vetëm të ushqehet “mirë” dhe “në mënyrë të shëndetshme”, jo vetëm “të vishet” me rrobat më cilësore, por edhe të dijë dhe të kuptojë se ç’natyrë është e ëma dhe i ati, ç’karakter kanë ushqyer prindërit e tij gjatë jetës, ç’nivel arsimor dhe edukativ ka shfaqur dhe shfaq e ëma dhe i ati, sa të lexuar tregohen dhe sa të përkujdesur janë ndaj “leximit”, sa të pranishëm janë ndaj “librave shkollorë” për të cilat natyrshëm shpenzojnë së tepërmi…
Mos harroni prindër të nderuar të mësoni se kush është shoqëria e fëmijës suaj, mos hezitoni të flisni qartazi me të dhe të komunikoni bashkë me “celularin” e tij si armata e tij më e pamposhtur, mos hezitoni të futeni në botën e tij shpirtërore që të blini mendjen e tij si diamant, që ti doni dhe ti respektoni miqtë me të cilët rri dhe komunikon për të mirat dhe të këqijat e përditshmërisë….
Mos e lini vetëm fëmijën, por integrohuni së bashku me të, argëtohuni së bashku, luani së bashku, dilni dhe komunikoni së bashku që të fitoni çiltërsinë e tij… Bashkohuni me shoqërinë e tij të ngushtë, bëjini ata pjesë të rëndësishme tuajën, që të kuptoni njëkohësisht edhe mënyrën se si ushqehet fëmija juaj për të cilin padyshim shpenzoni gjithçka!
Në këtë aspekt, mbart një rëndësi jetike shprehja e urtë popullore:
“Më thuaj me kë rri, të të them kush je!...”
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi