
"Mospërputhjet me Udhëzimin Nr. 17 dhe mungesa e transparencës", eksperti Çifliku analizon testimin e informatizuar
Eksperti Fiqiri Çifliku analizon vlerësimin e testimit të informatizuar dhe evidenton mospërputhje me Udhëzimin Nr. 17. Ai vëren se pyetjet s’kanë pasur peshë të barabartë, duke ndikuar te pikët. Thekson gjithashtu mungesën e qartësisë mbi ndarjen e testit dhe rëndësinë e transparencës në proces.
Në morinë e komenteve dhe ankesave të mësuesve të cilët nuk kanë rezultuar kalues në procesin e kualifikimit, publikuam sot letrën e hapur nga SBASH drejtuar Ministres së Arsimit. Ndërkohë në lidhje me këtë temë i kemi marrë një koment z. Fiqiri Çifliku, i cili ditë më parë ka shkruar në lidhje me arsyet për rezultatet jo të mira që qarkullonin. Ai ka analizuar një element të veçantë që lidhet me vlerësimin testit të informatizuar të shumë debatuar ditët e fundit.
**
Nga Fiqiri Çifliku
Udhëzim Nr. 17, datë 22.7.2024, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimorë”, i ndryshuar, në nenin 22, vlerësimi i testimit të informatizuar për kandidatët e kategorisë “Mësues i kualifikuar,” nuk është zbatuar ashtu siç është shkruar. Kjo pikë është shumë e qartë dhe përcakton në pikën 1 se: “Teza e testimit të informatizuar përmban pyetje me alternativa, përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen me 100 pikë. Pikët që kandidati fiton nga testimi i informatizuar konvertohen maksimalisht në 40 pikë, duke shumëzuar numrin e pikëve që kandidati ka marrë në testimin e informatizuar me 0.4.
Kjo pikë e testimit nuk është zbatuar pasi sipas rezultateve të shpallura testi ka patur 22 pyetje ose 40 pikë secila. Pra që këtu shohim se kemi pyetje që kanë më shumë se një pikë dhe sipas kësaj analize pesha e alternativave nuk qenka e njëjtë. Gjithashtu nuk është specifikuar se cila është pjesa e parë dhe cila është pjesa e dytë.
Rezultati i gjeneruar nga sistemi ku pyetjet duhet të ishin patjetër 1 pikëshe, pasi kërkojë një përgjigje ku veprimet bëhen me mend dhe qarkohen më shumë si reflektim i analizës që bëjnë kandidatët, duhet të përkthehet në pikë, sipas përcaktimeve të pikës 2, e cila përcakton se: Pjesa e parë e testimit të informatizuar përmban 20 pikë dhe pjesa e dytë përmban 20 pikë.
Pikës 3, përcakton se vlerësimi i testimit të informatizuar kalohet me sukses kur kandidati fiton të paktën 60 për qind të pikëve totalit të testit. Pra minimalisht për të qenë korrekt me vlerësimin, pyetjet duhet të kishin të njëjtën peshë specifike, mbi totalin e pyetjeve të paraqitura në test.
Të paktën të realizohen ato që janë shkruar në udhëzim dhe të bëhet transparencë në lidhje me rezultatet është shumë e rëndësishme dhe i bën mirë, më së shumti sistemit arsimor. Në asnjë rast nuk mund të vëmë në dyshim cilësinë e mësuesve të cilët kanë kaluar disa filtra për të arritur në këtë moment të rëndësishëm të certifikimit të njohurive shtesë që kanë marrë gjatë punës së përditshme në klasë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fiqiri Çifliku: Politika e fjalëve të rreme, mësuesi i Hekalit dhe e ardhmja e shoqërisë
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Mësuesit denoncojnë procesin e kualifikimit: SBASH kërkon ndërhyrje urgjente nga MAS