Ministrja Shahini: “Pas vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria”
Fëmijëve shqiptarë në Serbi më në fund do t’u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministrja e Arsimit, Besa Shini. Për të mundësuar këtë gjë ajo tha se janë bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes MARS dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka dedikuar një status të veçantë në rrjete sociale mbi përdorimin e librave shkollorë nga Shqipëria për shqiptarët në Serbi.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi” – shprehet Shahini ndërsa nënvizon se ka filluar tashmë edhe financimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore. Në lidhje me këtë, ajo thekson se “besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim”.
Ndër të tjera, Ministrja Shahini nënvizon faktin se “komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij”. Njëkohësisht, nuk lë pa përgëzuar edhe Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Gent Cakaj për angazhimin e tij dhe kontributin për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!