Ministrja Kushi për mësimin online: Kërkojmë solidaritetin e studentëve
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, në konferencën, ku kanë marrë pjesë ekspertët e shëndetësisë, deklaroi se mësimi online në universitete do të vazhdojë. Kushi kërkojë mirëkuptimin e studentëve për vendimet e marra.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi në konferencën e zhvilluar me Komitetin Teknik të Ekspertëve kërkojë mirëkuptimin e studentëve për vendimet e marra për universitetet për të zhvilluar mësimin online.
Kushi u shpreh se vendimet ndoshta nuk janë të mirëpritura nga të gjithë, por janë të ndërmarrë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
“E kuptoj situatën e çdo studenti, pedagogu, por i mirëkuptoj edhe të gjitha problematikat e tyre që janë të imponuar nga kjo situatë pandemi çdo cep të globit. Jo më larg se para tre ditësh unë zhvillova një takim me rektorët e Universiteteve Publike për të diskutuar të gjitha vështirësitë. Pajtohem me mendimet e tyre si edhe shqetësimet, por nga ana tjetër do të kërkoja edhe mirëkuptimin e çdo institucioni arsimor, për vendimet tona që rrjedhin si rezultat i komitetit. Do të kërkoja solidaritetin në këtë situatë kaq të vështirë që fokus kryesor ka shëndetin. Do të kërkoja solidarizimin e studentëve”, tha Kushi.
Ndërsa kjo është fjala e plotë e ministres së Arsimit, Evis Kushi, në konferencën e zhvilluar me Komitetin Teknik të Ekspertëve:
"Faleminderit Ministres së Shëndetësisë dhe gjithë anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve që ju përgjigjët kërkesës sonë për organizimin e këtij takimi të nevojshëm, dedikuar mësimit online në sistemin tonë të Arsimit të Lartë. Them i nevojshëm - në gjykimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë - mbi krijimin e mundësisë për të sqaruar situatën më të fundit dhe për t’u dhënë gjithashtu një përgjigje institucioneve tona të arsimit të lartë, universiteteve; dhe më e rëndësishmja, studentëve tanë, të cilët janë në fokusin tonë primar për t’u siguruar arsim sa më cilësor, sidomos sa më optimal tani në kushte pandemie. Më lejoni të theksoj që në fillim, që ne kemi shumë besim tek ju, i vlerësojmë dhe i respektojmë të gjitha sugjerimet tuaja, apo vendimet tuaja, që lidhen me situatën e përgjithshme, por veçanërisht ato që lidhen me institucionet tona arsimore. Edhe si një pedagoge që i shërben studentëve prej 24 vitesh, e kuptoj krejtësisht mire situatën, për çdo student, për çdo pedagog, çdo universitet nga pikëpamja e ndikimit në menaxhimin e tij. E po ashtu i kuptoj të gjitha vështirësitë dhe pengesat që janë krijuar për secilin prej tyre, të imponuara pa vullnetin e askujt, por nga një 'armik i padukshëm' që ka sfiduar çdo cep të globit, çdo sferë të jetës dhe hallke të shoqërisë, prej gati një viti. Jo më larg se para 3 ditësh, pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zhvilluam një takim me rektorët e universiteteve publike në vend për të diskutuar rreth ecurisë së deritanishme të vitit akademik, mësimit 'online', nevojat e shfaqura dhe problematikat e përgjithshme që janë shqetësim i të gjithëve për shkak të efekteve të drejtpërdrejta që ka sjellë kjo kohë e paprecedentë. Bashkohem plotësisht me çdo mendim, opinion, rrethanë e shqetësim të tyrin, sikurse do të dëshiroja të kemi edhe mirëkuptimin e tyre dhe çdo institucioni të arsimit të lartë ndaj çdo vendimi që rrjedh si rezultat i rekomandimeve të qenësishme, analitike e shkencore pikërisht nga ekspertiza me vlerë e Komitetit të Ekspertëve. E po ashtu, këtë mirëkuptim dhe solidaritet në një kohë aspak të lehtë, ku vëmendja maksimale dhe parësore e qeverisë shqiptare është mbrojtja e shëndetit e qytetarëve shqiptarë - sikurse në çdo vend te globit - e kërkoj me shumë përulësi edhe nga ana e çdo studenti që kërkon rikthimin në auditorë. Gjate këtyre ditëve kam pasur pa fund mesazhe, kërkesa, ankesa në lidhje me hapjen e auditorëve. I mirëkuptoj që të gjitha, sepse e njoh shume mire rëndësinë e të qenurit në auditor, e kuptoj shumë mirë marrëdhënien pedagog-student, dhe padyshim vlerësoj shumë mirë edhe sfidat që krijon zhvillimi i mësimit "online". Prandaj, duke qenë në mënyre të pandalshme pranë zërit të studentëve e pedagogëve, dhe njëkohësisht autoriteti institucional si pikë referimi për universitetet për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lart, e ndjeva të nevojshme të përcjell pranë këtij komiteti anëtarësh fort të nderuar edhe shqetësimin e krijuar kohët e fundit për pamundësinë e hapjes së auditorëve nëpër universitete. Ashtu siç e kam deklaruar edhe me përpara, ministria që drejtoj ndjek shumë nga afër edhe praktikat më të mira të ndërmarra në vendet më të zhvilluara të botës. Situata nuk ndryshon nga këtu. Dominon zhvillimi i mësimit 'online' dhe respektohen vendimet që pasojnë rekomandimet e autoriteteve eksperte që vlerësojnë rigorozisht dinamikën e pandemisë. Edhe në vendin tonë, si MASR, jemi plotësisht të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është pesha rekomanduese dhe ekspertiza e Komitetit të Ekspertëve. Prandaj, me shumë mirënjohje për punen tuaj të palodhur dhe sakrificat që po bëni pa u ndalur që nga dita e parë e pandemisë, do të dëshiroja që ky Komitet i nderuar të ndante me ne vlerësimet më të fundit dhe opinionet e tij rreth çështjes së mësimit "online" nëpër universitete. Ju faleminderit të gjithëve për kohën e konsideratën!"
Publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Nis regjistrimi për në universitete. Lista ndryshon çdo 48 orë
Një risi në Universitetin e Tiranës dhe jo vetëm
Mësuesit shqiptarë, fisnikët e kombit