Arsim profesional apo i lartë? Çfarë qëndron në preferencat e studentëve shqiptarë?
Fëmijët e arsimuar janë ata që kanë më shumë gjasa të përmbushin potencialin e tyre, të bëhen të rritur produktivë dhe qytetarë të përkushtuar, në vendin e tyre. Por cili është arsimi që i përmbush më tepër këto kërkesa, ai porfesional apo i lartë? Ja se çfarë tregojnë të rinjtë shqiptarë
"Arsimi është shoku më i mirë. Një person i arsimuar është i respektuar kudo. Arsimi prek bukurinë dhe të rinjtë".
Preferoj që ta nis kështu shkrimin tim, me një shprehje, ndonëse për shumicën prej jush mund të vijë e çuditshme qysh në hyrje! Por preferoj ta nis kështu.
Ndoshta dhe ju si unë ja keni bërë pyetje vetes, se çfarë do të ndodhë me ju si studentë mbas përfundimit të arsimit të detyruar ose atij të mesëm, shumë prindër kanë dilemën se cila do të jetë e ardhmja e fëmijës së tij, por më së shumti ky vend pret për studentë të kualifikuar, dhe të denjë për t'i shërbyer këtij vendi.
Të arsimohesh do të thotë të kesh përherë me vete një shok më të mirë, dijen. Thonë shpesh se një person i arsimuar e ka përherë një derë të hapur.
Por çfarë ndodh realisht me të rinjtë shqiptarë?
Çfarë zgjedhin realisht ata të bëjnë?
Preferojnë më së shumti të vazhdojnë studimet e larta veç për titullin që ata do të mbajnë në të ardhmen, sepse mendojnë se do të jetë më i denjë, por aspak i preferueshëm nga ata?
Sepse, ndodh shpesh se atë degë që mund ta ketë zgjedhur mund të qenë zgjedhje e imponuar nga familja, shoqëria, fisi etj. Por mbase edhe sepse në Shqipëri që të quhesh i arsimuar dhe me një profesion uauu duhet të kesh mbaruar patjetër mjekësi, inxhinjeri, arkitekturë, e të tjera si këto.
Po me profesionet e tjera që ka nevojë vendi, kush do të merret?
A thua se s'ka nevojë ky vend për kuzhiniera profesionistë, mekanikë, estetiste etj.
Në fakt po ta mendojmë thellë thellë, dhe vetë ne do e kuptojmë se këto janë profesionet më të domosdoshme që i duhen në përditshmëri njeriut. Nëse do ta mendojmë, nëse ne nuk do të kemi makinën e rregullt nuk mund të shkojmë dot të ndjekim profesionin e mjekut, inxhinierit etj.
Por çfarë është në të vërtetë një arsim profesional, dhe për çfarë do t'i shërbejë në të ardhmen një profesionisti?
A ka nevojë tregu shqiptar për zanate, dhe sa e lehtë është të punësohesh në Shqipëri me një zanat?
Arsimi profesional është ai arsim i cili përgatit studentët e rinj për të punuar në profesione të caktuara si p.sh në tregti, zejtari, teknikë etj. Gjithashtu ky lloj arsimi synon të përvetësojë studentët si nga ana e njohurive të përgjithshme teorike dhe atyre praktike të bëhën specialistë të aftë në punë.
Ka disa arsye, për të cilat arsimi profesional po shihet si gjithmonë e më i preferuar nga studentët e rinj. Kjo për arsye se programet janë më të lira por edhe për vetë faktin se të përgatisin shumë shpejt për tregun e punës. Nëse ti arsimohesh në një program arsimor profesional, ai të nxjerr të përgatitur për tregun e punës, në moshën 20-vjeçare, kur ndërkohë nëse do të vazhdoje universitetin ty do të duhet maksimumi të përfundosh studimet e larta në moshën 23-vjeçare.
Por a mund të shihet kjo si e vetmja arsye pse të rinjtë zgjedhin arsimin profesional, për shkak të kohës, të kostos apo sepse në përfundim të dyvjeçarit ata dalin profesionist për tregun e punës?
A preferojnë studentët mos të arsimohen për shkak të kohëzgjatjes së arsimit apo dhe frikë se nuk do punësohen, dhe si rrjedhojë të mjaftohen vetëm me arsimin e mesëm, dhe pse?
Në përpjekje për ti dhënë përgjigje të gjithave këtyre pyetjeve, kemi intervistuar për portalin shkollor Albas, studentë të cilët janë në vazhdim të shkollës profesionale, ata në vazhdim të arsimit të lartë dhe persona që kanë preferuar mos të vazhdojnë as arsimin profesional dhe atë universitar.
"Mbas shumë mendimesh, shembuj të ndryshëm dhe vështirësisht për të gjetur veten diku tjetër unë zgjodha kuzhinën në një shkollë profesionale. Si çdo nxënës tjetër që mbaron gjimnazin dhe unë kam pasur dilemat e mia se për çfarë degë do të studioja ,si do të ishte dhe a do t'ja vlente? Si përfundim zgjodha kuzhinën, e kam dashur gatimin prej e vogël dhe preferova të merrja si profesion dhe mbas mbarimit të saj ta ushtroja në trgun e punës. Universiteti ka të mirat e tij pa dyshim, por zgjodha profesionale sepse dhe periudha kohe është më e shkurtër se universiteti, shprenzimet janë më të pakta dhe një profesion me të ardhura të larta dhe normalisht kyesorja ishte pasjoni që kisha për këtë profesion", tregon Drinelda Hoxhalli, studente e cila sapo ka përfunduar kursin dy vjeçar për kuzhinën, mbi arsyet se pse ka zgjedhur të marrë arsimin profesional.
E intervistuar gjithashtu mbi faktin nëse ka arritur të punësohet, ajo pohon se po, madje për të mundësitë kanë qenë të shumta ende pa përfunduar kursin dyvjeçar.
"Po kam pasur mundësi punësimi, ende pa përfunduar shkollën për të zhvilluar praktikën në restorante të ndryshme, sapo përfundova me kanë ardhur oferta madje kam mundësi punësimi edhe jashtë Shqipërisë.
Një tjetër rast i një zgjedhje për arsim profesional është edhe studenti Dhimitër Kanina, i cili sapo është regjistruar për arsim profesional si shef kuzhine.
"Arsyeja ishte se nuk harxhoj shumë vite nga jeta ime duke studiuar për disa degë që nuk janë shumë të kërkuara në tregun e punës. Më mjaftoi arsyeja që mua më pëlqente dega e kulinarisë. Kërkesa për këtë profesion është shumë e lartë, si në tregun vendas ashtu dhe në tregun europian, për të mos thënë "botëror" dhe pagesa e këtij profesioni është shumë më e kënaqshme se profesionet e tjera gjë që e bën të mundur që kërkesat e mia individuale të plotësohen lehtësisht", rrëfen për portalin Dhimitër.
Ndërsa lidhur me faktin se nëse do ketë mundësi punësimi ai shprehet plotësisht i bindur se po.
Ndryshe nga dy studentët e sipërpërmendur , rasti i studentes Eda Gjata vjen ndryshe. Ka zgjedhur që të vazhdojë studimet e larta për stomatologji dhe lidhur me pyetjen se pse ? Ja se si përgjigjet ajo.
"Studimet e larta i zgjodha njëherë e para sepse s'jam mjaftueshëm e talentuar në pjesën e degëve që ofron arsimi profesional, por edhe se së dyti zgjodha ëndrrën time që ishte pjesë e këtyre studimeve të larta, stomatologjia. Por gjithashtu qëndron dhe ajo pjesa e kultures, apo e thënë ndryshe, që kurset profesionale në mendjen e prindërve tanë janë për studentët që nuk janë dhe aq të mirë në rezultatet e mësimeve", tregon Eda.
Por nuk janë të paktë edhe rastet kur studentët nuk preferojnë të vazhdojnë studimet e larta këtu në shqipëri, por për më tepër as dhe atë profesional. Por çfarë i shtyn këta studentë të marrin këtë vendim. Ja se çfarë rrëfen për ne ish studentja A.D, e cila për arsye personale nuk pranoi të prononcohet me emrin e plotë.
"Nuk e vazhdova shkollën për disa arsye, e para është se nuk e shikoj të ardhme time këtu në shqipëri. Por as mundësitë dhe rrethanat, nuk ma lejuan. Por në planet e mia është të vazhdoj studimet më vonë, por jo në Shqipëri", tregon ajo.
Pra, bazuar mbi gjithë qasjen time në lidhje se pse studentët zgjedhin arsimin profesional, arsimin e lartë apo preferojnë mos të arsimohen më tej këtu në shqipëri, rezulton se bazuar mbi intervistat e bëra, të shumta janë rastet që studentët po marrin arsimin profesional, si mundësi për jetën e tyre.
Pra, arsimi profesional në Shqipëri është duke fituar terren. Një kthesë kjo vetëm gjatë këtyre pesë viteve të fundit zgjedhin të rregjistrohen në arsimin profesional.
Dhe si rezultat e gjithë dilemave që ju si studentë, prindër keni në lidhje me të ardhmen e fëmijve tuaj, apo tregun e punës ngelet për t'u thënë se seriotipet e krijuara mbi profesionin perfekt, i shumë kërkuar apo i shumë paguar po thyhen.
Studentët janë në kërkim dhe realizim të ëndrrave të tyre!
Intervistoi: Marina Kërçeli
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Po je kapital – bëhu i çmuar!
Praktika mësimore në Bashkinë Tiranë
Mësuesit shqiptarë, fisnikët e kombit