Testi për në UMT

Konkursi i Mjekësisë në 10-20 gusht. Për herë të parë provim për të rinjtë që do ndjekin Universitetin e Mjekësisë

Konkursi i informatizuar për t’u pranuar në Universitetin e Mjekësisë është planifikuar të zhvillohet në dhjetë ditshin e dytë të gushtit. Kandidatët për studentë nga i gjithë vendi duhet të shkojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore ku do të zhvillohet testimi sipas një kalendari që do të publikohet më herët.

Nuk ka pushime të gjata për maturantët që duan të nisin studimet e larta për mjekësi të përgjithshme këtë vit. Konkursi i informatizuar për t’u pranuar në universitet është planifikuar të zhvillohet në dhjetë ditshin e dytë të gushtit. Kandidatët për studentë nga i gjithë vendi duhet të shkojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë ku do të zhvillohet testimi sipas një kalendari që do të publikohet më herët.


“Qendra e Shërbimeve Arsimore ka planifikuar që ky testim të zhvillohet në periudhën 10 deri më 20 gusht që të jetë në koherencë dhe brenda fundit të gushtit të shpallen fituesit në programin e mjekësisë. Në momentin që do të kemi listën e aplikantëve do të publikojmë kalendarin e sesioneve dhe oraret e testimit”, ka thënë për mediat Agim Alia, Drejtori i Vlerësimit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. 


Teza do të përmbajë pyetje nga lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë zhvilluar gjatë viteve të gjimnazit dhe do të vlerësohet me 100 pikë.


Rezultatet e maturantëve Qendra e Shërbimeve Arsimore do t’ia dërgojë Universitetit të Mjekësisë i cili do të bëjë renditjen e fituesve duke u bazuar dhe në notat e provimeve të maturës.


“Është një total një fond prej 3 mijë pyetjesh ku kemi një numër të barabartë për fizikën, kiminë dhe biologjinë. Ky testim i informatizuar do të bazohet vetëm në fondin e pyetjeve të bërë publik. Provimi do të jetë i njëjtë me atë të profesioneve të tjera të rregulluara. Do të vlerësohet në total me 100 pikë. Tabelën e rezultateve në do t’ia dërgojmë Universitetit të Mjekësisë për të bërë rankimin. Do të zërë një peshë prej 30% në rankimin e të gjithë maturantëve që do të aplikojnë për mjekësi”, u shpreh Alia. 


Testi i informatizuar për tu pranuar në Universitetin e Mjekësisë zhvillohet për herë të parë këtë vit. Vitin e shkuar për këtë degë studimi aplikuan rreth tre mijë maturantë.



©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,493 Lexime
1 vit më parë