Ministrat shqiptarë eliminojnë shqiptarët!
Pavarësisht se autori mund të jetë shqiptarë dhe pavarësisht faktit se ai libër do të përdoret nga nxënësit shqiptarë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkon që dorëshkrimi i librit të jetë vetëm në gjuhën maqedonase.
Pavarësisht se autori mund të jetë shqiptarë dhe pavarësisht faktit se ai libër do të përdoret nga nxënësit shqiptarë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkon që dorëshkrimi i librit të jetë vetëm në gjuhën maqedonase. “Ky është një diskriminim i cili nuk praktikohet as në Serbi”, pohon Latif Ajrullai, botuesi i njërës prej shtëpive më të suksesshme të librit shkollor në rajon, SHB “Albas”
Shkup, 18 prill – Disa ministra radhazi shqiptarë në krye të dikasterit të arsimit, nuk kanë mjaftuar që në Maqedoni të ndryshojnë politikat diskriminuese në botimin e teksteve shkollore. Nuk kanë mjaftuar as miliona euro të harxhuara në emër të arsimit të integruar, as reformat për sistem efikas shkollimi në shtetet multietnike dhe as vënia në përdorim e librave të Kembrixhit, shkruan gazeta KOHA.
Madje, botuesit e teksteve shkollore konsiderojnë se gjërat janë përkeqësuar gjatë këtyre 10 viteve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) jo vetëm që ka përjashtuar nga gara botuesit e teksteve shkollore, sepse ka marrë vetë monopolin e botimit të tekstit shkollor, por ka eliminuar që në start konkurrencën edhe të autorëve shqiptarë.
Kur është në pyetje botimi i testeve shkollore në Maqedoni, sikurse vëren Latif Ajrullai, autor dhe botues i Shtëpisë Botuese “Albas”, shqiptarët janë dyfish të përjashtuar.
“Një herë sepse MASH-i ka nxjerrë nga loja botuesit e librave dhe herën e dytë – sepse ka përjashtuar shqiptarët nga çdo mundësi konkurrimi edhe si autorë librash. Në konkurset për botimin e teksteve shkollore, respektivisht për përshtatjen e librave sipas programeve të Kembrixhit, thuhet se dorëshkrimet duhet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo me automatizëm përjashton nga loja botuesit dhe autorët shqiptarë”, shprehet ai.
Që të konkurrohet për botimin e një teksti të caktuar, autorët e librit duhet të paraqesin në MASH patjetër me dorëshkrim në gjuhën maqedonase. Pavarësisht se autori është shqiptarë dhe pavarësisht faktit se ai libër do të përdoret nga nxënësit shqiptarë, dorëshkrimi kërkohet të jetë vetëm në gjuhën maqedonase. Ky është një diskriminimi, i cili nuk praktikohet as në Serbi, tregon për KOHA Ajrullai.
Para dy viteve, plotëson më tej ai, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Serbisë miratoi përdorimin e librave shqip në shkollat e Luginës së Preshevës. “Konkurruam me libra që ishin shkruar në gjuhën shqipe. Ministria e Arsimit të Serbisë na kërkoi që vetëm recensionet të ishin në gjuhën serbe. I përkthyem recensionet dhe të njëjtat ua bashkëngjitëm dorëshkrimeve në gjuhën shqipe. Fituam konkursin me disa libra dhe të njëjtat përdoren pa asnjë problem nëpër shkollat e Luginës së Preshevës”, sqaroi ai.
Botuesi i njërës prej shtëpive më të suksesshme të librit shkollor në rajon, shprehet i habitur se si ka mundësi që në Maqedoni – sot e kësaj dite të mos mund të konkurrohet me dorëshkrime në gjuhën shqipe. Në kohën kur mbi 35 për qind e nxënësve të shkollave në Maqedoni janë shqiptarë, kur jemi popull shtetëformues dhe kur mbi të gjitha pretendojmë se jetojmë në një shtet demokratik, sipas Ajrullait, është absurde dhe jashtë çdo logjike që autorët të mos mund të konkurrojnë në gjuhën shqipe.
“Për vendet demokratike është e papranueshme eliminimi i konkurrencës. Mënyra se si botohen tekstet shkollore në Maqedoni, vetëm me demokracinë nuk kanë asnjë pikëtakimi”, shprehet botuesi Ajrullai.
SHB “Albas” është e regjistruar dhe ushtron veprimtarinë e saj në Maqedoni që në vitin 2000. Logon e saj e mbajnë disa libra ende në përdorim të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në Shqipëri mbulojnë mbi 60 për qind të librave shkollor, ndërsa nuk janë keq as në Kosovë dhe Luginë të Preshevës. Të gjitha librat e “Albas”-it janë të digjitalizuara.
Një vit më parë, në Shqipëri, mes një konkurrence të fortë, “Albas” fitoi të drejtën e botimit të librave sipas programeve të Kembrixhit për klasat e 10-ta dhe 11-ta për lëndët e Matematikës, Kimisë, Fizikës dhe Biologjisë. Bëhet fjalë për të njëjtat libra të cilat duhet të vihen në përdorim në shkollat e mesme të Maqedonisë nga viti shkollor 2017/2018.
Më 18 mars, MASH-i shpalli thirrje publike për botimin e teksteve shkollore sipas programeve të Kembrixhit për vitin e parë të shkollave të mesme në Maqedoni, të cilat janë në nivelin e klasës të 10 në Shqipëri dhe për të njëjtat lëndë me të cilat ka fituar “Albas”-i vitin e kaluar. Meqë bëhet fjalë për të njëjtat libra të hartuara sipas të njëjtave programe (të Kembrixhit), Maqedonia mund të marrë të gatshme librat që u botuan për Shqipërinë vitin e kaluar. Ose, mund të ndjekë shembullin e Serbisë, të mundësojë konkurrencën, respektivisht të largon barrierën gjuhësore.
(Laura PAPRANIKU, Gazeta KOHA)
Latif Ajrullai, mësuesi idealist dhe sipërmarrësi vizionar
"Ylli i zemrës"-Lasgush Poradeci, lexim i komentuar nga Rita Petro
Bashkëbisedim për librin “Engjëlli Blu” me nxënësit e shkollës “Gustav Majer”