BOTIM I RI

Mimoza Hysi sjell në shqip romanin “Me shaka”, kryeveprën e autorit italian Domenico Starnone

Mimoza Hysi rrëfen mbi përkthimin që i ka bërë librit “Me shaka” të autorit Domenico Starnone. Ky libër konsiderohet si kryevepra e shkrimtarit Italian. Libri promovohet sot në stendën e shtëpisë botuese ALBAS, në orën 17.30.


A është për t’u marrë “Me shaka” romani i Starnones? Në të vërtetë ky është romani më i fortë, më i dhmbshëm dhe më ngacmues i Starnones. Më tepër se shaka kemi të bëjmë me një reflektim të thellë për tema të rëndësishme, të trajtuara me dy mënyra rrëfimi: atë të përballjes si në duel të gjyshit me nipin dhe atë të ditarit të gjyshit, si shtojcë, e cila në vetvete përngjan me zemrën e rrëfimit. Edhe pse me dy regjistra të ndryshëm, romani është një i tërë ku spikat zhdërvjellësia e dialogut, kthesat e befasishme, natyrshmëria e ngjarjes që ngërthen drama të një jete që është në përmbyllje dhe shtron pyetje tronditëse: a ka qenë e vlefshme rruga e zgjedhur? A ka bërë gjënë e duhur duke u përpjekur t’i largohet së keqes? A ka mundur ta tjetërsojë veten duke u përpjekur të fshijë nga vetja historinë e errët të një fëmijërie të vështirë, të një familje me probleme dhe për më tepër të një qyteti që kultivon të keqen? Si gjithnjë, Starnone shtron pyetje dhe ju le të hapura përgjigjet.


Romani “Me shaka” 

Prindërit e Marios së vogël duhet të shkojnë në një konferencë matematicienësh, ose thjesht të marrin kohë për të kuptuar nëse martesa e tyre është drejt fundit. Prandaj fëmija lihet nën kujdesin e një gjyshi gati të panjohur për të, një ilustruese të vjetër, të vrazhdë e punë shumë, që jeton prej vitesh në Milano. Mes katër muresh dhe një ballkoni, përgjatë shtatëdhjetë e dy orëve, zhvillohet një rrëfim i hollë, përballja e pabesë dhe argëtuese mes një gjyshi të lodhur dhe të hutuar dhe një xhandari të vogël zevzek. Në lojën që luhet mes të dyve, mes mirëkuptimit, kundërshtive dhe lojërave jo gjithnjë të këndshme, pasqyrohet vetë jeta me të gjitha format: jeta e jetuar dhe ajo që po nis, jeta e ashpër dhe tallëse e Napolit, jeta e shtëpisë që duket sikur zgjohet dalëngadalë, plot me jehona dhe fantazma. 


(Portali Shkollor)

2,669 Lexime
5 vjet më parë