Mësuesja ime e parë, pasqyrim i realitetit tonë social
Disa rreshta për mësuesen time të parë. Mësuesja ime, por jo vetëm, është drama që na rrethon të gijthëve, ku si Prometeu, rrojmë, mbërthyer me zinxhirë, në malin e lartë, mbështjellë me zjarrin, që mund të djegë në çdo kohë.
Mësuesja ime e parë quhej Kujtime dhe vërtetë, që vetëm kujtime më sjell ndërmend. Ajo ishte një prej atyre njerëzve që do ta mbaj mend në kujtesë për një kohë të gjatë. Kjo sepse ajo dhe qenia e saj nuk mund të shkëputej dot nga realiteti shqiptar, nga kjo përditshmëri që e kemi prodhuar dhe bluar me kohë ne këtu apo kushdo që ka kontribuar në të. Mësuesja ime më ngjall në kujtesë turbullirë mendimesh. Ajo ishte gjithmonë e menduar. Mësuesja ishte vërtetë e mirë dhe njerëzore.
Mirëpo, e hasja që në vegjëli se ndërsa shpjegonte apo merrej me ne, në mendjen e saj vërtiteshin halle dhe probleme familjare, ndoshta fëmijët që kishte në emigrim, ose ndoshta të tjera problematika në jetën personale. E se edhe unë që e shikoja si një pasqyrë mësuesen isha ndikuar dhe kuptoja se në ç'realitet jetoja, sesi zhytej mësuesja në meditime pa fund, rrinte e mendohej dhe në duart që shpjegonin, fshihej një dramë sociale, jo vetëm për të, por edhe për mësuese të mbarë Shqipërisë, me siguri. Por e doja edhe dhimbjen e saj, edhe atë trishtimin e dashuroja. Kjo sepse vendin tim e dua ashtu siç është, edhe me hallet që ka, për problemet që i mbart në vetvete, të mundohen së paku t'i venë në dukje. Kjo se vendi im nuk ka vetëm bukuri, por edhe dhimbë, madje të fuqishme dhe të thellë, aq sa të tronditet tokë e dhe. Kuptova në atë kohë dhe kuptoj se dheu ku kam lindur ka shumë halle, probleme e drama, të cilat bëhen evidente sa më shumë e rrit shtatin.
Tashmë u kthava në vendlindje. Ajo mësuese ecte nëpër rrugë, por tashmë me më shumë rrudha, por më me hijeshi dhe sërish e menduar, e zhytur në "botën" e saj. E ndërmend më shkoi: "Mësuesja ime, por jo vetëm, është drama që na rrethon të gjithëve, ku si Prometeu, rrojmë, mbërthyer me zinxhirë, në malin e lartë, mbështjellë me zjarrin, që mund të djegë në çdo kohë". Dhe unë e dua mësuesen time, e dua vendin tim, e dua dramën e një vendi ku përditshmëria ngjan me një teatër të madh grek.
(Dionis Xhafa, Gazetar)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu