Mësuesja Elsa Sula: Maturantë, mos ikni kur të tjerët thonë se ky vend nuk bëhet më, sepse ju jeni potencial ndryshimi
Ju mund të jeni zëri i duhur i komunitetit, shoqërisë, vendit, ndaj mos heshtni! Mos ikni kur të tjerët thonë se ky vend nuk bëhet më, sepse ju jeni potencial ndryshimi. Qëndroni humanë me zemër e të drejtë me arsye dhe do të jeni kurdoherë të suksesshëm!
Gjimnazi mbahet mend si koha më e bukur dhe e veçantë e studimeve.
Për ju mbase nuk do të jetë aq e bukur, por e veçantë për atë që na u desh të përjetonim e të kalonim.
Kohë të papërsëritshme e ne mësuam bashkë si të përshtatemi me të papërshtatshmen.
Të preknim te paprekshmen e mbi të gjitha të bënim të mundur të pamundurën.
Mësuam se mbi çdo dije e shkencë qëndron humanizmi dhe të qenurit humane është më e bukura që mund të bëjmë në jetë.
Larg në distanca, pa përqafime, me maska, larg klasave, por bashke në klasat virtuale. Për shumë kohë tastet e tastierave na u bënë melodia e shpresës e përmes tyre merrnin e jepnim, jo vetëm dije, por mbi të gjitha humanizëm. Ditëve të zymta u munduam t’iu japim ngjyra.
Ia dolëm bashkë, me vullnet e forcën rinore tuajën për të mos u dorëzuar.
E sot në sfidën tuaj të fundit të maturës mbyllët një cikël studimesh të tejet të mundimshëm.
Thonë se gjërat e vështira e sfidat e mëdha i bëjnë njerëzit më të fortë. Forcën e fituar këto vite e paçi përherë për të ndjekur ëndrrat tuaja!
Për të ngritur zërin sa herë t'ju lindë nevoja e për të mos pranuar kurrsesi të jeni palë me mohimin e të drejtave dhe lirive.
Jini vetvetja dhe kini besim!
Shpeshherë gjërat e mëdha nisin nga hiçi.
Ju mund të jeni zëri i duhur i komunitetit, shoqërisë, vendit, ndaj mos heshtni!
Mos ikni kur të tjerët thonë se ky vend nuk bëhet më, sepse ju jeni potencial ndryshimi.
Qëndroni humanë me zemër e të drejtë me arsye dhe do të jeni kurdoherë të suksesshëm!
Nga Elsa Sula
Mësuese Gjuhë shqipe, shkolla jopublike “Sebastia” Laç, Kurbin
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu