Mësuesja Desela Nuredini: Maturantë, ju jeni vizionarët që mund ta bëni botën më të mirë!
E rëndësishme nuk është të jesh i njohur dhe të kesh famë, e rëndësishme është të ndihesh mirë nën petkat e atij qe t’u dha mundësia të jesh!
Kam menduar gjithmonë se të rinjtë janë ata të cilët “përqafojnë” ndryshimet, kërkojnë gjithmonë të jenë promotorët e lëvizjeve të cilat sjellin risi, duan të sfidojnë dhe të gjitha këto për të treguar se nëse i gjykojmë për moshën, gabohemi!
Në ditët e fundit të këtij viti shkollor, kam zbuluar se më shumë se kurrë maturantët, pavarësisht përballjes me Maturën Shtetërore, sfidë për të vendosur rreth së ardhmes së tyre, nuk harruan të sjellin pranë “vatrës së ngrohtë” që i priti për tre vite rresht punët me projekte të cilat kurrë nuk i konceptuan si “një notë e mirë” në vlerësimin e dosjes.
Pashë në punimet e tyre dëshirën për t’i mëshuar idesë se kanë vizion, ide dhe se mund të na tregojnë se ndoshta edhe një tërheqje vëmendjeje që mund të kemi kryer si mësues, ka sjellë reflektim dhe ndërgjegjësimin e tyre.
Bisedojmë me ta si mësues, dhe shohim se 15-vjeçarët e dikurshëm, ata të cilët të shihnin me dëshirë për të mësuar më shumë dhe me ankthin nëse do t’ia dilnin të arrinin aty ku dëshironin, nuk janë më! Të vendosur dhe me objektiva të veçanta të tregojnë me kënaqësi dhe pasion se dëshirojnë të bëhen mjekët e ardhshëm që shohin përtej ftohtësisë dhe kalkulimit të të ardhurave, inxhinierët që do të mund të rindërtonin edhe një shtëpi për dikë që ka nevojë, falas, artistët, të cilët fshehin brenda vetes shpirtin dhe e shfaqin atë në shumë dimensionalitetin artistik! Ndonjë prej tyre i ul edhe sytë, pasi ka zgjedhur të jetë një mekanik i thjeshtë, elektroaut, elektricist, kamerier, por ndërsa u rreh krahët e u thua se ia vlen pasi çdokush ka vendin e tij në shoqëri, i sheh teksa sytë u buzëqeshin që nuk i gjykon për zgjedhjen!
Kam kuptuar me kalimin e kohës se i gjykojmë të rinjtë për hapat e nxituar, vendimet e padrejta që kundërshtojnë idetë, e patjetërsueshme tonat, ndonjëherë, për bluzën që shpesh shërben dhe si “poster kundërshtimi” me ndonjë citim anglisht të tipit “Moving generation”.
Por mos harrojmë se si mësues ata na mësojnë se e rëndësishme nuk është të jesh i njohur dhe të kesh famë, e rëndësishme është të ndihesh mirë nën petkat e atij që t’u dha mundësia të jesh, mësuesit të cilit vitet i daltuan rrudhat, zbardhën flokët, por i mësuan se fama e vërtetë janë brezat që edukoi dhe rriti!
Rrugëtim të mbarë nxënësve të gjimnazit “Asim Zeneli” dhe maturantëve në mbarë Shqipërinë! Ju jeni vizionarët që mund ta bëjnë botën më të mirë!
Mësuese: Desela Nuredini
Gjimnazi “Asim Zeneli”, Gjirokastër
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Letër falenderuese mësuesit