Mësuesit: Ne kemi nevojë për trajnime
Mësuesit që ndoqën trajnimin për modulin “Mësimdhënia me kurrikulat e reja” japin opinionet e mendimet e tyre lidhur me informacionin që morën dhe se si do ndikojë kjo në orën e mësimit.
Modulet e miratuara nga IZHA në fusha të ndryshme të mësimdhënies gjatë këtij viti, kanë bërë që mësuesit të kenë mundësi të trajnohen dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre. Interes të lartë ka për mësimdhënien me kurrikulat e reja i cili është një ndër modulet që Shtëpia Botuese Albas ka fituar.
Qendra e Trajnimeve Albas ka organizuar trajnime për modulin “Mësimdhënia me kurrikulat e reja” në shumë qytete, ndër të cilat Vlora dhe Fieri. Menjëherë pas trajnimit, ne kemi biseduar me mësuesit për të ditur mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me trajnimin që zgjodhën të ndiqnin. Sa efektiv dhe praktik ishte për ta informacioni që morën, sa dhe si ka ndikuar ky trajnim në zbatimin kurrikulës dhe organizimin e orës së mësimit në klasë.
Arben Nukaj, mësues gjuhë-letërsie në shkollën 9-vjeçare "9-Dëshmoret", Fier; me një eksperiencë 16 vjeçare si mësues ka ditur shumë mirë të përshtatet e të vërë në zbatim reformat e reja në arsim përballë nxënësve të tij. Ai mendon se për mësuesit kërkues ndaj vetes e që mbajnë përgjegjësi kjo gjë nuk është e vështirë.
“Me kurrikulën e re isha i njohur. Më pëlqen që t’u paraprij risive duke qenë se kam dëshirë që sistemi ynë arsimor të përmirësohet dita-ditës. Unë jam çdo ditë përballë nxënësve të mi, të ardhmes së kombit tonë, e kjo më motivon për të ecur përpara”.
Mësues Arbeni, 44 vjeç, është optimist se arsimi do të ecë gjithnjë e më përpara nëse do të huazohen dhe do të vihen në praktikë metoda ndërkombëtare.
“Unë mendoj se duhet të huazojmë sa më shpejt metoda dhe praktika të reja arsimore, që mos të mbetemi pas. Duhen trajnime të tjera. Koha ecën dhe njeriu nuk duhet të ndalet, sepse fusha e arsimit ndryshon nga çasti në çast e ne mësuesit duhet të jemi të parët që duhet të jemi pro kërkesave të tilla”- tha mësues Arbeni, duke shtuar se: “Teknologjia e informacionit duke u gërshetuar me njohuritë letrare e bëjnë më tepër tërheqës mësimin për nxënësit. Jo të gjitha shkollat në vendin tonë i kanë kushtet, por kjo është diçka urgjente”.
Përsa i takon pjesëmarrjes së tij në trajnimin “Mësimdhënia në kurrikulat e reja” i zhvilluar, nga trajnerja Natasha Poroçani, mësues Arbeni është shprehur me nota pozitive: “Për trajnimet e zhvilluara nga ana e qendrës tuaj, Albas, jam tepër i kënaqur si për menaxhimin, ashtu edhe për organizimin, orientimin, studimin e temave etj. Për ne, mësuesit, materialet e sjella nga trajnerët tuaj janë tepër të dobishme sepse vijnë me shembuj praktikë”.
Viktor Mesutaj, mësues matematike në shkollën 9-vjeçare "Hekuran Maneku" tha: “Ndjej kënaqësi që kam marrë pjesë në këtë trajnim sepse si çdo gjë e re që zbatohet, në këtë rast kurrikulat e reja, ne kemi nevojë për qartësim dhe thellim të mëtejshëm”. Të njëjtin mendim ndan edhe bashkëshortja e mësues Viktorit, Etleva, e cila ka vite që punon si mësuese në arsimin fillor.
Më tej, mësuesja e gjuhë letërsisë në shkollën "Dertliu", Daniela Bango, na tregon se: “Për mua ishte një trajnim efektiv. Projekti kurrikular u shpjegua me mënyrat e reja për t’u vënë në zbatim sa më mirë. Nuk pati shpjegime vetëm se si të bëheshin plotësimet formale të dokumenteve për këtë çështje, por edhe se si mund të hartoheshin. Gjithashtu u njohëm me përfshirjen e teksteve digjitale. Të gjitha këto më kanë shërbyer që të përmirësoj punën time, por mendoj se duhen ende trajnime të tjera, në mënyrë që ne, mësuesit, mes njëri-tjetrit por edhe me trajnerët të shkëmbejmë eksperiencat tona”.
Të njëjtin mendim ndan me ne Mirela Gllava, mësuese e ciklit të ulët në shkollën 9-vjeçare "Lalar”: “Sjellja e risive nga trajnerët për zbatimin e kurrikulave të reja për mua është shumë i domosdoshëm. Sa më shumë të marrim dhe të japim eksperiencë aq më të kënaqur do të jemi. Ndaj i bashkohem shumicës së kolegëve të mi që në këtë drejtim të zhvillohen trajnime të tjera”.
Është pro shkëmbbimit të eksperiencave mësuesja Teuta Gjini: “Trajnimet me shembuj janë shumë të vlefshme për ne. Hapim diskutime. Pra ke mundësi të diskutosh më tepër me kolegët por edhe me trajnerët”.
Po çfarë i bën trajnimet e Qendrës Albas të dobishme për mësuesit?
Mësuesja e anglishtes Aida Allushi, e shkollës 9-vjeçare "Muço Delo" në Vlorë mendon kështu: “Ishte hera e parë që bënim një trajnim për kurrikulën e re në bazë situate, pra ishte diçka konkrete. U trajtuan tema të ndryshme, le të themi në formën e një workshop-i. Merrnim situata të ndryshme dhe i diskutonim ato. Ato orë trajnimi erdhën në formën më të thjeshtë, por ishin shumë të rëndësishme për ne”.
Mësuesit janë shprehur gjithashtu njëzëri se nxënësit e tyre kanë dëshirë të flasin e të bëhen pjesë e mësimit pa rregulla strikte, por duke vepruar, duke praktikuar orët mësimore në mënyrë që jo vetëm tekstet të jenë burim i të nxënit por edhe metodat argëtuese.
(Portali Shkollor)
Albas zhvillon trajnime me kredite në Fier
QTPA trajnim më 4 korrik, moduli “Ndërtimi i aftësive të të lexuarit”
Në datat 13-15 prill zhvillohen trajnime me kredite në Kukës