“Mësuesi VIP” nga Evans Drishti
Nëse bëni një studim të thjeshtë: Në ç’përqindje të pushuesve qëndrojnë mësuesit, kur flitet për resortet e njohura nëpër botë? Po kur bëhet fjalë për programet e ndryshme televizive për opinione dhe diskutime në tema të larmishme shoqërore? Po kur flitet për pozicione të tyre në pushtetin lokal apo qendror?
Të lodhesh një vit të tërë me mundime shpeshherë të pakonceptueshme duke u zhytur në mendime të thella në arritjen e ca kursimeve për ti krijuar vetvetes një lloj “komoditeti”…
Dikush në realizimin e ca kurseve, nëse ka “fatin” të jetë në fushën e lëndëve specifike të provimeve, në lëmin e gjuhës së huaj, të matematikës apo të letërsisë, duke ia mundësuar vetvetes hapësirën e mundimshme në arritjen e atij “komoditeti”.
Dikush në përpjekje për të realizuar një angazhim të dytë, përtej mësuesisë, me mundime e stërmundime, me orare që të gëlltisin e të përpijnë në labirintin e lodhjes që të çon drejt “këputjes”, vetëm e vetëm në realizimin dhe arritjen e një “komoditeti”.
Sa e arrin pikësynimin paga e një mësuesi të kohëve të sotme në arritjen dhe përjetimin e këtij “komoditeti”?
Mësuesi është një hulumtues që i duhet patjetër të vëzhgojë nga afër hapësira të shumëllojshme brenda dhe jashtë vendit të tij për të krijuar ide të qarta dhe të kuptueshme në rritje të vizionit dhe zhvillim të aftësive profesionale.
Sa e mundshme është kjo për t’u realizuar individualisht nga ana e vetë mësimdhënësit?
Mësuesi është një studiues që vihet gjithnjë në kërkim të avangardave duke u bërë një profesionist i angazhuar për të sjellë risi të shumta në fushat përkatëse në shkencat e ndryshme. Atij i duhet të shohë dhe të vëzhgojë nga afër hapësira të ndryshme muzeale, arkitekturore, historike e kulturore me qëllim krijimin e sa më shumë qasjeve dhe botëkuptimeve që e bëjnë atë më bashkëkohor, e për rrjedhojë edhe më profesionist.
Sa e mundshme është kjo për t’u realizuar individualisht nga ana e vetë mësimdhënësit?
Mësuesi është një intelektual i vendit, një bashkëpunëtor i ngushtë, një bashkëshort dhe një prind i përkushtuar, një mendjendritur dhe një kontribuues i mbarëvajtjeve të lidhjeve farefisnore e shoqërore. Është boshti qendror i zhvillimit jo vetëm të një grupimi shoqëror, por të një shoqërie të tërë.
Në këtë drejtim,
- sa e mundshme është për një mësues: të zhvillojë dhe organizojë takime të herëpashershme me grupime të ndryshme intelektualësh brenda dhe jashtë vendit të vet?
- të organizojë shëtitje të larmishme me rrethe të afërta apo edhe të largëta të farefisnisë së tij, nisur edhe nga vajtje – ardhjet e emigracionit?
- të zhvillojë pushime dhe shëtitje të larmishme brenda dhe jashtë vendit me familjarët e vet?...
Dikur,
është punuar për një kohë të gjatë për gjatë një viti ose edhe më shumë që në përfundim të realizohen pushime të një pesëmbëdhjetëditëshi duke mos synuar të shkohet shumë larg, për pamundësi ekonomike.
Po sot?
Sa i përfshirë është një mësues në kategorinë e shtresave shoqërore të ashtuquajtura VIP?
Nëse bëni një studim të thjeshtë:
- Në ç’përqindje të pushuesve qëndrojnë mësuesit, kur flitet për resortet e njohura në Antalja të Turqisë, në Itali, Gjermani, Francë, Angli, Greqi e më tej?
- Në ç’përqindje të të ftuarve qëndrojnë mësuesit, kur bëhet fjalë për programet e ndryshme televizive për opinione dhe diskutime në tema të larmishme shoqërore?
- Në ç’përqindje qëndrojnë arsimtarët, kur flitet për pjesëmarrje në konferenca të ndryshme shkencore, historike e kulturore brenda dhe jashtë vendit?
- Në ç’përqindje qëndrojnë arsimtarët, kur flitet për pozicione të rëndësishme dhe kyçe të pushtetit lokal apo qendror?
Mos harrojmë:
Janë pikërisht arsimtarët profesionistë:
- me eksperienca të gjata në punë mbi 10 apo 20 vjet,
- me angazhime të përhershme dhe të pandërprera,
- me punë kërkimore dhe studime tejet të admirueshme,
- me pjesëmarrje të shumta në trajnime të ndryshme qoftë brenda apo edhe jashtë profilit të tyre,
- me reflektime në qasje dhe botëkuptime tepër domethënëse në fushat e tyre përkatëse,
- me realizime të shkrimeve, botimeve, përkthimeve të larmishme duke krijuar një fond të gjerë dhe të pasur në zhvillimin shkencor e kulturor për vendin dhe shoqërinë,
- me idetë e tyre brilante në organizimin e shumë ngjarjeve brenda dhe jashtë institucionit arsimor apo edhe në bashkëpunim ndërinstitucional.
Janë pikërisht këta arsimtarë profesionistë, të cilët çdo vit nxjerrin me dhjetëra nxënës ekselentë të fushave të ndryshme si: në sport, në matematikë, në letërsi, në histori, në inxhinieri, në mjekësi, në arkitekturë, në art, në muzikë, në gastronomi, në artizanate etj.
Janë pikërisht këta nxënës qoftë në ciklin e Ulët, qoftë në AMU qoftë në AML, të cilët sjellin medalje të shumta në kompeticione të ndryshme në rang lokal, vendor, kombëtar apo ndërkombëtar duke ndërtuar kështu historinë shembullore të një epoke.
A nuk janë të gjithë këta produkte të angazhimit të palodhur të arsimtarëve profesionistë mendjendritur?
A nuk janë të gjithë këta produkte të orientimeve themelore të arsimtarëve profesionistë dhe gjithëpërfshirës?
Parë në këtë drejtim:
A nuk e meritojnë arsimtarët profesionistë të jenë pjesë e shoqërisë VIP?
Jo për të patur thjesht një emër të tillë, por përkundrazi, për të merituar vendin dhe pozicionin e duhur në institucionin ku shpalosin profesionalizmin e vet, për të merituar peshën dhe vlerën e duhur në shoqërinë ku jetojnë, për të marrë mbështetjen e duhur ekonomike e shpirtërore…
Duhet bërë një herë e përgjithmonë dallimi mes arsimtarëve, që janë mjaftuar me marrjen e një diplome universitare duke qëndruar duarlidhur, duke mos u impenjuar si dhe sa duhet, duke u mjaftuar me kryerjen e një ditari dhe vendosjen e disa notave dhe duke mos ofruar risi profesionale në zhvillimin e brezave të rinj,
dhe
profesionistëve të vërtetë arsimtarë, ku çdo ditë e tyre është një ditë ndryshe nga e djeshmja, ku ditë pas dite, e vit pas viti shfaqin zhvillime të ethshme profesionale duke sjellë inovacione me peshë në ndërtimin e epokave historike të arsimit dhe më gjerë.
Të tilla figura profesionistësh nuk kanë qenë të paktë në vendin tonë, të cilët kanë shënjuar epoka të historisë së arsimit dhe zhvillimit kulturor, por që fatkeqësisht as nuk jetuan si arsimtarë VIP dhe as nuk u mbështetën sa dhe si duhet në përpjekjet e tyre në emancipimin e shoqërisë.
Prandaj,
Le të shpresojmë sot, në 2024-ën, që arsimtarët profesionistë të marrin vlerën e tyre që u takon duke u trajtuar si intelektualë, njerëz të lartë dhe të rëndësishëm të shoqërisë, të pranishëm në arena të ndryshme politike, sociale e kulturore, mendjendritur dhe udhërrëfyes, ideatorë dhe orientues të brezit të ri dhe mbarë shoqërisë ku jetojmë.
Mos harrojmë:
Politikbërësi më i rëndësishëm i vendit është arsimtari profesionist.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
“Simbolika e një dhurate”
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?