Menduh Dërguti, një jetë kushtuar arsimit dhe veprimtarisë shkencore
Në jetë ndodh të takosh disa njerëz, të cilët janë kaq të thjeshtë, fisnikë dhe që, edhe pse kanë moshën për të pushuar nga gjithë ato vite punë, sërish janë kaq energjikë dhe të përkushtuar në atë që bëjnë...
Në jetë ndodh të takosh disa njerëz, të cilët janë kaq të thjeshtë, fisnikë dhe që, edhe pse kanë moshën për të pushuar nga gjithë ato vite punë, sërish janë kaq energjikë dhe të përkushtuar në atë që bëjnë. E një njeri i tillë: fisnik, modest, elegant në paraqitje dhe në sjellje, i papërtuar, studiues profesionist i historisë, metodist e didakt, është dhe profesor Menduhi, siç i thërrasim ne në zyrë.
Sapo hyn në zyrë, me gjithë mirësinë dhe elegancën që e rrethon, të ngjall respekt edhe pa e njohur. Të tillë ndjesi më ka lënë para 10 vjetësh, kur, teksa hyri në zyrë, na përshëndeti me atë shkodraçen e tij të lezetshme. U ul të punonim së bashku për një tekst historie dhe më shpjegonte me aq pasion paqartësitë që kisha unë për historinë tonë dhe veçanërisht për ilirët. Madje, dinte me koordinata të sakta gjeografike shumë nga qendrat historike të vendit tonë dhe të rajonit, sepse i kishte shkelur dhe prekur nga afër. Fliste dhe shpjegonte me aq pasion, sa, teksa e dëgjoje humbisje në epokën ilire dhe mbretërinë e tyre. Edhe nëse deri atëherë nuk të kishte pëlqyer kurrë historia dhe të dukej si një shkencë që merret me gjëra të vdekura, pasioni i profesor Menduhit i jepte jetë dhe të bënte ta doje këtë shkencë.
Te profesor Menduhi të tërheq niveli dhe përgatitja e lartë shkencore, informacionet e pasura që jep, argumentet bindëse për ide e ngjarje, elokuenca aq e këndshme e shprehjes, e mbushur me plot batuta të goditura dhe gjithmonë në funksion të përmbajtjes, që më mirë se çdo gjë tjetër, ngulitin njëri pas tjetrit konceptet historike dhe i bën ato të paharruara.
Përveçse autor i shumë botimeve shkollore dhe akademike, profesor Menduhi për shumë vite ka qenë pedagog e rektor në Universitetin e Shkodrës, studiues, ish-deputet etj. Ai është njohës i gjuhës italiane dhe angleze dhe, gjithashtu, mban me nder një numër titujt e dekoratash, si: Medalja “Naim Frashëri”, “Mësues i Merituar”, “Urdhri i Trimërisë” etj.
Veprimtaria botuese në tekstet shkollore të historisë, që në tërësi deri tani përfshin mbi 35 botime shkollore parauniversitare dhe universitare (tekste dhe fletore pune për nxënësit), si bashkautor dhe autor, vazhdon t’i zërë pjesën më të madhe të kohës.
Deri më sot, ai nuk është shkëputur asnjëherë nga hartimi dhe përgatitja e teksteve shkollore. Të gjitha tekstet shkollore të hartuara nga profesor Menduhi gjatë viteve 2004 e deri më sot në shtëpinë botuese “Albas” janë shpallur fituese nga Ministria e Arsimit dhe përdoren nëpër shkollat e arsimit parauniversitar.
“Arsimi meriton një hap të ri në rrugën drejt përmirësimit dhe rifitimit të vlerave”, është motoja e profesor Menduhit dhe kësaj motoje iu përkushtua fort për të ndërmarrë një hap të ri qoftë në punën e tij si rektor dhe pedagog, qoftë edhe si hartues tekstesh për nxënësit. Dhe përgatitja e tij shkencore shumë shpejt dhanë rezultate.
Profesor Menduh Dërguti shquhet gjithashtu edhe si redaktor shkencor, ku ka përgatitur për botim një sërë librash, si “Histori e kohës së re”, “Qytetërimi Perëndimor”, “Shkodra dhe motet” etj.
Profesor Menduhin e karakterizon vazhdimisht përgjegjësia e serioziteti, ndershmëria, paanshmëria në gjykimin e çështjeve dhe njerëzve, zemërgjerësia dhe toleranca, vendosmëria dhe drejtësia në ndjekjen e problemeve, prirja për t’u bërë mirë të gjithëve pa shkelur normat e parimet.
I uroj profesor Menduhit jetë të gjatë, shëndet të plotë dhe një falënderim të sinqertë për energjinë që arrin të transmetojë edhe te ne të tjerët që punojmë me të!
(Përgatiti:Sevi Agolli)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre