PROGRAMI PARAPRAK

Më 31 gusht nis mësimi plotësues në shkolla për fëmijët e shtresave vulnerabël, klasa I-V

Drejtorive të shkollave u është nisur një plan paraprak nga MASR në lidhje me programin plotësues mësimor që do të zhvillohet për nxënësit e shtresave vurnerabel, të cilët nuk patën akses në mësimin online. Ky plan, që vlen vetëm për klasat fillore të vjetshme, mbase mund të pasojë me ndryshime.

Zbatimi i programit plotësues për lëndët “Gjuhë shqipe” dhe “Matematikë”, në klasat 1-5


Mësimi në kushtet e shtëpisë dhe fëmijët nga shtresat vulnerabël

Mësimi në kushtet e shtëpisë gjatë periudhës mars-qershor 2020 bëri të mundur që pjesa më e madhe e nxënësve të vijojnë me realizimin e njohurive dhe të aftësive që kërkon kurrikula. Megjithatë ka nxënës nga shtresat vulnerabël ose nga zona të thella gjeografike, të cilët nuk mundën ta ndiqnin mësimin në distancë. 


Sipas sondazheve të organizuara nga MASR dhe ASCAP, rezulton që afërsisht 10000 fëmijë nga arsimi parauniversitar nuk kanë marrë pjesë në këtë mësim. Për t’u siguruar të gjithë fëmijëve, të drejtën për arsimim dhe barazi, MASR dhe ASCAP me mbështetjen e Save the Children, hartuan një program plotësues për nxënësit e klasave 1-5. 


Çështjet kryesore:

• Puna përgatitore që duhet të bëjnë shkollat për të zbatuar programin plotësues.

• Krijimi i klimës mbështetëse dhe inkurajuese për fëmijët gjatë zbatimit të programit plotësues.

• Kohëzgjatja e zbatimit të programit plotësues dhe orët mësimore që duhen zhvilluar në lëndën e gjuhës shqipe dhe në lëndën e matematikës.

• Planet mësimore për gjuhën shqipe dhe për matematikën.

• Metodologjia për zbatimin e programit plotësues.

• Mjetet mësimore.

• Dokumentacioni që mësuesit mund të mbajnë për arritjet e nxënësve dhe për frekuentimin e tyre gjatë zbatimit të programit.

• Raportimi i drejtorisë së shkollës në përfundim të zbatimit të programit plotësues.

Krijimi i klimës mbështetëse dhe bashkëpunuese me fëmijët

• Nxënësit mund të ndihen ende të stresuar e të frikësuar, të ndiejnë pasiguri dhe vështirësi në rifitimin e zakoneve dhe të shprehive përpara pandemisë. 

• Nxënësit duhet të përgatiten psikologjikisht për rikthimin gradual në jetën e mëparshme dhe largimin dalëngadalë nga rutina dhe zakonet e fituara gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë. 

• Nëse mësuesi ndien dhe kupton se ndonjë fëmijë, me gjithë përpjekjet e bëra ende shfaq shenja izolimi dhe ankthi, atëherë duhet t’i drejtohet psikologut për ta ndihmuar sa më shpejt.


Kohëzgjatja e zbatimit të programit plotësues

• Programi plotësues nis me datë 31 gusht dhe përfundon me datë 11 shtator 2020. 

• Në çdo klasë, përgjatë dy javëve do të zhvillohen 40 orë mësimore. 

• 20 orë mësimi janë për lëndën e gjuhës shqipe dhe 20 orë mësimi janë për lëndën e matematikës. 

• Çdo ditë do të zhvillohen 2 orë gjuhë shqipe dhe 2 orë matematikë. 

• Mësimi mund të fillojë në orën 8.00.

• Ora e mësimit do të jetë 45 minuta.

Programi plotësues

Programi plotësues ka dy pjesë: 

• Programi plotësues për lëndën e gjuhës shqipe, klasat 1-5

• Programi plotësues për lëndën e matematikës, klasat 1-5

Për secilën lëndë janë dhënë: 

• qëllimet e programit, 

• rezultatet e të nxënit të kompetencave kyç, 

• koha mësimore për çdo lëndë, 

• njohuritë dhe aftësitë sipas klasave,

• udhëzime metodologjike. 


Planifikimi i programit plotësues

• Për t’u ardhur në ndihmë mësuesve që do të zbatojnë programin plotësues, janë përcaktuar temat mësimore për të gjitha klasat dhe në të dyja lëndët.  

• Përcaktimi i temave është bërë duke marrë parasysh njohuritë dhe aftësitë kryesore në gjuhë dhe në matematikë, të cilat përkojnë me periudhën mars-qershor 2020. 

• Në çdo klasë janë përcaktuar 20 tema mësimore për gjuhën dhe 20 tema mësimore për matematikën.  

• Mësuesit janë të lirë të bëjnë ndryshime apo spostime të këtyre temave në varësi të specifikave dhe të nevojave të nxënësve. 


Metodologjia për zhvillimin e temave mësimore të programit plotësues

Orët e mësimit në gjuhë dhe në matematikë duhet të ndërthuren me:

• lojën, 

• situatat gazmore, 

• veprimtaritë krijuese, 

• bisedat, 

• tregimet, 

• përrallat, 

• ngjarjet dhe situatat pozitive, 

• këngët, 

• vizatimet, 

• kërcimet, 

• dramatizimet, 

• veprimtaritë sportive, 

• lojërat lëvizore etj.


Mjetet mësimore

• Për zhvillimin e programit plotësues mund të përdoren tekstet mësimore të gjuhës shqipe dhe të matematikës, me të cilat kanë punuar nxënësit gjatë vitit shkollor 2019-2020.  

• Në procesin e të nxënit mund të përdoren materiale nga interneti, libra nga biblioteka e shkollës, fletë pune, udhëzues të ndryshëm etj. 

• Këto materiale duhet të jenë të qarta, të sakta, me një gjuhë të kuptueshme, në përputhje me programin dhe nuk duhet të krijojnë mbingarkesë për nxënësit.


Dokumentacioni për frekuentimin dhe për arritjet e nxënësve

• Shkollat janë të lira të përcaktojnë vetë një miniregjistër, ku të shënojnë emrat e nxënësve që do të marrin pjesë në progamin plotësues, mungesat, temën, si dhe ndonjë shënim për arritjet e nxënësve. 

• Në përfundim të programit plotësues, mësuesi e dorëzon këtë miniregjistër në drejtorinë e shkollës. 

• Gjatë zbatimit të programit plotësues nuk do të ketë vlerësim me notë të nxënësve. Megjithatë gjatë gjithë procesit mësimor dyjavor, mësuesi do t’i motivojë nxënësit për të përmirësuar të nxënit e tyre. 

PROGRAMI PDF

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

11,776 Lexime
4 vjet më parë