Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, mbyllen çerdhet, shtyhet fillimi i vitit shkollor edhe për dy javë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbylljen e plotë të çerdheve ndërsa ka njoftuar shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor edhe për dy javë të tjera, pra deri më 26 shtator 2021. Ndërkohë MASHTI nuk e përjashton opsionin e mësimit online.
"Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri më datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar", thuhet në masat e reja që u diskutuan në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës.
“Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021”, thuhet në ndër pikat e masave të reja.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media teksa ka folur për masat e reja ka theksuar se ndër masat e reja është mbyllja e institucioneve parashkollore e qëndrimeve ditore, shtyrja e fillimit të mësimit për dy javë, ndalimi i mësimit me prezencë fizike në universitete. Po ashtu studentët për t’iu mundësuar regjistrimi në konvikt, duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik.
MASHTI nuk e përjashton opsionin e mësimit online
Zëvendësministrja e MASHTI-t, Edona Maloku Berdyna, ka deklaruar se mësimi online është opsion, mirëpo bazuar në humbjet e mëdha që janë shkaktuar, rikthimi në shkolla me prani fizike pas dy javësh do ishte veprimi më i duhur. “Mësimi online është njëri ndër skenarët që e kemi detajuar në udhëzues. Synimi ynë mbetet që megjithatë, rikthimi të jetë në shkolla dhe i sigurt. Mësimi online është opsion por duam që ky të jetë më tepër përjashtim nga vendimi sesa vendim”, ka thënë ajo para mediave.
Ministrja Nagavci për shtyrjen e mësimit
Procesi mësimor është vendosur të shtyhet edhe për dy javët e ardhshme, ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.
Përmes Facebook, Nagavci ka thënë se i ka informuar mësimdhënësit lidhur me rekomandimet e fundit të IKSHPK-së për shtyrjen e mësimit, duke thënë se të njëjtat do të respektohen për shkak të shëndetit.
“Me shpresë se pas dy javësh gjendja do të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç kishim planifikuar, pra me prezencë fizike, mësimdhënësve ju dëshiroj shumë suksese gjatë këtij trajnimi dhe në vitin e ri shkollor”, ka shkruar ajo.
“Dy vitet e fundit kanë qenë jo të lehta për arsimin. Të gjitha raportet në botë flasin se humbjet e shkaktuara në procesin arsimor si pasojë e pandemisë kanë qenë të mëdha e edhe viti i ri shkollor do të jetë me shumë sfida, andaj dhe duhet shumë punë, bashkëpunim e angazhim i të gjithëve për t’i kompensuar humbjet e përmirësuar rezultatet”, ka thënë Arbërie Nagavci .
Ministrja e Arsimit ka theksuar se do jenë në përkrahje të mësimdhënësve me qëllim të avancimit sa më të mirë të tyre.
Udhëheqës i Sindikatës së Arsimit, Jasharaj pro mësimit online
Udhëheqës i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, është deklaruar pro masave të parapara për shtyrjen e procesit mësimor. Ai i ka thënë për disa mendia në Kosovë se: “në rast që edhe pas dy javësh gjendja pandemike vazhdon të jetë e njëjtë, duhet diskutuar që procesi të kalojë në mësim online, në mënyrë që të mos ketë humbje të vazhdueshme”.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Hartimi i projektit kurrikular
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%