ESE

Lumturia/ Nxitja e humanizmit

Kultura në familje e në shoqëri, sjellja e prindit ndaj fëmijës dhe sjellja e fëmijës ndaj prindit, çojnë në lumturinë e njeriut. Ndërveprimi dhe bashkëpunimi në një komunitet duke identifikuar problematikat çon në zgjidhjen e tyre.

Drita (Gjaci) Topjana, mësuese



Titulli: Nxitja e humanizmit  

Tema: Lumturia

Abstrakti: Kultura në familje e në shoqëri, sjellja e prindit ndaj fëmijës dhe sjellja e fëmijës ndaj prindit, çojnë në lumturinë e njeriut. Ndërveprimi dhe bashkëpunimi në një komunitet duke identifikuar problematikat çon në zgjidhjen e tyre. E rëndësishme është që diçka që thuhet të bëhet realitet me vepra. Pasuria nuk është lumturia e njeriut, ka shumë njerëz të varfër dhe janë më të lumtur, se njerëzit e pasur, pasi ata mjaftohen dhe gëzohen me atë që kanë. 


“Humanizmi im është i lidhur me humanizmin tënd, prandaj mund të jemi njerëzorë vetëm së bashku.” - thekson Dezmond Tutu, lider Afrikan dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1984. Njerëzit e lumtur nuk janë ziliqarë, e kalojnë situatën stresante shumë lehtë ose nuk e ndjejnë fare, pasi për ata nuk ekziston stresi, i marrin gjërat shtruar dhe përballen me situatën, nuk janë egoistë, nuk kërkojnë lavde për vete kërkojnë të mirën e të gjithëve e sidomos të shoqërisë. Nëse në një shoqëri kemi ekstremitet njerëzish të pasur dhe ekstremitet njerëzish të varfër, aty nuk ka lumturi, sepse nuk mund të jetë i lumtur ai që i ka të gjitha, ndërkohë që fëmijës së fqinjit i mungon buka e gojës.  

“Gjej kohë për të menduar - është burimi i fuqisë.”

“Gjej kohë për të punuar - është çmimi i ardhmërisë.”

Fjalët kyç:  Jeta, sjellja, lumturia, humanizmi, ekstremiteti, kontrasti.


Hyrje: Ç`është lumturia? “Jeta është lumturi, shijoje". Lumturia është buzëqeshja e një fëmije, lumturia është e çara e një fëmije, lumturia është gëzimi në familje e kudo, lumturia është zbutja e një tragjedie në familje e kudo, “Jeta është tragjedi, zbute.” Lumturia është një ditë e bukur me diell, është një shëtitje në ajrin e pastër, është një vrap i lehtë në natyrë, është një trëndafil me erë të mirë, “Jeta është bukuri, admiroje.” është një ylber që del pas shiut, janë ngjyrat e tij që reflektojnë bukuritë e natyrës. Lumturia është dashuria në familje, “Jeta është dashuri, përjetoje.” është dashuria e motrës për vëllanë, është dashuria e vëllait për motrën, është një fjalë e ëmbël, është një buzëqeshje, është një puthje, është një parfum i ri, është diçka e re për një rast të veçantë, është një ditë ndryshe nga rutina e përditshme, është një kafe me shoqërinë. Lumturia është besimi e gëzimi në familje e me individin, është një ndihmë qoftë dhe me një fjalë goje, pasi fjala e rëndë të vret çdo ditë pak e nga pak, ndërsa fjala e ëmbël të motivon, të bën sikur ndihesh në qiellin e shtatë. Lumturia është një përqafim, është kënga jote e preferuar, “Jeta është himn, këndoje.” është një shtegtim dhe në shtegtim, është rrugëtim dhe jo vendqëndrim, nuk ka destinacion. 


Lumturi janë yjet që shkëlqejnë lart në qiell, janë lulëkuqet që valëviten nëpër lëndina, janë meteorët që shkëputen e shpreh një dëshirë, janë luledelet nëpër fusha, ku me to thur kurorë e kërkon të plotësohet një dëshirë. “Jeta është detyrë, kryeje.” Lumturia është një motivim që prindi e mësuesja i bëjnë fëmijës në shtëpi e në shkollë, është një inkurajim që e nxit atë të bëhet më i mirë, është medalja që meritojnë të aftët në fusha të ndryshme të jetës, është një përkujdesje e shtetit për shtetasit e tij, është një përkujdesje për të sëmurin, për skamnorin, për të paaftin, për ata me aftësi të kufizuara. Lumturia është një përkujdesje për jetën, për natyrën, për bukuritë e saj, për Florën, për Faunën, “Jeta është fshehtësi, zbuloje.” është një përkujdesje për rritjen e cilësisë së jetës në fshat e në sistemimin e tij, për uljen e ndotjes së ambjentit në qytet. E çfarë duhet të jetë më shumë lumturia?


Qëllimi i punës: Qëllimi i punës  është  mënyrat dhe roli që ka nxitja e humanizmit në shoqëri. Edukimi i brezit të ri duke i përfshirë të gjitha inteligjencat e fëmijës, individit në shkollë, në punë, në jetën e përditshme. Në fillim brezit të ri duhet t`u mësojmë sjelljen, pastaj dijet shkencore varen nga aftësia e shumë faktorëve së bashku, si përkushtimi dhe impenjimi i trinomit mësues - nxënës - prind, pa harruar infrastrukrurën dhe mjetet didaktike. 

“Shkenca i ka fshirë të gjitha largësitë! - theksonte Melhiadesi.”libri (Njëqind Vjet Vetmi fq. 5-6)

Objektivat: Motivon individin.  

                      Inkurajon individin.  

                      Vlerëson individin.                      


Pyetja kërkimore: A ndikon sjellja e njeriut (nxitja e humanizmit), në gjendjen shpirtërore (përmirësimin e jetës sociale)?

Hipoteza: Nxitja e humanizmit të jep mundësinë t`i shohësh  njerëzit me më shumë pozitivitet, si dhe ndikon në rritjen e mirëqenies sociale.

Zhvillim: Më njerëzorja, më e urryeshmja fjalë - është lumturia.

       Më e ëmbla, më e hidhura fjalë - është lumturia.

       Më e forta,  më delikatesa fjalë - është lumturia.

       Më e buta, më e ashpra fjalë - është lumturia.


“Mirënjohja është ndër çelësat për lumturinë. Burimi më i madh i lumturisë janë marrdhëniet ndërpersonale. Njerëzit e lumtur nuk jetojnë në Parajsë, nuk janë imunë ndaj problemeve, por vendosin të përqendrohen në aspektet e jetës që u japin atyre gëzim dhe kënaqësi. Njerëzit e lumtur kanë vendosur të ndryshojnë syzet, me të cilat vëzhgojnë botën dhe në vend që të përqendrohen në gjërat negative, ata preferojnë t`ju japin rëndësi gjërave pozitive.”  (Revista Psikologji)


Prindërit dhe edukatorët janë model frymëzimi dhe shembull sjelljeje, për lumturinë dhe edukimin e brezit të ri. Parajsën e krijoni me sjelljen tuaj, e keni në tokw mos  e kërkoni lart në qiell. Njeriu e ka vetë në dorë të kriojë parajsën e vet ose të zhytet në errësirë me paditurinë e tij.


E shijova lumturinë në të çarën dhe të qeshurën e fëmijës që rritej dita-ditës. E shijova lumturinë, në rritjen e shëndetshme të fëmijëve me përkujdesje nga prindërit dhe me shumë dashuri nga të afërmit e tyre. E shijova lumturinë, në syrin e një fëmije që falenderon prindërit për ekzistencën e tyre në jetën e tij. E shijova lumturinë në mendimet e një fëmije, i cili duke ecur flet me vete dhe thotë; “nganjëherë nuk e kuptoj as vetë sa të mirë jeni vërtetë.”  E shijova lumturinë në fjalët e një fëmije që kërkon barazi në familje, si në mendim ashtu dhe në vepra. E shijova lumturinë në lotët e gëzimit të një nëne, ku fëmija i saj e gjeti rrugën për në shtëpi. E  shijova lumturinë në gëzimin dhe buzëqeshjen e një babai të thyer nga mosha, rrethuar me nipa e mbesa zemrën ja ngrohën, i qetë do të pushojë.  


E ndjeva lumturinë në mendimin e brezit të ri, për të mos përbuzur njeriun, pavarësisht ngjyrës, shtresës, besimit të cilit i përket. E ndjeva lumturinë në bisedë e sipër mes anëtarëve të një familjeje, në respektin reciprok që mundohen si e si të ndihmojnë në përballimin e sfidave të jetës, ku përfshihen tre gjenerata.  E ndjeva lumturinë në fjalët e një fëmije, ku ngushëllon nënën e tij për shuplakat që i dha babai i dehur, për grushtet që mori natën vonë, për fyerjet që lëndojnë pa e ditur, se ku vrasin. E ndjeva lumturinë në gëzimin e një fëmije, se prindi i tij nuk do të marrë më rrugët e mërgimit dhe atij s`do t`i mungojë më dashuria dhe përkujdesja e çmuar e moshës. 


E lexova lumturinë në fytyrat e qeshura të fëmijve Down, se ata ishin më të lumtur se ai/ajo. Aty ai/ajo e kuptoi, se sa vlen paraja dhe se sa vlen dashuria që prindërit i japin atij/asaj, sa kohë kalojnë së bashku, sa buzëqeshje i dhurojnë. Në buzëqeshjen e akullt të tij/saj lexova varfërinë e shpirtit, por që rrethanat i kërkonin një fytyrë më të qeshur dhe ai/ajo këtë e përballoi shumë shpejt, me një kthesë pothuajse treqind e gjashtëdhjetë gradë, fytyra e tij/saj e qeshur ndriste nga gëzimi dhe optimizmi e pushtoi, buzëqeshje u dhuroi fëmijëve Down. 


E lexova lumturinë në fytyrat e prindërve autikë, se shoqëria do t`i shohë fëmijët e tyre me të njëjtin vështrim ashtu siç shohin fëmijët normalë, do t`u plotësohen kushtet nëpër shkolla, sidomos të kenë mësues ndihmës, që t`i udhëheqë, trajtojë, mësojë, drejtojë, t`i përfshijë në aktivitete gjë që është më kryesorja dhe më kreativja, t`i gjallërojë, që të mos izolohen dhe të mos mbyllen më shumë në vetvete, por t`i ndihmojmë që të hapin dritaren e jetës, të dalin  nga labirinthi ku i ka zhytur jeta. Dhe në këto aktivitete të përfshihen jo vetëm autikët, por të gjithë fëmijët dhe individët me aftësi të kufizuara. 


E transmetova lumturinë, në punën përkushtuese të edukatorit ndaj nxënësit të tij, në mbështetjen ndaj tij, në udhëheqjen, në modelin, në nxitësin, në bashkëpunuesin dhe në bashkëpunëtorin e tij. Në inkurajimin, në motivimin, në besimin dhe në vlerësimin për përgjigjet që i jep. E transmetova lumturinë, kur pas një lodhjeje dhe pune të vështirë merr frytet dhe rezultatet e dëshiruara, merr vlerësimin e duhur. E transmetova lumurinë në shkollë, në zhdukjen e politesës, ku nuk ka më diskriminim ndërmjet shtresave të pasura dhe të varfëra. E transmetova lumturinë në rrugë, kur dikush i zgjati një thelë bukë lypsit të vogël dhe i largoi urinë, nuk i dha një të sharë apo një të shtyrë më tutje, kur dikush i dha ujë dhe i shuajti etjen, kur dikush i kapi dorën dhe i fshiu lotët, kur dikush i dha strehë dhe e ktheu në normal si të tjerët, kur dikush i dha një përqafim dhe nuk ju duk vetja si jetim. “E vetme, pa mëmë, Olimbia nuk shijoi dashurinë mëmëtare; as këngët dhe melodirat e bukura që dalin natyrisht nga gjoksi i një mëme.” (Lulja e Kujtimit, fq. 53)


E gjeta lumturinë në rrugën e drejtë të rinisë, që mbrojnë vendin e tyre nga padrejtësitë. E gjeta lumturinë në mirëqenien sociale, që me aktivitetet e tyre largojnë lodhjen, stresin, obezitetin, të zgjatin jetën. E gjeta lumturinë në arsimimin e një vendi që me dijet e tyre, investojnë për të ardhmen, rrisin mirëqenien e shoqërisë. E gjeta lumturinë në drejtësinë e juristit, që kur gjykon  tjetrin luan rolin e empatisë. E gjeta lumturinë në veprat e një shteti, që kujdeset për shetasit e tij, për ushqim, strehë, punësim për ruajtjen e paqes nëpërmjet rritjes së harmonisë. 

“Lumturia tek  njerëzit e mençur është gjëja më e rrallë që unë njoh.”- thotë Heminguej.

“Kam mësuar ta kërkoj lumturinë duke i limituar dëshirat e mia më shumë se sa duke tentuar t`i përmbush ato.” - thekson  John Stuart Mill - filozof. Ndërsa Kennedy këshillon; “Mos pyesni çfarë mund të bëjë shteti për ju. Pyesni çfarë mund të bëjë secili prej jush për shtetin dhe vendin tuaj.” (Kennedy, 1962, fq. 108).


Konkluzione: 

- Nxitja e humanizmit ndikon në rritjen e gjendjes shpirtërore te njeriu dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale.

- E gjeta lumturinë në pastërtinë  dhe lirinë e ndërgjegjes së individit, ku ajo ndërgjegje e bën të ndjehet krenarë dhe të vazhdojë të jetojë i lirë si kurrë më parë. 

- Vlerësimi dhe inkurajimi rrit optimizmin, nxit kreativitetin. 

- Konkurset dhe trajnimet duhet të kthehen në metodë pune, të praktikohen, pasi janë harruar fare. Përse çdo dije duhet ta paguajmë me lek? 

- Televizori shqiptar duhet të japë çdo ditë konkurse shkollore, ose dhe konkurse ndërmjet shkollave, ajo është dhe një argëtim për shumë të rinj, rinia mësohet dhe me humbjen, dhe me fitoren, dhe me drejtësinë,  mësojnë dhe prindërit me këtë rast, rikujtojnë njohuritë.

- Fëmijët janë e ardhmja e një kombi dhe e ardhmja e kombit varet nga arsimimi.



Bibliografia

Spahiu, A., Gjergji, L., Zhiti, V., 2003, (Prishtinë; “Prograf”)  Teach Me To Love / Mësomë Të Dua,  Botues/Publisher  Rozafa - Prishtina, fq. 16, 20. 

Garsia Markes, G., 2000, Njëqind Vjet Vetmi, Tiranë,  Botimet Enciklopedike (fq. 5-6).

Postoli, F., 1991, Vepra Letrare 1,  Lulja e Kujtimit (Kap.1, fq. 53), Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Shtypshkronja re re.

https://www.google.al/webhp?sourceid=chrome-instant&ion=1&espv=2&ieUTF-8#q=desmond+tutu

https: //m.facebook.com>revistapsikologjia /Lumturia: si ta gjeni atë brenda vetes? prill 13. 2017

https://www.google.al/search?q=lumturia+shprehje&espv

http://filozofia.al/index.php/2017/04/05/john-stuart-mill-4/filozofia.al › Ballina › Thënie



Portali Shkollor

7,373 Lexime
5 vjet më parë