Vëzhgim

Kreditet e mësuesve dhe paqartësitë që hasen

Udhëzimi nr. 16, datë 22.7.2024, ka krijuar paqartësi te mësuesit për mënyrën se si do të ndodh procesi i zhvillimit të vazhdueshëm profesional, konkretisht se si do i plotësojnë kreditet e përcaktuara, sa kredite do të ketë një trajnim dhe si do të tariforen?

Udhëzimi nr. 16, datë 22.7.2024, “Për organizimin dhe funksionimin e sistemit të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë”, ka krijuar së fundmi mos qartësi sa i takon vështirësisë për t’u ndjekur nga ana e drejtuesve, por edhe për t’u kuptuar nga mësuesit që me të drejtë pyesin dhe interesohen se çdo të ndodh me ta.


Në këtë situatë ditët e fundit “një shoqëri” e paidentifikuar ka siguruar adresat e emailit të mësuesve dhe u kanë dërguar oferta për të botuar shkrime në revista të ashtuquajtura shkencore për t’u njohur si me kredite. Çmimi i tyre është vërtetë i kripur që shkon deri në 200 euro, ndërkohë që tarifat që MAS ka vendosur të jenë të barabarta me vlerën e kreditit të diplomës së nivelit të dytë!


Por si do të ndodh procesi i zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë në institucionet arsimore parauniversitare?


Qëllimi i zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë në institucionet arsimore parauniversitare është përditësimi i njohurive dhe zhvillimi i kompetencave të tyre profesionale, në mënyrë që t’u sigurojnë të gjithë nxënësve shërbim arsimor cilësor. 


Llojet e aktiviteteve të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë akreditohen dhe njihen me kredite nga Agjencia e Sigurimit së Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) duke i ndarë në dy kategori: të akredituara dhe të njohura me kredite.


Këto aktivitete zhvillohen në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, duke përfshirë trajnimet, mikrokredencialet, konferencat, botimet, seminaret, workshop-et, çmimet fituese në konkurse, olimpiada, kampionate.


Në nivel vendor, mësuesit mund të përfitojnë kredite në aktivitete e rrjeteve profesionale apo zhvillimi i brendshëm profesional brenda shkollës.


Aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë apo institucionet në varësi të MAS, si ASCAP, QSHA, AKAP dhe NJAV-të me anë të rrjeteve profesionale. Mund të ofrojnë aktivitete të zhvillimit të vazhdueshëm profesional edhe organizatat jofitimprurëse dhe subjektet e tjera që në statutin e tyre kanë objekt zhvillimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë.


Punonjësit arsimorë kanë detyrimin të trajnohen të paktën 3 ditë në vit ashtu sikundër përcaktohet në ligjin 69/2012 dhe duke i vlerësuar me 10 kredite nga aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional në vit. 80% e krediteve (8 kredite) duhet të jenë nga aktivitetet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të akredituara nga ASCAP-i në nivel kombëtar dhe 20% e krediteve (2 kredite) duhet të jenë nga aktivitete të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të organizuara nga rrjetet profesionale.


Ndërkohë ky udhëzim përcakton se të paktën 50% e krediteve (5 kredite) duhet të jenë të lidhura me aspekte metodologjike të zbatuara në fushën/profilin e mësuesit. Por mësuesit duhet të bëjnë kujdes pasi të paktën 70% e krediteve (7 kredite) duhet të jenë në aktivitete të drejtpërdrejta.


Udhëzimi ka fiksuar edhe tarifat për 8 kredite të cilat nuk duhet të jetë më e lartë se tarifa minimale e një krediti për ciklin e dytë të studimeve në fushën e mësuesisë, në institucionet publike të arsimit të lartë e dokumentuar me faturat përkatëse.


Akreditimi i aktiviteteve të zhvillimit të vazhdueshëm profesional kryhet nga ASCAP-i sipas procedurave të akreditimit dhe të njohjes së aktiviteteve të zhvillimit të vazhdueshëm profesional përcaktohen në udhëzuesin e posaçëm, të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i ASCAP-it.


Në shtojcën nr. 2, paraqiten kreditet sipas llojeve të zhvillimit të vazhdueshëm profesional ku botimet në revistë ndërkombëtare të sigurojnë si autor i pare, 8 orë ose8 kredite dhe si autor i dytë 4 orë ose 4 kredite.


Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin institucional të shprehen dhe të sqarojnë mësuesit se si do të ndodh ky proces realisht.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,675 Lexime
3 muaj më parë