BOTIM I RI

"Koni nuk ka më frikë nga virusi"- Doktor Pipero lexon për fëmijët

Shtëpia botuese "Albas" ka sjellë për fëmijët librin artistik "Koni nuk ka më frikë nga virusi", një botim artistik thuajse i pari në vendin tonë që trajton këtë problematikë, i cili u prezantua dhe u lexua për fëmijët nga vetë mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.

Shtëpia botuese "Albas" në bashkëpunim me kopshtin "Shalom" realizoi një aktivitet për fëmijët, për të kuptuar, luftuar dhe përballuar sa më lehtë situatën pandemike nga virusi "Korona".  


Gjatë këtij aktiviteti u prezantua dhe u lexua nga doktor Pëllumb Pipero libri artistik për fëmijët "Koni nuk ka më frikë nga virusi", botim i "Albas". 


Pandemia që preku këtë vit thuajse gjithë botën ndryshoi krejt papritmas jetën tonë të përditshme. Dhe kjo situatë nuk ka prekur vetëm të rriturit, por edhe fëmijët. Edhe ata mund të duhen të frikësuar apo të trishtuar nga ky virus i padukshëm që kërcënon jetët tona. 

Për të qenë më pranë tyre, për t'i ndihmuar ata të luftojnë frikën dhe të menaxhojnë emocionet e tyre, në mjediset e kopshtit "Shalom", mjeku infeksionist Pëllumb Pipero lexoi për fëmijët botimin më të fundit të shtëpisë botuese "Albas", "Koni nuk ka më frikë nga virusi". 


Ky libër i ndihmon vogëlushët, por edhe prindërit e tyre, se si mund ta përballojnë sa më lehtë këtë situatë pandemie në të cilën ndodhemi.

Ky libër, i shkuar në situatën kur ky virus pushtoi botën, u vjen në ndihmë fëmijëve të kësaj grupmoshe për ta përballuar më lehtë këtë situatë të pazakontë dhe jo të këndshme. 

Libri i ndihmon fëmijët ta kuptojnë dhe ta pranojnë gjendjen e shkaktuar virusi "Korona".  Në një mënyrë mjaft të këndshme dhe argëtuese, shpjegohet se si fëmijët mund ta mbrojnë veten, familjen dhe miqtë e tyre nga virusi "Korona" dhe si mund ta përballojnë sa më lehtë këtë situatë. 


Qëllimi i këtij aktiviteti mjaft të këndshëm, ishte që fëmijët të njihen me këtë realitet të ri jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht, që është edhe vetë qëllimi dhe motoja e shtëpisë botuese "Albas" dhe e kopshtit "Shalom". 

Doktor Pëllumb Pipero lexoi dhe shpjegoi për vogëlushët e këtij kopshti, se çfarë duhet të bëjnë ata në këtë situatë dhe se vetëm duke respektuar rregullat dhe duke përkrahur njëri-tjetrin ne do t'ia dalim. Nga vogëlushët e këtij kopshti pati edhe pyetje të këndshme, si:


- Po ti, xhaxhi doktori, a e ke takuar korona-virusin? Nxitur nga kjo pyetje, dr. Pipero u shpjegoi se e "takon" çdo ditë dhe përpiqet fort ta zhdukë atë nga njerëzit që ka prekur. 

Shtëpia botuese "Albas" ka në fokus gjithmonë fëmijët dhe kjo pasqyrohet edhe në botimet e saj, të cilat janë gjithmonë pranë botëkuptimit dhe problematikave të tyre. 



Përgatiti: S. LAMI

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,721 Lexime
3 vjet më parë