“Koço Devole”, libri kushtuar figurës më të madhe të humorit shqiptar nga publicisti Mitro Çela
Në nder të humoristit të madh Koço Devole, gazetari Mitro Çela ka publikuar librin me kujtime, teksa e trajton atë në formë bisede me gazetarin tjetër të njohur, Filip Çakulli. Libri ka pasur mjaft interes për lexuesit. Për këtë ne kemi zhvilluar një intervistë me autorin i cili rrëfehet pa doreza.
“Koço Devole” është libri më i ri i ALBAS i cili ka ngjallur mjaft interes te lexuesit për të njohur e për të kujtuar humoristin më të madh shqiptar, në këtë prag një vjetori të ndarjes nga jeta. Gazetari Mitro Çela ka publikuar librin me kujtime në ndër të humoristit të madh Koço Devole, teksa e trajton në formë bisede me gazetarin tjetër të njohur, Filip Çakulli. Publicistika ka pasur mjaft interes për lexuesit. Për këtë ne kemi zhvilluar një intervistë me autorin Çela, i cili rrëfehet për artistin dhe mikun e tij Koço Devole.
Në prag të një vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të aktorit të madh të humorit Koço Devole, ju Z. Mitro Çela morët iniciativën të shkruani një libër vërtet të veçantë në kujtim të figurës së tij. Si ju lindi ideja për të bërë këtë libër dhe çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin deri në finalizimin e botimit të tij?
Unë sa herë që shkruaj dhe çdo gjë që shkruaj e mendoj që një ditë të kthehem për t’i botuar. Edhe mesazhet, jo të gruas (qesh)...
Mesazhet me Koçon ishin mjaft interesante dhe më shumë u shtuan gjatë karantinës, meqenëse rrinim brenda. Kishte raste kur shkëmbenim edhe dy-tri mesazhe në ditë. Madje një ditë vetë Koço më tha: “Ore, Mitro, jo të gjitha janë bereqet. Por një ditë këto mund të mblidhen dhe mund të bëhen një libër, por varet se kush do të vdesë i pari.” I thashë se “po të zbatohet plani i Perëndisë, mbase të bie ty, por perëndia ndonjëherë mund të gabojë e mund të iki unë përpara”. Kjo ishte ideja e parë që më nxiti për të shkruar librin “Koço Devole”. Tani, përsa i përket finalizimit, për t’u “pjekur” libri patjetër kërkon ndihmë nga miqtë dhe dashamirësit. Filip Çakuli në fillim kur nisa librin më tha pa humor: “Kontributi i tyre na gëzon. Moskontributi na nderon”. Tashmë libri është gati. Falënderojmë miqtë e aktorit të madh, që nuk u kursyen për botimin e librit. Falënderojmë, gjithashtu, edhe dashamirësit që mbetën te premtimet, edhe pse një fjalë e urtë në ekonominë e tregut, thotë: “Miku, kur jep fjalën, ther djalin e komshijes”. Problem është kur komshija ka çupa!
Libri që ju keni shkruar është një intervistë e gjatë por jo e zakonshme, që ju keni zhvilluar me gazetarin e njohur Filip Çakulli për të përjetësuar emrin e Koço Devoles... Është një bisedë për mikun tuaj të ngushtë e të përbashkët... Janë kujtimet e vet personazhit për të cilin flitet... Në të shkruhen përshtypjet e artistëve të tjerë për të etj,... Të gjitha këto janë vërtet interesante se si ju i keni sjellë në një libër të vetëm... por është edhe e vështirë të përcaktosh zhanrin e librit? Si preferoni ta quani? Çfarë e dallon atë nga një libër bibliografik?
Koço Devole është një thesar aq i madh, për të cilin mund të bëhen disa libra, dikush mund të shkruajë Koço dhe filmi, dikush tjetër mund të shkruaj Koço dhe estrada, Koço skenarist, karikaturist etj., etj... Koçua qe i kompletuar. Filip Çakulli e vë Koçon në një rang të padiskutueshëm me humoristin më të madh shqiptar Qamil Buxheli. Libri që unë kam shkruar është një publicistikë pak më e zgjeruar. Është midis letërsisë dhe publicistikës. Unë nuk jam shkrimtar, edhe pse kam botuar disa libra. Por në fund të fundit të gjithë librat e mi janë publicistikë. Edhe ky libër i fundit i afrohet pak më tepër publicistikës, që ka të shtuar edhe dozat e humorit.
Në libër bie në sy shkrimi i detajuar dhe i qartë i kujtimeve për Koço Devolen. Madje libri nis pikërisht me bisedat që kanë të shënuar datën e saktë... I kishit të memorizuara disa prej tyre në telefon? A ishte e vështirë për ju të vendosnit se cilat biseda ose kujtime të përfshinit në këtë libër?
Unë mesazhet i kisha ruajtur. Teknologjia të jep mundësinë që të shënosh gjithçka, dhe të gjitha mesazhet në atë libër kanë një datë. Për shembull, unë në këtë libër kam futur dhe mesazhet gjatë kohës së karantinës. Dhe pikërisht për mua pjesa më interesante e librit është pjesa “mesazhe nga karantina” , sepse janë biseda të gjalla. Mua më intereson gjithmonë që kur shkruaj, të ketë një fakt. E para kjo; e dyta, unë nuk jam humorist i lindur, unë shpreh humor, por Koço ishte humorist dhe ai vetvetiu më nxiste mua që të shkruaja me humor.
Z. Çela në libër flitet edhe për detaje interesante nga jeta e aktorit Koço Devole, të pathëna për publikun më parë, të cilat menjëherë kanë bërë xhiron në internet, fill pasi libri doli nga shtypja. Po kështu aty bie në sy edhe kritika ndaj shtetit për mënyrën e përcjelljes së të ndjerit për në banesën e fundit. Si e kanë pritur familjarët e z. Devole botimin e këtij libri?
Kuptohet, familja është pjesa kryesore e një kryetari, burri të familjes, por për humoristin Koço ka edhe një familje të dytë, që janë miqtë e tij, me në krye Filip Çakullin. Ka 40 vjet me Filipin, natën e ditën shkruanin bashkë, kanë bashkëpunuar shumë. Fillimet kanë qenë që te revista “Hosteni”. Filipi shkruante, ai bënte karikaturat. Unë nuk i kam marrë lejen në fakt familjes së Koços, unë kam shkruar atë që kam menduar unë, sepse përveç Filipit që ka një jetë të tërë, edhe unë kam shumë vite miqësi me Koçon. Mëngjeset për në punë shkonim bashkë, pinim kafe bashkë, në punë bashkë, dreka-darka, shkonim me pushime bashkë, shkonim ndonjëherë në kazino... pra ai më shumë rrinte me ne, sepse familjen e tij e ka në SHBA, që në vitin 1998. Gjithsesi, ata takoheshin dy herë në vit. Rrinte një muaj me ta, por më shumë rrinte me ne.
Koço ka dy djem dhe një vajzë. U dërgova pesë kopje dhe djali që është në Itali më tha “super”! Pa të vërteta nuk ka humor, madje gjërat më të mëdha thuhen me humor. Gjithsesi, unë nuk do të hiqja dorë nga asgjë që kam shkruar aty.
Çfarë mbani mend ju nga Koço Devole, që e kujtoni tani me nostalgji?
Koço ishte aktor i madh, humorist i madh, regjisor, karikaturist, korrekt në punë, strikt, të gjitha i kishte... rrallë ndodh që një njeri t’i ketë të gjitha. Por për gjërat e veta nuk e nxirrte “qimen nga qulli”. Kujtoj një ngjarje këtu.
Do merrte pensionin special, që më në fund ia dha Rama. Dhe për këtë kishte shumë procedura. Do shkonim të takonim kryetarin e qarkut, një miku im, por që ishte dhe mik i Koços në njëfarë mënyre, sepse Koço normal që ishte i njohur publikisht dhe kush nuk donte ta takonte... Dhe unë i thashë: “Dëgjo, Koço, atje mos fol, se po fole ti i prish punët!”.
Shkuam te zyra e kryetarit dhe ai na priti, mua si mik e Koçon si perëndi. Hapi një shishe verë dhe tha “çfarë problemi keni?”. Ia shpjeguam dhe ai na tha “mos kini merak se e rregulloj unë”. Mirëpo Koço ndenji pak dhe tha: “Po specialistja ku është?”. Dhe unë i thashë: “Koço, të thashë mos fol se ne, normal, ishim me drejtorin, ç’na duhet specialistja!” (qesh). Ne kalonim bukur, çdo moment, çdo ditë bënim humor dhe tani na mungon. Kemi plot kujtime bashkë.
Ju ka mbetur ndonjë bisedë peng të cilën nuk e keni përfshirë në librin për Koço Devolen?
Koha për librin ishte pak e kufizuar dhe disa prej bisedave nuk i përpunova të gjitha, por kuptohet mesazhi është mesazh, ka një kuptim që mund të zgjerohet, por thelbi aty është te mesazhi. Unë dhe Filipi shkruajmë humor. Filipi ka një fantazi të shfrenuar, ai mund të shkruajë kudo, sepse i ka idetë. Por unë pa më ndodhur diçka, një mesazh, një ngjarje nuk e shkruaj dot. Kështu që gjithçka e kam shkruar bazuar në atë çfarë ka ndodhur.
Po përshtypjet e para të lexuesve që keni marrë për librin të sapobotuar, cilat kanë qenë? Ndërkohë duam dhe një përshtypjen tuaj se: A është ky libri që lexuesit ta bëjnë pjesë të bibliotekës së tyre për të njohur a për të kujtuar një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar, Koço Devolen?
Për fat të keq sot nuk lexohen libra. Madje Filipi thotë se, “kur i japin ndonjë libër, libri nuk është për ta lexuar, por është për ta futur poshtë ndonjë mobilie që lëviz”! Por si fillim të daljes së librit, interesi i lexuesve ka qenë tepër i madh. Kjo shihet edhe nga disa pjesë të librit që kanë hedhur në internet, në rrjetet sociale. Ndërkohë që nga shpërndarjet e para më kanë thënë që ka pasur shumë interes.
Njeriu shkruan që t’i lexojnë të tjerët. Kjo është kënaqësia. Dhe në përgjithësi që me daljen e librit njerëzit kanë pasur interes për të. “Sa e mora librin”, “E lexova librin”, “Ku ta blej librin”... këto kanë qenë mesazhet që më kanë dërguar shpesh këto ditë. Nuk pretendoj që lexuesit ta lexojnë librin nga fillimi deri në fund, por aty ka tregime e biseda të ndara që mund të lexohen.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dr.Kastriot Gjika: Dhjetë arsye pse duhet lexuar libri “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” të autoreve Dhurata Shehri e Persida Asllani
Sugjerimi i ditës - Libri “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”
Në stendën e Albas gjeni tituj për të gjitha grupmoshat