Kanali i Korfuzit apo kanali i Korfuzit?
Cila është trajta e saktë e këtyre emërtimeve: Kanali i Korfuzit apo kanali i Korfuzit? Gadishulli Ballkanik apo gadishulli Ballkanik? Gadishulli i Ballkanit apo gadishulli i Ballkanit?
Si t’i shkruajmë saktë emërtimet gjeografike a të një vendi me dy a më shumë fjalë?
Si duhet ta përdorim saktë shkronjën e madhe te këto emërtime gjeografike (kur nuk janë në fillim të fjalisë). Le të marrim disa shembuj për ta kuptuar më mirë.
Cila është trajta e saktë e këtyre emërtimeve (kur nuk janë në fillim të fjalisë)
- Gadishulli Ballkanik apo gadishulli Ballkanik?
- Gadishulli i Ballkanit apo gadishulli i Ballkanit?
- Kanali i Korfuzit apo kanali i Korfuzit?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të kujtojmë se si shkruhen emërtimet gjeografike me dy a më shumë fjalë.
ATËHERË, shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të një emërtimi gjeografik a të një vendi prej dy a më shumë fjalësh, përveç nyjës. P. sh.: Azia e Vogël, Drini i Zi, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Iberik, Gjiri Persik, Lëndina e Lotëve, Vau i Dejës, Qafa e Thanës, Mali me Gropa, Përroi i Thatë, Bjeshkët e Nemuna, Bregu i Fildishtë, Briri i Artë, Deti i Kuq, Deti i Vdekur, Fusha Mbret, Gropa e Shkodrës, Guineja e Re, Guri i Bardhë, Kepi i Gjelbër, Kepi i Shpresës së Mirë, Kodra e Kuqe, Kunora e Dardhës etj.
POR KUJDES! Emrat e përgjithshëm gjeografikë, si: breg, buzë, çukë, det, fushë, gadishull, grykë, ishull, kanal, kep, kodër, liqen, lumë, majë, tunel, ngushticë, përrua, qafë, qytet, shkretëtirë, shpellë; tropik, vargmal etj., kur nuk janë pjesë përbërëse e një emërtimi të përveçëm, por përdoren si përcaktues të një emri gjeografik ose përcaktohen prej tij, shkruhen me shkronjë të vogël: Dhe kemi: deti Adriatik, deti i Kinës Jugore, fusha e Korçës, fusha e Myzeqesë, gadishulli i Ballkanit, gryka e Këlcyrës, gjiri i Vlorës, ishulli i Korintit, ishulli i Sazanit, kanali i Korfuzit, kanali i Suezit, kepi i Rodonit, kroi i Zejmenit, liqeni Bajkal, liqeni i Prespës, lumi i Matit, maja e Korabit, ngushtica e Bosforit, ngushtica e Gjibraltarit, qafa e Llogorasë, shpella e Dragobisë, tropiku i Gaforres, vargmali i Andeve etj.
Atëherë, trajtat e sakta të emërtimeve të mësipërme janë:
Gadishulli Ballkanik - këtu fjala “gadishull” është pjesë e emërtimit, ndaj duhet gjithmonë me shkronjë të madhe.
gadishulli i Ballkanit - këtu fjala “gadishull” është emër i përgjithshëm gjeografik, ndaj duhet me shkronjë të vogël (gjithmonë kur nuk fillon fjalia me këtë emërtim).
kanali i Korfuzit - këtu fjala “kanali” është emër i përgjithshëm gjeografik, ndaj duhet me shkronjë të vogël (gjithmonë kur nuk fillon fjalia me këtë emërtim).
(Përgatiti: Sevi Agolli, Portali Shkollor)
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
DIGJITAL apo DIXHITAL?
Gabimet tona me përemrat “UNË” dhe “TI”