RAST SUKSESI

Ju prezantojmë maturantet që pranohen me bursë të plotë nga Universiteti i Massachussets Institute of Technology /MIT

Dy maturante të Gjimnazit Jopublik “Perla” në Vlorë, Aleksia Kolo dhe Seli Lulaj, të cilat pranohen me bursë të plotë nga Universiteti i Massachussets Institute of Technology. Suksesi i dy vajzave vlonjate nuk është i rastësishëm. Ja rrugëtimi i tyre...

Si të mos jesh krenar? 

Në këtë epokë tejet vulgare e të politizuar, të mbushur me sharje, fyerje, tallava, silikon e banalitete, si të mos jesh krenar kur dy nga nxënëset e tua nderojnë jo vetëm veten, familjet, shkollën, mësuesit, por krejt Shqipërinë.


Janë dy maturante të Gjimnazit Jopublik “Perla” në Vlorë, Aleksia Kolo dhe Seli Lulaj, të cilat kanë bërë atë që për mijëra të rinj të apasionuar pas shkencës, matematikës e fizikës do të ishte veç ëndërr. 


Janë pranuar me bursë të plotë nga Universiteti i Massachussets Institute of Technology /MIT në Boston- USA, në degët Inxhinieri Elektronike dhe Shkenca Kompjuterike.


Sot ato janë studente. Në një universitet, më të mirin në botë. Në MIT sivjet aplikuan për bursa 21.312 të rinj maturantë. U pranuan 1410, ndërsa shtetas joamerikanë fituan vetëm 100. Dhe nga këta 100 fitues, dy ishin nga Shqipëria dhe, pikërisht nga shkolla “Perla”


Dy nxënëse model në gjithçka, që do të bënin krenar gjithkënd. Dy nxënëse, të cilat pavarësisht suksesit, vazhdojnë të jenë të thjeshta e modeste. Që e dinë dhe e pranojnë se çelësi i suksesit të tyre veç punës së tyre të palodhur e të përkushtuar, është edhe investimi i familjeve, dashuria dhe lehtësirat e krijuara nga prindërit, por edhe puna e palodhur e mësuesve.


Për Aleksian dhe Selin, fitimi i bursës së studimeve në MIT, nuk është përfundimi apo kurorëzimi i përpjekjeve të tyre, por fillimi i një periudhe të gjatë studimi, përpjekjesh, mundi e përkushtimi që do t’u garantojë të ardhmen.


Por suksesi i dy vajzave vlonjate nuk është i rastësishëm. Ato kanë filluar që herët t’i përkushtohen matematikës dhe shkencave ekzakte.


Aleksia Kolo ka filluar të merret me Olimpiada që në klasë të dytë, në një Olimpiadë të organizuar nga shkolla “Udha e Shkronjave” derisa në klasë të katërt filloi të merrte pjesë në olimpiada shtetërore ku nga klasa e katërt deri në klasë të nëntë ka fituar vende të para në Olimpiadën e rrethit për matematikë. Në klasë të shtatë dhe të nëntë ka fituar vend të parë në Olimpiadën kombëtare të matematikës. Në klasë të shtatë dhe të tetë ka fituar çmim të parë në olimpiadën mbarëkombëtare të organizuar aga klubi i matematikanëve “Pascal”. Në klasë të nëntë ka fituar vend të parë në olimpiadën e rrethit të kimisë për klasat e dhjeta. Po në klasë të nëntë ka qenë pjesë e ekipit kombëtar që përfaqësoi Shqipërinë në olimpiadën e matematikës ballkanike për të rinj JBMO 2016. Në klasën e dhjetë ka fituar vend të parë në olimpiadën e matematikës dhe kimisë në rrethin e Durrësit si dhe çmim të parë në olimpiadën kombëtare të matematikës. Në vit të parë ishte pjesë e ekipit kombëtar që përfaqësoi Shqipërinë në Olimpiadën Evropiane të Matematikës EGMO 2017 zhvilluar në Zurich të Zvicrës dhe fiton çmim nderi “Honorable Mention”. 

Një vit më pas fitoi vend të parë në Vlorë për matematikë dhe vend të dytë për kimi dhe fizikë. Gjithashtu këtë vit u kualifikua si pjesë e ekipit kombëtar për evropianin e matematikës EGMO 2018 që u zhvillua në Firence, Itali, ku mori përsëri çmim nderi “Honorable Mention” ku veç 1 pikë e ndau nga medalja e bronzit. Olimpiada Evropiane, EGMO 2018: është një Olimpiadë evropiane me vende pjesëmarrëse nga e gjithë bota ku përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Brazili, Japonia, Australia etj... 

Aleksia ishte pjesëtare e ekipit kombëtar që përfaqësoi Shqipërinë në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës që u zhvillua në Serbi, në maj 2018. 

Në vitin shkollor 2018- 2019 veç çmimeve të para në Olimpiadat e matematikës, fizikës e kimisë në rang rrethi e kombëtar merr medalje bronxi në Ukrainë, vetëm 1 pikë larg medaljes së argjendit.


Seli Lulaj e ka nisur rrugëtimin e saj nëpër olimpiada në klasë të shtatë, ku fitoi vend të parë në rreth dhe të tretin në Republikë. 

Në klasë të tetë fitoi vend të parë në rreth dhe në Olimpiadën mbarëkombëtare të Plus-it. 

Në klasë të nëntë ka fituar në rreth dhe vend të parë në Republikë. Po këtë vit ishte anëtare e ekipit kombëtar që mori pjesë në olimpiadën ballkanike JBMO që u zhvillua në Rumani. Në këtë Olimpiadë mori medalje bronzi. 

Në klasë të dhjetë fitoi vendin e parë në olimpiadat e matematikës dhe fizikës në rreth, çmim të parë në matematikë dhe të tretë në fizikë në kombëtare. Ishte anëtare e ekipit përfaqësues në olimpiadën Evropiane për vajza EGMO në Zvicër dhe anëtare e ekipit në olimpiadën botërore IMO të zhvilluar në Brazil. Në këtë të fundit fitoi medalje nderi. 

Në vitin 2018 ka fituar çmim të tretë në olimpiadën kombëtare të matematikës dhe medalje nderi në olimpiadën evropiane për vajza EGMO që u zhvillua në Itali. Gjithashtu është pjesë e ekipit përfaqësues të Shqipërisë në olimpiadën ballkanike BMO në Serbi. 

Në vitin shkollor 2018- 2019, veç çmimeve kombëtare, medalje nderi në Ukrainë dhe në Olimpiadën e Anglisë, në Bath, përsëri medalje nderi “Honorable Mention”.

(Portali Shkollor)

14,539 Lexime
5 vjet më parë