Java e Parasë 2022 / Kushi për Edukimin Financiar: T’u mësojmë nxënësve si të fitojnë para me ndershmëri
Ministrja Kushi u shpreh se edukimi financiar në sistemin arsimor parauniversitar është një politikë e pandashme, nisur nga kurrikula bërthamë, me lëndën e qytetarisë në arsimin bazë, si dhe lëndën e ekonomisë në klasën e dymbëdhjetë.
“Java e Parasë” është një aktivitet që zhvillohet në shumë vende të botës dhe synon ndërgjegjësimin e nxënësve dhe të rinjve për rëndësinë e parasë, dhënien e njohurive mbi sistemin ekonomik e financiar brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në Muzeun e Bankës së Shqipërisë ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave Silvio Pedrazzi, si dhe drejtues të bankave të tjera që operojnë në Shqipëri, nxënës, mësues.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi u shpreh se edukimi financiar në sistemin arsimor parauniversitar është një politikë e pandashme, nisur nga kurrikula bërthamë, me lëndën e qytetarisë në arsimin bazë, si dhe lëndën e ekonomisë në klasën e dymbëdhjetë.
Ajo tha se shoqëria shqiptare duhet të punojë akoma më shumë për t’i dhënë parasë vendin e duhur dhe vlerën e duhur.
“Duke edukuar nxënësit apo të rinjtë në aspektin financiar, ne ndihmojmë gjithë shoqërinë. Ne përmirësojmë mentalitetin dhe sjelljen që kemi ndaj parasë. Kjo nënkupton se ne nxënësit i edukojmë se si t’i shpenzojnë paratë por edhe si t’i kursejnë. Ne i edukojmë nxënësit si të fitojnë, por si të fitojmë në mënyrë të ndershme. Si të ngrenë një biznes, por si të ngrenë një biznes të ndershëm” – u shpreh Kushi.
Një theks të veçantë ministrja Kushi i dha edhe edukimit financiar të nxënësve për sa u përket fenomeneve negative që lidhen me paranë, si korrupsioni, pastrimi i parave apo evazioni fiskal.
“Unë i falënderoj Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave, por ndërkohë dua të ftoj të gjitha sipërmarrjet dhe bankat e tjera që të bëhen pjesë e kësaj fushate të madhe për ndërgjegjësimin jo vetëm të nxënësve, të rinjve e të rejave, por të të gjithë shoqërisë” – tha ministrja.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Hartimi i projektit kurrikular
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%