Broshurë për mësuesit dhe për drejtuesit e shkollave

Oficerët e sigurisë në shkolla

Qëllimi i kësaj iniciative të përbashkët është garantimi i një mjedisi të nxëni të sigurt për nxënësit, stafin dhe komunitetin e shkollës. Përfshirja e oficerit të sigurisë në shkollë synon rritjen e sigurisë përmes mbështetjes dhe ndërveprimit.

Një program për sigurinë në shkollë 

Siguria në shkollë është një element thelbësor i parandalimit të dukurive negative, si brenda ashtu edhe jashtë mjediseve të shkollës. Lufta kundër dukurive të tilla, si episode të dhunës, përdorimi i drogave dhe substancave abuzive, dukuria e bulizmit, siguria fizike në shkolla etj., janë prioritet i Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe i Ministrisë së Brendshme.


Qëllimi i kësaj iniciative të përbashkët është garantimi i një mjedisi të nxëni të sigurt për nxënësit, stafin dhe komunitetin e shkollës. Përfshirja e oficerit të sigurisë në shkollë synon rritjen e sigurisë përmes mbështetjes dhe ndërveprimit me aktorët e shkollës.


Përfitimet e programit për shkollën


• Rrit sigurinë në shkollë dhe përreth saj. 

• Vendos theksin në zgjidhjen e problemeve dhe në parandalimin e tyre. 

• Siguron përgjigje të shpejtë ndaj problemeve/çështjeve dhe zgjidhje të vazhdueshme të tyre. 

• Nxit ndërveprimin e nxënësve dhe të rinjve me policinë, si dhe rrit besimin dhe komunikimin me të. Siguron formën më të mirë të mundshme të policimit të komunitetit.


Çfarë janë oficerët e sigurisë në shkollë? 

Oficerët e sigurisë në shkollë janë burime të vlefshme të shkollave për krijimin e një mjedisi të sigurt, përmes ndërtimit të marrëdhënieve të forta e të qëndrueshme me nxënësit, stafin e shkollës, prindërit dhe komunitetin. Ato janë të përgatitur dhe të trajnuar për të përmbushur rolet e tyre.


Oficerët e sigurisë në shkollë përmbushin disa role.


Si oficerë të zbatimit të ligjit:

• parandalojnë dhe menaxhojnë rastet e krimit dhe të dhunës në shkollë, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e nxënësve për rregullat, autoritetin dhe drejtësinë;

• punojnë ngushtë me drejtorinë e shkollës dhe me stafin e saj për parandalim dhe ndërhyrje në rastet e thyerjes së disiplinës, për menaxhimin e krizave dhe në rastet e emergjencave etj.;

• shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet policisë, të rinjve dhe shkollës.


Si këshillues për ligjin dhe sigurinë:

• shërbejnë si partnerë dhe këshillues të administratës së shkollës;

• evidentojnë, raportojnë dhe, në bashkëpunim me psikologun e shkollës ndërmjetësojnë situata konfliktuale brenda mjediseve të shkollës;

• u ofrojnë prindërve asistencë për zgjidhjen e situatave të ndryshme dhe për menaxhimin e konflikteve.


Si edukatorë:

• marrin pjesë në takimet me prindër dhe në takime periodike të stafit pedagogjik të shkollës për evidentimin e problematikave dhe diskutimin e zgjidhjeve për sigurinë në shkollë;

• në mënyrë periodike, zhvillojnë leksione ose biseda me nxënësit, me qëllim ndërgjegjësimin rreth dukurive dhe kërcënimeve të mundshme, si dhuna, substancat narkotike, trafikimi, siguria fizike nga zjarri etj.;

• shërbejnë si modele rolesh pozitive për nxënësit dhe edukojnë vlerat e sistemit tonë ligjor.


Vëmendje! Oficerët e sigurisë në shkollë:

• nuk zëvendësojnë rolin e mësuesit në lidhje me përkujdesjen, mbikëqyrjen, sigurimin e disiplinës, rregullit dhe sigurisë në klasë, në shkollë e jashtë saj;

• nuk ndërmarrin masa disiplinore në shkollë, por raportojnë çdo shkelje të disiplinës së shkollës pranë administratës së shkollës;

• nuk zhvillojnë kontrolle fizike apo të mjediseve, përveç rasteve të emergjencave dhe vendimit nga administrata e shkollës.


Me cilët aktorë ndëvepron oficeri i sigurisë në shkollë?

Oficeri i sigurisë në shkollë komunikon dhe ndërvepron me nxënësit, mësuesit, psikologun dhe punonjësin social të shkollës, drejtuesit, prindërit, komunitetin e shkollës, Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit.


(IZHA, Portali Shkollor)

13,066 Lexime
6 vjet më parë