Intervista e Blendi Fevziut në stendën e Albas, gjatë promovimit të librit “Miniguida e Tiranës”
Është promovuar libri i Blendi Fevziut “Miniguida e Tiranës”, botuar nga ALBAS. Fëmijët e pranishëm shprehën dëshirën të mësonin diçka më shumë rreth hisotorisë së Tiranës. Por të vegjëlit ishin kureshtarë të njihnin edhe më shumë autorin e librit.
Moderatori i njohur shqiptar, Blendi Fevziu, zgjodhi të promovonte librin e tij të ri “Miniguida e Tiranës” përballë atyre që u dedikohet, fëmijëve. Të vegjëlit e pranishëm në stendën e shtëpisë botuese ALBAS, shprehën dëshirën të mësonin diçka më shumë rreth historisë së Tiranës. Por ata gjithashtu ishin kureshtarë të njihnin edhe më shumë autorin e librit. Më poshtë kemi sjellë disa pyetje-përgjigje nga aktiviteti tepër i veçantë dhe mjaft emocionues për të pranishmit.
(Pyetje të lira nga fëmijët, përgjigjet nga autori i librit “Miniguida e Tiranës”).
Si iu vendos emri kryeqytetit?
Blendi Fevziu: I mahnitur nga bukuria e fushës, gurgullima e kroit dhe hija e rrapeve, Sulejman Pasha donte të mësonte emrin e vendit ku ndaloi kalin. Ai iu afrua gruas së moçme të ulur në hije, që po tirrte dhe e pyeti:-si quhet ky vend? Plaka si duket e dëgjoi gabim, kujtoi se e pyeti se çfarë po bënte dhe u përgjigj:-po Tir-anë* (*anë-fill mëndafshi a pambuku). Sipas legjendës nga ky dialog i keqkuptuar mes Sulejman pashë Bargjinit dhe plakës, mori emrin qyteti i Tiranës.
Pse Tiranën e quajmë të të gjithë shqiptarëve, sepse kemi qejf apo është me të vërtetë e të gjithë shqiptarëve?
Blendi Fevziu: Tirana është qendra e Republikës së Shqipërisë dhe vendi që ka aktivitet më të mëdha mbarëshqiptarëve kulturore, historike artistike.
A keni ndonjë mesazh për fëmijët dhe të rinjtë, për çfarë duhet të kujdesen ata sot por edhe në të ardhmen, sa i përket vendit ku po jetojnë, Tiranës, qyteti që do të na fusi në Evropë?
Blendi Fevziu: E para duhet ta doni qytetin, duhet të jetoni me të; e dyta, duhet të ruani traditën e qytetit. Natyrisht ju duhet të bëheni edhe pjesë integrale e tij. Sa më shumë të bëheni pjesë integrale e tij, aq më shumë ai do të ecë përpara.
Cilat kanë qenë lëndët e tua më të preferuara?
Blendi Fevziu: letërsia dhe historia.
Me cilin parardhës krenoheni më shumë?
Blendi Fevziu: Me Ismail Qemalin.
Sa libra lexoni në javë?
Blendi Fevziu: Varet, nuk i numëroj, sepse ka javë që nuk prek libër me dorë nga ngarkesa, por zakonisht dhe minimalisht lexoj dy orë ose dy orë e gjysmë në ditë.
Si të lindi dëshira për të shkruar?
Blendi Fevziu: Se di, u zgjova një mëngjes dhe më lindi dëshira për të shkruar!
Sa libra ke lexuar?
Blendi Fevziu: Si kam numëruar asnjëherë, por janë shumë shumë. Është një bibliotekë e tërë në shtëpinë time.
Libri më i bukur për fëmijë, cili është?
Blendi Fevziu: Ka shumë libra të bukur për fëmijë, por unë po ju sugjeroj një që mbase nuk e njihni. Quhet “Tregime të moçme shqiptare”. Është një libër i jashtëzakonshëm, i përshtatur nga Mitrush Kuteli.
Miniguida TIRANA" çel serinë e guidave të qyteteve shqiptare për fëmijë nga ALBAS, që do të vazhdojë me Prishtinën, Shkodrën, Gjirokastrën, Korçën etj. Ky libër nuk është thjesht një udhërrëfyes turistik, pasi qyteti ka plot gjëra për të treguar dhe për të zbuluar: legjendat dhe historitë, figurat e shquara të shkuara dhe të sotme, e plot vende e thesare të trashëgimisë sonë, aq tërheqëse për fëmijët tuaj.
(Portali Shkollor)
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri