“Ideja që lumturia është e përkohshme më shkakton dhimbje”
"Çfarë është lumturia pa rrugëtimin, pa luftën dhe pa mundimet për ta arritur atë? Për çfarë do të jetonim, nëse do ishim gjithmonë të lumtur? Lumturia është arsyeja pse jetojmë, por vuajtja... vuajtja është vetë jeta."
Lumturia. Arsyeja pse jetojmë. Qëllimi final që duam të arrijmë pas vuajtjeve dhe lodhjeve të mëdha.
Lumturia është mali më i thepisur në Univers... sa e ngjit...kap majën... rrokullisesh prapë poshtë, vetëm për të filluar nga e para.
Mënyrat e arritjes së lumturisë janë menduar tejmase nga filozofë, autorë, sociologë, që nga Epikuri i lashtë grek, deri te De Rada e Sartri.
Por për mua lumturia arrihet në një mënyrë tjetër. Lumturia vjen tek unë në formën e këngëve tri minutëshe që dëgjoj në çaste të caktuara të ditës. Në momentin që unë vendos kufjet, çdo hall, çdo stres, çdo vuajtje zhduket dhe unë zhytem në botën e lumtur të notave dhe melodisë, duke harruar gjithçka.
Por kur mbarojnë tri minutat, është radha e rënies së dhimbshme nga mali i lumturisë. Por ajo dhimbje është gjithsesi plot shpresë dhe e ëmbël, pasi e di që do të vijë përsëri çasti kur do të vë kufjet dhe do të futem edhe njëherë në gjendjen e mpirë dhe të dehur nga lumturia.
Deri atëherë duhet të durohen streset, hallet, padrejtësitë dhe tragjeditë, sepse jemi njerëz. Pa vuajtje, s’do të kishim art, muzikë, shpikje, sport, filozofi, letërsi, shkencë, por mbi të gjitha, s’do të kishim qëllim.
Çfarë është lumturia pa rrugëtimin, pa luftën dhe pa mundimet për ta arritur atë? Për çfarë do të jetonim, nëse do ishim gjithmonë të lumtur?
Lumturia është arsyeja pse jetojmë, por vuajtja... vuajtja është vetë jeta.
Ardit Drishti, kl.XI-2
Gjimnazi “Ernest Koliqi”, Tiranë
(Portali Shkollor)
Ese: Mjedisi dhe njeriu
“Do të më mungojë zilja e mësimit, gumëzhimet e shkollës...”
“Çelësi i suksesit të një drejtuesi është puna”