Fiqiri Çifliku: Matura shtetërore dhe nevoja urgjente për ndryshim!
Në vijim po paraqes një propozim konkret, që nuk synon vetëm amortizimin e presionit gjatë zhvillimit të provimeve, eleminimin e aspekteve negative të konstatuara dhe kufizimin për marrjen e rezultateve të pamerituara nga disa.
Nga Fiqiri Çifliku
“Vlerësimi i njohurive nuk është vetëm për të matur atë që dimë, por për të ndihmuar në rritjen e atyre që mund të mësojmë.” - Albert Einstein
Matura Shtetërore (MSh) është një sistem vlerësimi (vetëm me shkrim) me provime përfundimtare të nxënësve në përfundim të shkollës së mesme, e aplikuar për herë të parë në vitin 2005. Synimi i saj është kategorizimin e nxënësve sipas vlerave dhe shihet si mënyrë për vlerësimin e jashtëm të shkollave në nivel kombëtar.
Vit pas viti, procesi i MSh është shoqëruar me kundërshti, me ankesa e me kritika të shumta nga nxënës, prindër dhe mësues. Vështirësi në organizimin dhe zhvillimin e provimeve, dalje e testeve në rrjete sociale apo në ambjentet e jashtme përpara përfundimit të provimit, përdorimi i pajisjeve digjitale gjatë zhvillimit të provimit duke stimuluar kopjimin masiv, kanë deformuar rezultatet reale të nxënësve. Maturantët shpesh mbeten të pakënaqur me hartimin dhe vlerësimin e testeve, sidomos të letersisë, për shkak edhe të subjektivitetit që kjo lëndë përmban. Procesi i provimeve të MSh kritikohet gjithashtu edhe nga ana e mësuesve për mbingarkesë gjatë zhvillimit të tyre, rritje e presionit nga nxënësit e prindërit, për mos vlerësim, për mungesën e pagesës për një shërbim shtesë që i ngarkon edhe me përgjegjësi të madhe. Shpesh mësuesit kërkojnë të shmangin pjesëmarrjen në këtë proces me forma nga më të ndryshme.
Nisur nga komentet, vëretjet, ankesat apo sygjerimet, ky format duhet të pësojë ndryshime rrënjësore në kohë sa më të shpejtë për të mos lejuar deformimin e rezultateve të nxënësve krahasuar me rezultatet e viteve të shkollimit. Vitin e kaluar në MAS u diskutua fort gjatë procesit të MSh, për të kryer një reformë thelbësore për mënyrën e zhvillimti të provimeve. Për këtë u ngrit edhe një grup pune i posaçëm, por ndryshime thelbësore nuk pati. U mjaftua “reforma”, vetëm me vendosjen e theksit tek forcimi i procesit të mbikqyrjes, ditën e provimit që për hir të së vërtetës është si një spirale ciklike, rëndom del testi gjatë provimit, kopjuan nxënësit, etj., etj.
Ka ardhur momenti që MAS të ndalet me seriozitet për të rishikuar me të vërtetë mënyrën e organizimit të provimeve të MSh, për të pasur rezultate reale, të pakontentueshme, të drejta për çdo nxënës pjesëmarrës.
Në vijim po paraqes një propozim konkret, që nuk synon vetëm amortizimin e presionit gjatë zhvillimit të provimeve, eleminimin e aspekteve negative të konstatuara dhe kufizimin për marrjen e rezultateve të pamerituara nga disa. Ky propozim e ndan procesin në dy etapa:
a) Vlerësimi brenda shkollës, përfundon me pajisjen e nxënësit me një certifikim të nivelit bazë.
b) Testi i aftësisë, instrument vlerësimi për pranimin në universitete dhe si sondazh për cilësinë e sistemit arsimor në tërësi.
Vlerësimi brenda shkollës kryhet nga komisionet shtetërore të ngritura në nivel vendor, me mësuesi të shkollës dhe një përfaqësues nga zyra vendore. Në këtë proces nxënësit i nënshtrohen tre provimeve të detyruara (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e Huaj) të shoqëruara me një provim formimi, me gojë. Mund të jetë një temë ose një projekt që mbrohet para komisionit shtetëror. Në përfundim të provimeve dhe mbrojtjes së tezës me gojë, nxënësit i konsiderohet i përfunduar arsimi i mesëm i lartë dhe është i gashëm për tregun e punës, nëse nuk dëshiron të vijojë arsimin e lartë.
Ndërkohë testi i aftësisë, ose testimi i informatizuar duhet do të jetë hallka e ndërmjetme për vlerësimin e nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë dhe dëshirojnë të vijojnë formimin universitar. Ky proces duhet të organizohet dhe të vlerësohet nga një institucioni i jashtëm, mund të jetë QShA apo RASh. Në vitin 2023 për pranimet në degët e universitetit të mjekësisë u zbatua modeli i testimit të informatizuar dhe rezultoi i suksesshëm, përveç faktit se nxori në pah diferenca të mëdha (në ulje) midis mesatares së shkollimit, mesatares së notave të provimeve të MSh dhe vlerësimit të testit të informatizuar.
Në këtë proces duhet bërë kujdes për të harmonizuar vlerësimin e fazave të ndryshme të shkollimit me efektet që do të kenë në mënyrën e përllogaritjes së pikëve për pranimet në universitet. Ky vlerësim mund të shprehet në përqindje për secilën etapë. Një skemë e mundshme pranimi mund të jetë ndarja e peshës në 30% për notën mesatare të shkollës, 20% për notën mesatare të vlerësimit brenda shkollës, 20 %, mesatarja e grup lëndëve në vitet e shkollimit, sipas kritereve të universitetit dhe 30 %, mund të ketë nota e testit të informatizuar, sipas grupeve të lëndëve për pranim.
Sigurisht ky proces duhet të futet sa më shpejtë në agjendën e diskutimeve të MAS, me ekspertë në nivel kombëtar, për të pasur dakordësi në një reformë që do të garantonte sukses dhe barazi.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?