Evropë apo Europë?
Pse sot hasim dy trajta të kësaj fjale? Ku qëndron ngërçi, që kemi një dyzim të kësaj fjale? Në fakt, cilën duhet të marrim si trajtë të saktë? Merrni përgjigjen e duhur në këtë shkrim!
Kjo është një ndër ato fjalë apo çështje gjuhësore, që, me të drejtë, ka ngritur shumë diskutim te dashamirët e gjuhës shqipe dhe jo vetëm. “Kushtetuta jonë gjuhësore”, pra “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” i vitit 1972, ka miratuar trajtën me “ev”, pra “Evropë”. Kjo trajtë i përgjigjet shqiptimit të greqishtes (Evropi) e, deri diku, edhe të turqishtes (Avrupa), si dhe të gjuhëve të tjera fqinje ballkanike (bullgarishtja, serbishtja etj.). Prandaj kjo trajtë fonetike “Evropë” u përhap në mbarë shqiptimin popullor. Mbi këtë bazë u pranua edhe në gjuhën e shkruar dhe kjo u pasqyrua te “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Por, ndërkohë, në gjuhën shqipe kanë hyrë shumë fjalë të reja me këtë temë, që sidomos në shkrim po përdoren me grupin “eu” dhe jo me “ev”. Sot shqiptojmë dhe shkruajmë: euro, euroatlantik, europarlamentar, eurodeputet, Euratomi, Euroazia, Eurovizion etj.
Pra, ngërçi për trajtimin e dyzuar të kësaj fjale lind, sepse:
a) së pari, në “Drejtshkrimin” dhe “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Akademisë së Shkencave (2006) kemi trajtat me “ev”: Evropë, evropian, evropianizoj, evropianizim, evropianolindor, evropianoperëndimor. Mirëpo në po të njëjtin fjalor kemi me “eu” fjalët: euro, euroatlantik; Euroazi, eurodeputet, eurolindor, europarlamentar, europerëndimor, Eurovizion, eurokomunizëm etj. Te ky fjalor gjendjen 6 fjalë me temë me grupin “ev” dhe 13 fjalë të tjera më të reja, me po këtë temë, por në këtë rast me grupin “eu”.
b) së dyti, sot në shtyp, në dokumente zyrtare etj., janë mbizotëruese trajtat me “eu”, ashtu siç këto trajta janë mbizotëruese edhe në “Fjalorin” e Akademisë së Shkencave (pra kemi 13 fjalë me grupin “eu”). Praktika e shkrimit të fjalës Europë dhe e të gjitha fjalëve të tjera, ku ajo hyn si element përbërës, sot e ka zëvendësuar formën e vjetër greko-sllave me “ev” me formën e gjuhëve perëndimore me “eu”.
Edhe pse nuk është gabim të përdoren trajtat me grupin “ev”, derisa Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe të rishikohet, vetë zhvillimi dhe praktika e gjuhës shqipe sot për përdorimin e kësaj fjale kanë dhënë përgjigjen e vet, që duhet të jetë forma me “eu”. Pra, Europë, europian, europianizoj, europianizim, europianolindorët.
Përgatiti: Emil Lafe; Sevi Agolli
Publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
DIGJITAL apo DIXHITAL?
Gabime në përdorimin e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe