Evans Drishti: Fond i posaçëm për nxënësit e suksesshëm, jo vetëm nderime
S’duhet të harrojmë se për një nxënës të suksesshëm s’mjafton thjesht vetëm një lloj certifikimi, përkundrazi, ka ardhur koha e krijimit të fondeve të posaçme që do të mbështesin arritjet e sigurta të këtyre elitave.
Teksa kishte mbërritur edhe fundi i një viti shkollor, në dollapin ku rreshtoheshin librat e shumtë, që natyrshëm formonin bibliotekën e shtëpisë, e kuptohej s’kishte si të mos quhej e tillë me aq shumë libra që përmbante, sytë kishin kërkuar një dosje të gjelbër e mirëmbajtur tej mase mirë, pavarësisht vjetërsisë së kapakëve për shkak të viteve të kaluara si pa u kuptuar, aty ku do të gjente diçka me shumë vlerë për të dhe atë çfarë kishte arritur vite më parë. Bëhej fjalë për një “certifikatë” e përpiluar mjaft hijshëm dhe me plot finesë dhe delikatesë, ku shënohej “FLETË NDERI” për arritjet që kishte pasur gjatë asaj kohe.
Restrospektiva e ktheu shumë kohë më parë, madje për një çast të shkurtër, pikërisht në atë kohë, në atë ditë, madje në atë moment kur e kishte fituar atë “nderim” se me ç’emocione të mëdha dhe ç’mallëngjim e kishte marrë atë vlerësim. I ishte dukur si ti jepnin tërë botën në fakt pasi kishte qenë vërtetë një vlerësim tepër i vlefshëm për tërë mundin dhe sakrificën e arritjeve të shumta. E menjëherë pas këtij vlerësimi s’kishin munguar edhe dhuratat simbolike, kuptohet sipas kohës dhe kushteve. U kujtua në atë moment “batanija” që kishte përfituar si dhuratë simbolike të cilën akoma e mbante në dhomën e tij, edhe pas kaq shumë kohësh.
Në atë dosje s’qëndronte vetëm një certifikatë “Nderimi” e tillë, përkundrazi ishim shumë të tilla, pasi edhe vlerësimet kishin ardhur semestër pas semestri, vit pas viti sepse edhe arritjet kishin qenë përherë në rritje.
***
Djaloshi kishte bërë përpjekje të shumta për gjatë tërë vitit, ku përveç përkushtimit në procesin mësimor në arritjen e rezultateve të shumëpritura, kishte tentuar të aktivizohej edhe në projekte përtej procesit mësimor dhe edukativ. Synimi ishte përherë i qartë: përforcimi i njohurive të fituara, përftimi i eksperiencave të reja dhe padyshim përballja me konkurrimin e brendshëm dhe të jashtëm. Në fakt kjo e fundit përbënte edhe shtysën më të madhe për të. Nisur nga kjo, punonte pa reshtur materiale të shumta përtej atyre shkollore. E natyrshëm të gjitha këto kërkonin:
- Impenjim të vazhdueshëm
- Një vëmendje dhe përqendrim akoma më të madh
- Studime kërkimore përtej materialeve mësimore
- Konsulta të shumta më mësimdhënësit përkatës të lëndëve
- Konsulencën me materiale të ndryshme shkencore e kulturore
- Kohë të mjaftueshme për të qenë në kontakt me pasurinë e bibliotekës si të shkollës ashtu edhe atyre jashtë shkollës
- Investime të shumta edhe në aspektin financiar për përftimin e materialeve të domosdoshme …
Ishte mëse i bindur në vetvete se pas gjithë këtij procesi do të arrinte në një finalizim të shumëpritur për të fituar një vend të rëndësishëm në vendin ku jetonte dhe për rrjedhojë në shoqërinë e tij.
Fitorja për të erdhi, por e shoqëruar edhe me një zhgënjim të dukshëm, pasi përtej marrjes së një vendi, që padyshim për të kishte një rëndësi të posaçme, nuk erdhi asnjë vlerësim tjetër që do ti jepte atij një “sodisfaksion” tejet të veçantë…
Koha e dëshmive
Çdo arritje e një nxënësi qoftë në një konkurs qoftë në një olimpiadë brenda institucionit të tij apo edhe në rang qarku, kombëtar apo edhe ndërkombëtar shoqërohet me një “Certifikim” të asaj arritjeje si një dëshmi konkrete dhe e gjallë në shkallët e karrierës personale. Kjo përbën natyrshëm edhe “CV-në” e plotësuar të tij për formimin e personalitetit që do të bëhet edhe modeli shembull i shoqërisë ku jeton.
Përtej këtij certifikimi ka shumë rëndësi edhe një mbështetje shpirtërore dhe materiale që duhet t’i jepet këtij nxënësi që punon pareshtur për t’u rreshtuar në zinxhirin e elitave të shoqërisë ku jeton. Angazhimi i tij s’është aspak i thjeshtë prandaj edhe mbështetja duhet të vijë pa hezitim.
Përbën një domosdoshmëri edhe në realitetin e sotëm që të tillë nxënës të simbolizuar në “shembullorë” të përkrahen pikësëpari nga institucionet arsimore dhe më gjerë, kjo për sa kohë që kërkojmë me ngulm rritjen e numrit te elitave.
S’duhet të harrojmë se për një nxënës të suksesshëm s’mjafton thjesht vetëm ky lloj certifikimi, përkundrazi, ka ardhur koha e krijimit të fondeve të posaçme që do të mbështesin arritjet e sigurta të këtyre elitave. Në përfundim të një viti shkollor me realizimin e një analize të detajuar të rezultateve të arrira dalin në pah edhe projektet konkrete të vëna në zbatim nga elitat e institucionit. Të tilla projekte mbartin vlera të pakontestueshme, përsa kohë që vihen në shërbim të zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë. Të tilla elita përbëjnë padyshim gurëthemelet e shoqërisë së integruar.
Shtysa e kultivimit të vlerave
Çdo arritje përbën edhe një sodisfaksion më vete së pari për vetë nxënësin, më pas për institucionin arsimor e më pas edhe për familjen e tij dhe për mbarë shoqërinë. Shoqëria e këtyre elitave është edhe shoqëria e vlerave. Secili prej elitave shënon historikun e atij institucioni dhe për rrjedhojë edhe të asaj shoqërie. Prandaj çdo përpjekje në realizimin e projekteve të shërbimeve komunitare sjell edhe zhvillimin e vlerave të atij komuniteti.
Të tilla vlera duhen mbështetur në çdo kohë dhe hapësirë.
- Kështu duhet mbështetur nxënësi:
- Për prurjet e tij në shkencat e larmishme
- Për prurjet e tij në fushën e sportit
- Për sfidën e tij në fushën e artit dhe të kulturës
- Për ambicien e tij në fushën e historisë dhe të gjeografisë
- Për arritjet e tij në konkurrimet vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare…
- Për botën e tij krijuese…
- Për vizionet dhe botëkuptimet që sjell në emër të emancipimit dhe integritetit…
A nuk është ky edhe qëllimi i një institucioni arsimor dhe edukativ?...
A nuk është ky edhe qëllimi i finalizimit të gjithë atij bagazhi që kjo elitë po merr në bankat shkollore?...
A nuk është ky qëllimi i shoqërisë sonë, të përftojmë elita të shumta dhe për rrjedhojë edhe vlera të shumta?...
Le të bashkohemi të gjithë, jo vetëm institucioni arsimor, por tërë komuniteti familjar dhe tërë grupet e interesit në përkrahje të këtyre elitave, pasi vetëm në këtë mënyrë kemi ndërtuar shoqërinë solide ku ëndërrojmë të jetojmë në paqe, me një kulturë gjithëpërfshirëse mbi bazën e vlerave njerëzore të larta…
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi