Ështe vetëm një "re" dhe "dielli" do të lindë sërish!
Fjalë motivuese dhe kurajuese në këto ditë të vështira, për të gjithë nxënësit, kolegët, prindërit dhe sanitaret nga Dhurata Hoj, Zv. drejtoreshë e shkollës 9 vjeçare nr. 3 Laç.
Të dashur nxënës!
Nuk dua të kthehem pas, apo të përmend nje kohë " jo të bukur", por dua t'ju them se pranverat edhe pse janë mahnitëse, me diell e lule, herë-herë, kanë re, shi dhe breshër.
Kur isha sa ju, pikërisht në pranverë, për disa kohë qëndrova në shtëpi për shkak të trazirave të asaj kohe që shkuan e vanë e sot ja ku jam mes jush.
Pikërisht sot, pranvera e fëmijërisë sime ngjan me pranverën tuaj.
Një armik i padukshëm po na kërcënon. COVID 19.
Besomëni!
Ja ku më keni! Do ta kalojmë dhe do ta kujtoni siç po kujtoj unë pranverën time të fëmijërisë, si një re që pengoi për një çast diellin.
Ja...Kaq do të jetë...
Sa herë ju kam thënë gjëra që u janë dukur të çuditshme dhe kanë dalë të vërteta?!
Ju kujtohet biseda jonë kur u rikthyem në shkollë pas tërmetit?
Ju buzëqeshnit besueshëm (sa më ka marrë malli për ato buzeqeshje!) dhe gëzueshëm ( pikërisht, Kamila) nxënësja ime psheretiu thellë e tha:-"Ohhh mësuese sa na qetësove", e ndërsa Arseli u ngrit në këmbë e brohoriti: Urraaaa! (Sa më mungoni!)
Bëmë pak zhurmë, por zhurmë të këndshme ama.
A dolën fjalët e mia?
Ndaj them sot se besomëni!
Po qëndrojmë në shtëpi, por jo larg njëri-tjetrit. Më shumë se me dije, ne jemi pranë jush me zemër. Kjo duket qartë në mesazhet e dërguara plot emocion, dashuri dhe përzemërsi nga të dyja palët, "mësues-nxënës".
Tashmë kemi krijuar grupet sipas klasave, ku virtualisht po zhvillojmë mësimin. Po bëni detyrat, po diskutojmë e bisedojmë, po argëtoheni dhe po ndjejmë pranë njëri-tjetrin si të ishim në shkollë.
Nuk kemi pse të trembemi.
Nxënës i dashur!
Ma dëgjo dhe këtë këshillë si çdo mësim që të kam dhënë!
JI POZITIV!
MENDO POZITIVISHT!
Qëndrimi në shtëpi na mbron, e parandalon atë "armikun", të cilin s'do ta quajmë tjetër, veçse nje "re ", që për momentin na bëri të strukemi në çadër "në të ëmblën shtëpi" pranë gjyshërve tanë që prej kohësh s'na kanë parë jemi aq gjatë pranë tyre.
Atëherë le të mendojmë se sa na paska munguar, (pa kuptuar), qëndrimi në shtëpi, leximi i një libri pa shkëputje, ndjekja e një filmi deri në fund, bisedat familjare pa u lënë në mes për një punë a për një tjetër...! Dhe më e rëndësishmja, ama, më e rëndësishmja është se na janë mërzitur këto ditë telefonat, kompjuterat, rrjetet sociale...të cilët dashur e padashur qenë kthyer në skllevër të kohës sonë. Shpresojmë kjo kohë të shërbejë si një distancim, 'disi', prej tyre.
Ja pra, pse ne jemi në shtëpi...
Atëherë buzëqeshni dhe mendoni ylberin pas shiut, diellin pas reve...kapni librin në duar, madje po të doni niseni si një garë me njëri-tjetrin dhe me mua, se cili do ta përfundojë më parë atë.
E di...Po ju dëgjojnë veshët lajme nga më të ndryshmet, të frikshme...Do t'ju shohin sytë kronika pa ngjyra. E di...
Do ta kujtoni këshillën time?
Do t'ju them diçka nga pranvera ime.
Ishte luftë, por sot ja ku jam mes jush.
Viktor Hygo shkruan:
"Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,
Po dhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë;
E në mbettë veç një, - unë do të jem ai!"
Këto vargje i mbaja si motiv. Isha femijë dhe çdo gjë më dukej si një betejë mes meje dhe kohës, por unë sfidoja veten dhe kohën duke thënë: Do t'ia dal.
Ndaj po ju drejtohem të dashur nxënës:
Sot nuk është luftë, thjeshtë mbrohemi nga armiku i padukshëm për të mos i lënë në dorë fatin dhe jetën tonë. Kështu mbrojmë njëri-tjetrin.
Atëherë mendoni: “Bashkë do t'ia dalim”.
Buzëqeshni, luani, kërceni, këndoni, argëtohuni, zbatoni rregullat e higjenes, flini e qetësohuni...Çdo gjë është një "re"që fsheh diellin tonë.
Besomëni siç më besoni në çdo gjë që unë ju them!
Pastaj mendoni se do t'i rikthehemi përsëri shkollës dhe gjërave që ju nuk i keni kuptuar gjatë këtyre ditëve online. Mendoni veprimtaritë që do të zhvillojmë, siç dimë ne, ashtu madhështore, si vetë ju "madhështorë"
Ne do të shihemi shumë shpejt.
Të dashur prindër!
Po ju drejtohem me zemër.
Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për mbështetjen tuaj, gjë të cilën ju e keni bërë vazhdimisht në çdo ditë të punës sonë. Ju jeni çdo ditë mësues dhe edukues i fëmijëve tuaj, por sot jeni mësues "njësh" me ne, NE në njërën anë dhe JU në anën tjetër të monitorit. Pikërisht, për ATA, pa të cilët misioni ynë dhe jeta juaj nuk ka kuptim.
Ju lutem që të ecim së bashku deri në fund. Së bashku do t'ia dalim.
Sinqerisht FALEMINDERIT!
Të dashur kolegë !
Është thënë se mësuesi është AI që gjërat e vështira i bën të lehta. Dhe ja, si një risi dhe jo fort e lehtë, mësimi në distancë u realizua nga ju.
E kuptoj gjithë mundin e këtyre ditëve duke zhvilluar mësimin online. Peshoj lodhjen tuaj dhe vlerësoj maksimalisht punën e bërë dhe atë që ju pret në vazhdimsi, për të cilën jam e bindur se do t'ia dilni siç ia dolët. (Pa përjashtim, TË GJITHË MËSUESIT E SHQIPËRISË)
Kam shum besim...
Ju përgëzoj për çdo fjalë e vepër .
Paralelisht me ne mësuesit, jo më me pak lodhje, çdo ditë me misionin e tyre të higjenës në shkollë, janë "të papërtueshmet e të palodhshmet", sanitaret.
Të dashura "shefe" siç ju thërras unë me përzemërsi!
Ne kemi zhvilluar mësimin online, por unë jam e bindur se edhe ju e keni kryer misionin tuaj po aq sa ne, por jo në distancë. Ju keni sakrifikuar këto ditë shëndetin tuaj dhe keni menduar për lulet, pemët, oborrin dhe shkollën.
Në dorën tuaj varet shëndeti ynë çdo ditë.
Ju jeni NËNAT dhe MOTRAT tona.
Po ju drejtohem me urimin thellë prej zemrës, krejt thjeshtë:
-Ju lumshin duart o zemërdëlirta!
Nuk mundem të mos shkruaj sot si prind, drejtuar mësuesve të tim biri.
TË NDERUAR MËSUES të Eridonit!
Jeni heronj, mjekë, psikologë, prindër të djalit tim.
Vërtetë jeni heronj dhe këtë po e vërtetoni me punën tuaj pa orar, pa kursyer veten as kohën tuaj.
Një gjë e di mirë...
JU lini fëmijët tuaj pas dore, duke i kushtuar vëmendje fëmijës tim. Nuk u shërbeni fëmijëve tuaj pasi jeni lodhur me fëmijën tim. Nuk keni durimin t'i dëgjoni fëmijët tuaj deri ne fund, pasi keni folur e dëgjuar aq shumë fëmijën tim. Nuk keni mundësi t'i ndihmoni fëmijët tuaj në mësime, pasi jeni lodhur aq shumë me fëmijën tim. Nuk keni shume kohë per t'jua kushtuar femijëve tuaj se do të përgatiteni për të nesërmen, po për fëmijën tim. Fëmijëve tuaj ua mbyllni telefonin, pikërisht, kur ju flisni me fëmijën tim.
Çdo gjë e juaja lidhet me fëmijën tim...
Sepse edhe ju e dini mirë se heronj të tillë si vetë JU , janë me fëmijët tuaj...
Ju uroj punë të mbarë, durim e vullnet, siç keni treguar gjithmonë!
Mësues të djalit tim dhe kolegë të mi,
për gjithcka...
Përzemërsisht FALEMINDERIT!
Së fundmi po u drejtohem përsëri NXËNËSVE TË MI.
Motivi për të punuar me shpirt... Arsyeja e buzëqeshjes dhe e nisjes me dëshirë për në punë...JU, pa të cilët nuk gëzoj emrin më të bukur e më madhështor "MËSUES"
Mos harroni, besomëni se dielli do të shfaqet menjëherë, sapo reja të largohet!
Mirë u takofshim !
Uroj sa me shpejt !
Me shumë mall për ju!
DHURATA HOJ
Zv. Drejtoreshë e shkollës 9 vjeçare nr. 3 Laç
(Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Për ty nëna ime, sepse nënat janë frymëzim i jetës