Vlerësimi i fundvitit për nxënësin

Efiçenca e punës së nxënësit, matës edhe i punës së mësuesit

“Efiçenca e punës së nxënësit përkthehet në efektivitet të punës së mësuesit. Thënë ndryshe vlerësimi i nxënësit mat njëherësh edhe punën e mësuesit”.

Përgatiti R. Jani



Vlerësimi është një proces që shoqëron çdo etapë të procesit mësimor.

Përmbyllja e rezultateve të këtij procesi shoqërohet me vlerësimin i cili është ndër hapat më të vështirë pavarësisht se shoqëron nxënien me matjen e saj.


Shumë mësues e kanë të vështirë këtë proces, pavarësisht se si kriter është shoqërues i çdo hapi të punës së tij.


Midis mësuesve qëndron ndonjëherë vështirësia e matjes së të nxënit dhe motivimi i tij, sikurse edhe disa herë devijimi i këtij procesi me dëshirën dhe projektimin që do të vlerësohet “më vonë” e lë orën e mësimit dhe nxënësin pa asnjë notë.


Shumë nga mësuesit e shohin vlerësimin si produkt të efektivitetit të punës së tyre duke matur lehtësisht kapacitetin e përvetësimit të nxënësit dhe aftësitë e tij për të përcjellë njohuritë e nxëna. Mirëpo nuk përjashtohen edhe mësues të cilët e kanë të paarritshëm në kohë reale vlerësimin duke e parë si ngërç dhe fitim në kohë për të vlerësuar korrektësisht me një lloj qetësie nxënësin pasi kanë dalë nga klasa.


Ky lloj vlerësimi nuk shoqërohet me motivimin e tij për nxënësin dhe konkludohet me motivim të brendshëm vetëm në ndërgjegjen e mësuesit dhe nga ana tjetër krijon një hapësirë fiktiviteti nga bindja e njëanshme e mësuesit.


Ka disa etapa kur vlerësimi i nxënësit merr një rëndësi të veçantë dhe mësuesi i jep prioritet të gjithë fazave përpara se të arrijë tek ai.


Cilat janë këto faza?

  • Vendosja e objektivave të qarta për orën e mësimit dhe bërja e ditur për nxënësin e këtyre objektivave.
  • Evidentimi i koncepteve kyçe të orës, kapitullit duke përforcuar sistematikisht zgjerimin e tyre dhe përforcimin me shembuj dhe konkretizime 
  • Motivimi hap pas hapi i ecurisë së nxënësit me qëllim përparimin që formon nivelit të tij
  • Bërjen e ditur nxënësit që vlerësimi është po aq i rëndësishëm sa përgatitja e nxënësit.


Të gjithë këta hapa i qartësojnë nxënësit meritat e tij në çdo orë mësimi dhe njëherësh mat aftësitë e tij duke nxitur për përmirësim ose motivuar për ndryshim.


Fundviti shkollor është periudha kur vlerësimet i kalojnë një filtri të madh llogaritës ku mësuesi procedon vlerësimin në faza dhe modele të vazhduara, punë me shkrim, projekte dhe punë krijuese.


Pavarësisht se matematikisht për mësuesin është e thjeshtë të llogarisë, dihet që ai bën një bilanc matës të ecurisë së nxënësit pa harruar asgjë nga angazhimi apo mosangazhimi i tij gjatë vitit.


Efiçenca e punës së nxënësit përkthehet në efektivitet të punës së mësuesit. Thënë ndryshe vlerësimi i nxënësit mat njëherësh edhe punën e mësuesit.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,325 Lexime
7 muaj më parë