Opinion

Dr.Ermal Hasimja: Cili është qëllimi i vërtetë i shkollës?

Cili është qëllimi i vërtetë i shkollës? A është qëllimi i shkollës argëtimi? Apo qëllimi i vetëm i shkollës është dhënia e dijeve? Për Dr.Ermal Hasimja qëllimi i shkollës ka të bëjë me edukatën e punës. Më poshtë gjeni opinionin e tij të plotë për këtë çështje.

Ka një prirje të përgjithshme për ta lidhur fort procesin mësimor me argëtimin. Duket sikur shkolla ku nxënësi nuk argëtohet nuk është shkollë dhe mësuesi që nuk është argëtues nuk është mësues i mirë. Por nga ana tjetër ne mbajmë mend dhe u jemi mirënjohës jo mësuesve argëtues, por mësuesve që na kanë vënë në punë dhe na kanë kërkuar maksimumin.  


Por cili është qëllimi i vërtetë i shkollës? A është qëllimi i shkollës argëtimi? Nuk besoj. A është qëllimi i vetëm i shkollës dhënia e dijeve? Nuk besoj. 


Qëllimi madhor i shkollës është të ndihmojë nxënësin të krijojë edukatën e punës. 


99.99% të nxënësve nuk do t’u hyjnë kurrë në punë gjatë jetës të diturit sesi prodhohet acidi sulfurik, se si krijohen meandret nga lumenjtë apo sesi funksionon dializa. Por nga ana tjetër, duke mësuar për to nxënësit do të stërviten që të jenë në gjendje të punojnë edhe kur puna nuk u ofron argëtim apo nuk u ngjall pasion. 


Aftësia kryesore e një të rrituri është pikërisht ajo e të punuarit me vetmotivim dhe pa patur nevojë që puna të jetë argëtuese. Në jetën reale të të rriturit puna është shpesh e lodhshme, kërkuese, e mërzitshme, stresuese. Nëse rrisim fëmijë që janë mësuar që puna në shkollë duhet të jetë argëtuese se s’bën, atëherë po rrisim breza që do të kërkojnë të njëjtën gjë edhe në punë dhe nëse nuk e gjejnë thjesht nuk do të përshtaten me nevojat e jetës reale. 


Shkolla nuk mund të jetë një paralojë e këndshme e jetës reale. Ajo duhet t’i përgatisë fëmijët, në mënyrë sfiduese por në përshtatje me moshën e tyre, për t’u përballur me sfidat e jetës pa qenë të kushtëzuar nga prania e argëtimit, frymëzimit apo pasionit.  


Nuk mund të admirosh historinë e edukimit në Spartën e lashtë dhe njëkohësisht të rrisësh princesha me komplekse bizelesh.




Nga Dr. Ermal Hasimja 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,054 Lexime
2 vjet më parë