Dita Botërore e Arsimit, eksperti Fiqiri Çifliku: Shqipëria ende shumë larg standardeve ndërkombëtare
Si e ka gjetur Dita Ndërkombëtare e Arsimit Shqipërinë në vitin 2024? Në një intervistë për Portalin Shkollor eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku ka folur mbi panoramën që e karakterizon vendin tonë në këtë drejtim në kohën e inteligjencës artificialeve, por sipas tij në kushte ende larg vendeve të huaja.
Në një kohë kur gjithnjë e më shumë po flitet dhe po përhapet inteligjenca artificiale në edukim çfarë mund të thuhet për arsimin në vendin tonë dhe pozitat ku gjendemi?
“Me gjithë përpjekjet që janë bërë për fuqizimin dhe zhvillimin e teknologjisë gjatë procesit mësimor në institucionet arsimore ende jemi shumë larg standardeve ndërkombëtare për numrin e kompjuterëve për nxënës apo për laboratorë funksionale të teknologjisë së informacionit”, thotë eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku, gjatë një interviste dhënë për Portalin Shkollor Albas, të cilën ju ftojmë ta lexoni më poshtë.
Si e gjen Dita Ndërkombëtare e Arsimit Shqipërinë këtë vit? Cila është ajo tabloja e përgjithshme që e karakterizon këtë fushë të shoqërisë tonë me gjithë protagonistët e saj?
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se "Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive”, vendosi 24 janarin si Ditën Botërore të Arsimit. Sot gjejmë një mundësi për të reflektuar mbi sfidat e Agjendës 2030, të cilat Shqipëria,teorikisht i ka përkthyer në plane veprimi dhe strategji në fushën e arsimit. Në Strategjinë e Arsimit 2021-2026, gjejnë vend të veçantë inovacioni dhe zhvillimi i teknologjisë në fushën e arsimit. Nga koha kur kjo strategji është miratuar, zhvillimi i teknologjisë së informacionit ka ecur me hapa të jashtëzakonshëm. Janë bërë përpjekje për sigurimin e infrastrukturës moderne në shkollat e reja që ndërtohen por rënia e numrit të lindjeve dhe largimet e banorëve nga zonat rurale e ka kthyer në një sfidë të madhe eliminimin e klasave kolektive si dhe ka ndikuar në rritjen e kostove për mbulimin e shërbimeve të transportit të nxënësve dhe mësuesve. Ndërkohë politikat mbështetëse janë fokusuar në arsimin gjithëpërfshirës dhe mbështetjen e shtresave në nevojë. Globalizimi e ka ekspozuar arsimin shqiptar përballë krahasimit me rezultatet ndërkombëtare, e matur kjo me teste, më i fundit PISA 2022 që për hir të së vërtetës e renditi vendin tonë në pozita jo të mira krahasuar me vendet e tjera. Sigurisht që shumë vende kanë zbritur në renditje, por për Shqipërinë kjo zbritje është më e madhe dhe për këtë lind nevoja e një analize të thellë e të drejtë, duke evidentuar shkaqet që kanë ndikuar në këtë rezultat.
Gjithnjë e më shumë po flitet për inteligjencën artificiale në edukim, por çfarë mund të thuhet në rastin e vendit tonë për këtë fenomen, si perceptohet kjo risi? A e pranojnë atë mësuesit? Po nxënësit si kanë reaguar ndaj saj?
Inteligjenca artificiale (IA) ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe shihet si potencial, të ndryshojë procesin e edukimit duke përmirësuar mësimin dhe personalizuar përvojën e nxënësve.
Në Shqipëri, si dhe në shumicën e vendeve, IA në edukim po bëhet gjithnjë e më aktuale. Mësuesit mund të ndjejnë ndryshime dhe sfida, por jo të gjithë janë gati të pranojnë këtë risi si një mjet shtesë për përmirësimin e procesit mësimor. Kjo mund të jetë pengesë për të ecur me hapin e kohës dhe do të paraqiste rrezik për të thelluar hendekun midis rezultateve të vendit tonë krahasuar me vendet e tjera të OECD-së. Nxënësit, nga ana tjetër, mund të kenë reagime të ndryshme; disa mund të jenë entuziastë ndaj teknologjisë, ndërsa të tjerë mund të kenë rezerva. Aktualisht nuk ka studimet dhe raporte konkrete që mund të ofrojnë një perspektivë më të thellë mbi perceptimet dhe përshtatjen ndaj inteligjencës artificiale në kontekstin arsimor të Shqipërisë.
A mund të themi se inteligjenca artificiale është një sfidë e radhës për arsimin? A gëzojmë ne kushtet për të pasur një arsim të digjitalizuar dhe me përdorim të inteligjencës artificiale?
Me gjithë përpjekjet që janë bërë për fuqizimin dhe zhvillimin e teknologjisë gjatë procesit mësimor në institucionet arsimore ende jemi shumë larg standardeve ndërkombëtare për numrin e kompjuterëve për nxënës apo për laboratorë funksionale të teknologjisë së informacionit. Vitet e fundit janë duke avancuar disa projekte të rëndësishme në fushën e IT si, program i Kodimit në klasën e parë, ndërtimi i laboratorëve SMART në 100 shkollat e para, me numrin më të madh të nxënësve, për të vijuar me 200 shkolla të tjera në vitin 2023-2024 dhe me shpresë se kjo tipologji laboratorësh do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit. Ndërkohë projekti i IA ka filluar të zbatohet në pak shkolla. Sipas të dhënave rezulton se Shqipëria renditet ndër vendet që ka marrë zhvillim të madh në mbulimin e territorit me shërbim interneti, por mbetet për t’u parë nëse shpërndarja dhe funksionaliteti i saj ka ndikime të drejtpërdrejta në procesin mësimor.
IA po transformon arsimin në mënyra të ndryshme, nga përmirësimi i mësimit të personalizuar në automatizimin e vlerësimit. Mësuesit duhet të kuptojnë se çfarë është IA, si funksionon dhe çfarë mund apo nuk mund të bëjë. AI është një term i gjerë dhe përfshin lloje të ndryshme teknologjish që mund të kryejnë detyra që normalisht kërkojnë inteligjencën njerëzore, të tilla si arsyetimi, mësimi dhe marrja e vendimeve. Nga ajo që sot qarkullon kuptohet se IA, synon të arrijë inteligjencën e ngjashme me njeriun në të gjitha fushat. Mësuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për pikat e forta dhe kufizimet e aplikimeve të ndryshme të IA, si dhe për implikimet etike dhe sociale të përdorimit të tyre në arsim.
Si duhet të përdoret për mirë kjo lloj inteligjence dhe si duhet të vlerësohet? Cilat do të ishin këshillat e rastit sipas jush?
Mësuesit duhet të integrojnë IA në programin dhe metodologjitë e mësimdhënies e tyre duke identifikuar qëllimet dhe rezultatet e të mësuarit dhe të zgjedhin mjetet apo burimet e duhura të IA që përputhen me nevojat dhe preferencat e nxënësve të tyre. Gjithashtu, duhet të projektojnë dhe të zbatojnë aktivitete të të mësuarit që shfrytëzojnë mundësitë e IA- së, të tilla si reflektimi, përmbajtjet e personalizuara apo mësimi bashkëveprues.
Fokusi i tyre duhet të jetë tek zhvillimi i aftësive të të kuptuarit gjatë lexim-shkrimit, aftësitë e IA-së mes nxënësve të tyre, konceptet, parimet dhe aplikimet e saj, nxitja e mendimin kritik dhe krijimtaria e tyre në përdorimin dhe krijimin e zgjidhjeve. Me vetëdije dhe në mënyrë të qëllimshme mësuesit duhet t'i ekspozojnë nxënësit e tyre në disiplina dhe karriera të ndryshme të lidhura me IA, të tilla si shkenca kompjuterike, shkenca e të dhënave dhe inxhinieria, dhe t'i frymëzojnë ata të ndjekin mësimin dhe eksplorimin e mëtejshëm në këto fusha. Më e rëndësishmja në këto proces është, kultivimi i vetëdijes dhe përgjegjësinë etike dhe sociale të nxënësve të tyre në përdorimin dhe zhvillimin e IA për punë të mira, (e thënë shqip).
Mësuesit gjithashtu duhet të ndajnë dhe shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë e tyre me profesionistë të tjerë që përdorin IA në kontekstet e tyre, dhe të mësojnë nga praktikat dhe sfidat e tyre më të mira. Përveç kësaj, duhet të përfshijnë nxënësit, prindërit dhe komunitetet e tyre në hartimin dhe vlerësimin e përvojave të mësuara të përmirësuara nga IA, dhe të nxisin një kulturë të besimit dhe dialogut. IA mund të jetë një instrument i rëndësishëm për të monitoruar dhe përmirësuar performancën dhe kompetencat e tyre, apo për të zgjeruar rrjetet dhe mundësitë e tyre të të mësuarit gjatë gjithë jetës,
MAS dhe strukturat e arsimit duhet të kenë në fokus të politikave dhe të orientojnë burimet ndër të tjera në:
- Integrimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe Inteligjencës Artificiale në mësim e cila mund të ndihmojë në përmirësimin e procesit dhe krijimin e një mjedisi më interaktiv.
- Zhvillimin e platformave të personalizuara bazuar në inteligjencën artificiale mund të ndihmojë në përshtatjen e mësimit sipas nevojave të secilit nxënës.
- Zhvillimin e aftësive praktike dhe kritike të nxënësve për t'i përgatitur ata për sfidat e botës moderne.
- Integrimin e lëndëve të reja dhe inovative në kurrikulën shkollore për mbajtjen e nxënësve të angazhuar dhe të motivuar.
- Përdorimin e teknologjisë për të mundësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave mes shkollave nga e gjithë bota.
- Zhvillimin e mënyrave inovative për vlerësimin online mund të sjellë transparencë dhe përmirësim të vlerësimit në arsim. SMIP duhet riparë si një qasje praktike dhe jo barrë për mësuesit.
- Trajnimin nga shteti të mësuesve në mënyrë agresive e të vazhdueshme, për mësuesit, në përdorimin e teknologjisë dhe metodave të reja të mësimit.
- Sigurimin e infrastrukturës fizike fillimisht dhe me tej asaj teknologjike (laptopë, tablet apo kompjuter)për çdo mësues duke mundësuar një përdorim më efikas të teknologjisë në mësim.
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e inteligjencës artificiale në edukim, për nga ana e etikës, parë nga këndvështrimi i një eksperti në arsim?
Përdorimi i IA-së në mënyra novatore dhe etike, dhe të mbështesë ngritjen e kapaciteteve dhe menaxhimin e ndryshimeve. Më sipër listuam avantazhet e përdorimit të IA, por mësuesit duhet të mbrojnë integrimin dhe zhvillimin e saj në arsim, dhe të trajtojnë shqetësimet dhe sfidat që mund të lindin nga përdorimi i saj.
Mitizmi i përfitimeve nga IA dhe imponimi për të përdorur gjerësisht është vlerësuar si rrezik që në vitin 2017, nga Tim Cook, CEO i kompanisë Apple, kur deklaronte:"Unë nuk jam i shqetësuar për Inteligjencën Artificiale që u jep kompjuterëve aftësinë për të menduar si njerëzit. Jam më i shqetësuar për njerëzit që mendojnë si kompjuterë, pa vlera apo dhembshuri, pa shqetësim për pasojat". Prandaj vlerësoj se para së gjithash në edukim, është e rëndësishme dhe duhet të bëjmë kujdes me etikën dhe sigurinë e përdorimit të IA.
Në samitin e Davosit, në 15 Janar 2024 jo më kot u vu theksi tek eksplorimi i rolit të IA dhe rreziqeve të mundshme. Përhapja e pakontrolluar e teknologjive të IA për qëllime të përgjithshme do të riformësojë në vitet në vijim shumë fusha në drejtimin pozitiv apo negativ dhe sigurisht arsimi dhe shoqëria, nuk do të mbeten jashtë ndikimit.
Dezinformimi, përdorimi kriminal i të dhënave personale, sulmet kibernetike, paragjykimi diskriminimi, bullizmi kibernetik (cyberbullying), janë ndër rreziqet kryesore që duhen marrë parasysh dhe duhen trajtuar me shumë kujdes në edukim.
MAS dhe qeveria shqiptare duhet të marrin masa urgjente për të përcaktuar subjektet që do të kenë përgjegjësinë për monitorimin e ruajtjes së etikën së IA në edukim dhe ndërveprimet midis institucioneve. Nëpërmjet këtyre masave, duhet të jetë e qartë se kush duhet të mbajë përgjegjësi dhe çfarë lloj përgjegjësie, kush ka të drejta dhe çfarë lloj të drejtash, kush duhet të zhvillojë trajnimet dhe çfarë trajnimesh për të pasur të qartë për ndërgjegjësimin dhe kompetencat që duhet të zotërojë secili aktor. Një diskutim i gjerë do i vinte në ndihmë monitorimit të zhvillimit të IA në edukim dhe amortizimin maksimal të efekteve negative që mund të sjellë me vete teknologjia.
Na takon të gjithëve të bëjmë sa mundemi për t’u përshtatur në një mjedis të ri social-ekonomik e teknologjik pasi siç thotë shprehja. “Ne mbytemi ose notojmë në zgjedhjet tona”, e në këtë kuptim duhet të bëjmë zgjedhje të drejta për të ardhmen.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Plani i projektit lëndor
Hapat që duhen ndjekur për në universitet
Rritja e pagave, sa është dhe sa do të bëhet rroga e mësuesve nga 1 janari