Dhurata Kasa: Roli i intelektualit përtej syzeve te anësimit
Çdo intelektual shqiptar mund të jetë shumë më rezultativ se disa politika shumëvjeçare me patjetër pranimin dhe përqafimin e shoqërisë duke thyer barrierat administrative. Por kjo është një sfidë shumë e vështirë e intelektualit shqiptar i cili edhe ai duhet të dalë nga guaska e mediokritetit...
Sot në kohën e tundimit politik intelektuali më shumë se kurrë ndodhet në qerthullin përfshirës pa dashjen e tij në të ashtuquajturën kontribut aktiv i cili në çdo moment është i rrezikshëm për mumizimin e dhjamit të tij intelektual për shkak të rrudhjes në kahje. Mjedisi në të cilin jetojmë nuk e ofron një qartësim të besueshëm ku intelektuali të japë qasjet e tij inovative duke dalë nga kornizat e përcaktuara administrative.
Po t’i referohemi termit më të vjetër latin “intellectualis” që tregon intelektin, vëmë re se kuptimi i tij sot ia ka kaluar edhe atij më të kuptueshmit, Aristotelit, sipas të cilit me anë të virtyteve në shkencë, art, njohuri, punë mendore i lejohej shpirtit të arrinte të vërtetën. Pikërisht tek kjo fjalë e fundit ndodh edhe moskuptimi i dy palëve, intelektualit dhe mjedisit shoqëror. Të vjen keq kur vëren se tek intelektualët e vërtetë kognicioni shkencor përplaset fatalisht me kognicionin social duke mos dhënë atë kontribut të nevojshëm qoftë edhe për të orientuar shoqërinë. Kjo ndodh për vetë faktin se është pikërisht kjo e dyta që i vë syze intelektualit.
Po çfarë ndodh konkretisht në këtë dobësim të fuqisë autonome të intelektualit?
Mendoj se problemi nuk qëndron në vetë intelektualin, por në atë që është përballë tij, shoqërinë e gjerë ose të ngushtë. Pikërisht shoqëria jonë po e keqkupton qëllimshëm vizionin për intelektualin duke i vënë atij kahje për të cilat ai jo vetëm qe nuk ka nevojë por edhe mbrudhet në aftësinë e të menduarit e cila varet shumë nga të kuptuarit e atij që ka përballë. Kështu vërejmë me keqardhje se shoqëria jonë ka krijuar një monotoni mekanike të realizimeve ditore të cilat nuk janë gjë tjetër veçse veprimtari kopjuese të modeleve të ofruara. Po të shikosh me hollësisht konstaton se tregu funksionon kudo njësoj, me mallrat e njëllojta, veprimtaritë administrative njësoj, edhe të ashtuquajturat risi janë po kopje të thithjes nga jashtë në aftësinë se kush ta promovojë i pari dhe këto po të njëjta. Mungon dukshëm origjinaliteti i të jetuarit, ku pikë nevralgjike në orientim duhet të jetë intelektuali, i vetmi për të bërë balancimin e asaj çka është origjinale, autoktone dhe të jashtmes dhe akoma më tej për t’i konvertuar këto më pas në një jetësi produktive e cila paraqitet me energjike dhe vetëzhvilluese.
Vetëzhvillimi i shoqërisë vjen pikërisht nga roli i intelektualit të vërtetë. Këtu na vjen në ndihmë ekzistencialisti Zhan Pol Sartër i cili bën një dallim të qartë midis intelektualit të mirëfilltë (teknik plus) dhe të ashtuquajturve sipas tij “teknikë të dijes praktike” (profesionisteve), këto të fundit sipas tij janë produkte të sistemit dominues. Sartri thotë “Me një fjalë çdo teknik i dijes është intelektual ngase është i përkufizuar me një kundërthënie e cila shfaqet si luftë e vazhdueshme brenda tij midis teknikës universaliste dhe ideologjisë sunduese”. Prandaj fatkeqësisht këtu tek ne, kjo e dyta e mbyt intelektualizmin e mirëfilltë. Zëri i tij vetëm sa dëgjohet por nuk pranohet në zbatim sepse “modeli” nuk i lë hapësire. Po të vazhdojmë prapë me Sartin ai thekson se dy shtyllat e intelektualit, liria, në kuptimin e pavarësisë së plotë dhe radikalizmin intelektual ku kjo e fundit konsiston në atë që ata krijojnë një distancë objektive ndaj vetë klasës punëdhënëse të tyre cenohen katërçipërisht kur shoqëria nuk i mbështet ato por shkon pas modeleve që i servir sistemi. P.sh ka plot hapësira ku intelektualët tanë insistojnë për autonomi të vënies në zbatim të ideve dhe angazhimeve të tyre por kjo është e vështirë për shkak të formatimeve të gatshme që invitrohen në zbatimet konkrete të marra nga jashtë. Fare thjesht mund ta ilustrojmë këtë me implementimin e variablave të ndryshme në tridhjetë vitet e fundit të politikave arsimore duke iu referuar herë sistemit Francez herë sistemit Holandez apo atij të fundit Anglez.
Shtrojmë pyetjen sa % e sistemit tradicional është marrë parasysh në këtë formatim?
Sa % e mendimit intelektual shqiptar ,sidomos akademik është marrë parasysh këto 30 vite?
Nga ajo që konstatojmë shumë pak.
Pra shoqëria jonë ka vite që përdor një sistem të huaj duke mos i dhënë vendin e duhur rolit të intelektualit shqiptar qoftë edhe për të pasur një kontribut të konsiderueshëm në përfshirjen ose ndërfutjen e traditës inovative tek modeli n.q.s ai nuk ka një anësi të dukshme politike. Edhe kur e ka këtë mendimi i tij objektiv autonom nuk merret parasysh sepse tek ne i qëndrohet besnik modelit.
Në këtë sens gjykoj se po formësohet një shoqëri mekanike e cila rikopjon modele të huaja të funksionimit pa e vërejtur se pikërisht këto modele kanë burime të tyre autoktone, pra kanë dalë nga përvoja, natyra dhe funksionime të shoqërive që mund të mos kenë të përbashkëtat e duhura me ne. Në këtë kontekst roli i intelektualit shqiptar të fushës përkatëse cilësuar si një mendimtar i afirmuar shkencërisht ose artistikisht nuk gjen vend në përshtatjen e këtyre modeleve. Në këtë rast do t’i referohesha pikëpamjes evolutive të intelektualit të hershëm Branko Merxhani i cili në veprën “Nga Shqiptarizma ne Neoshqiptarizme”argumenton se “U bëmë shtet para se të mbërrijmë të plotësojmë formimin tonë si shoqëri”. Ndërkohë që Merxhani vazhdon edhe më tej; (Shtet) ësht’ vepra e njerëzve të veprimit; (Shoqëria=Kultura) ësht’ vepra e njerëzve të mendimit”. Më qartë se kaq nuk mund të konstatojmë me tutje mbi rolin e fuqishëm të intelektualit në formësimin e shoqërisë. Pra intelektuali nuk është një zbatim modeli në kontributin e tij në shoqëri por është një formësues thelbësor i saj. Pikërisht këtë shoqëria jonë nuk e kupton ose nuk ka kohë ta kuptojë sepse bombardimi politik nga këto modele të huaja prej tridhjetë vitesh është i njëpasnjëshëm dhe vjen si dështim ose apriori e ezauruar e modeleve të mëparshme në mënyre të shpeshtë. Praktikisht kjo mund të korrigjohet duke rritur hapësirat orientuese dhe vendimmarrëse të intelektualëve që në formulimin e bërthamave ligjore e deri në asistencën e tyre administrative dhe shoqërore.
Jo më kot në botën moderne “blihen”shtrenjtë idetë dhe “paguhen “shtrenjtë njerëzit –mendimtarë që i gjenerojnë duke i angazhuar ato deri në konsumimin shoqëror të tyre pa kurrfarë anësie politike. Këtu do të shtoja mendimin e Shelingut i cili thoshte se nëse qytetërimi ka pasur një progres ai është realizuar duke shfrytëzuar idetë që kanë prodhuar intelektualët. Ky konstatim vjen i frikshëm për ne por jo saktësisht i zymtë. Këtu do të përmendja se kohët e fundit ka shembuj të iniciativës intelektuale, akademike të cilat po janë shtysa të rolit të fuqishëm intelektual. Do të përmendja këtu ngritjen e Qendrës së Studimeve Albanologjike me iniciativën e një grupi intelektualësh –zonja detyruan shtetin të miratonte këtë hapësirë të fuqishme kulturore më shumë rëndësi për shoqërinë shqiptare, arbëreshe dhe për diasporën”. Fillimi i mbarë – thotë populli – është gjysma e punës”. Pra me shumë guxim dhe iniciativë dhe duke u pranuar shumë nga shoqëria si domosdoshmëri vlerash, çdo intelektual shqiptar mund të rezultojë shumë më rezultativ se disa politika shumëvjeçare me patjetër pranimin dhe përqafimin e shoqërisë duke thyer barrierat administrative.
Por kjo është një sfidë shumë e vështirë e intelektualit shqiptar i cili edhe ai duhet të dalë nga guaska e mediokritetit dhe të bëhet më i përgjegjshëm për rolin e tij për të hequr një herë e mirë syzet që shoqëria i ka vënë me kohë.
Nga Dhurata Kasa
Mësuese Gjuhë –Letërsie (Gjimnaz)
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi