Dallimet midis shkollës tradicionale dhe shkollës moderne
Përditë dhe më shumë po hasemi me konceptin e shkollës moderne si kundërvënie e asaj që deri dje ishte tradicionale. Lindita Dosku ka përgatitur një artikull pikërisht mbi njohjen e shkollës moderne dhe tradicionale. Ju ftojmë ta lexoni.
Edukimi është një sistem shumë i gjerë dhe i larmishëm i cili nuk mund të jetë asnjëherë i dhënë në mënyrë përfundimtare dhe të jetë i pandryshueshëm. Ai ka nevojë gjithmonë për përmirësim dhe për punë të vazhdueshme nga të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë fushë. Përditë dhe më shumë po hasemi me konceptin e shkollës moderne si kundërvënie e asaj që deri dje ishte tradicionale.
Shkollat tradicionale janë institucione të mbyllura, të ngurta, tepër të strukturuara, me fokus përmbajtjen dhe mësimdhënien.
Shkollat moderne janë institucione fleksibël që zbatojnë forma të ndryshme për arritjen e synimeve të edukimit. Shkolla si institucion edukimi po evoluon me hapa të shpejtë nga shkolla tradicionale në atë bashkëkohore, dhe kjo ka ardhur si pasojë e ndryshimit të konceptit mbi edukimin.
Shkollat tradicionale dhe ato bashkëkohore përsa i përket mënyrës së funksionimit të tyre mbështeten në dy këndvështrime të kundërta: e para në strukturim dhe e dyta në fleksibilitet.
Në këtë mënyrë shkollat tradicionale duke qenë të ngurta dhe me një organizim të strukturuar me klasa të vogla të mbingarkuara me orendi, me mure katrore dhe me ngjyra të zbehta synonin të nxirrnin në pah epërsinë e veprimit të mësuesit në mjedisin e nxënies.
Ndërsa, shkollat bashkëkohore janë krejt të kundërta me shkollat tradicionale. Ato janë të hapura të zhurmshme dhe nganjëherë duken si qendra kaotike aktivitetesh, për shkak të lirisë së madhe të nxënësve dhe mësuesve.
Në ditët e sotme nxënia nuk ndodh vetëm në shkollë dhe në mjediset e saj tradicionale, por edhe në mjedise të tjera brenda dhe jashtë saj, të pajisura me mjetet e sotme të teknologjive të informacionit dhe të komunikimit në mjediset ku mundësohet ndërveprimi njerëzor apo janë krijuar të gjitha kushtet për nxënie. Jetojmë në epokën e shoqërisë së informacionit ku mund të mësohet kudo: në shkollë dhe jashtë saj, gjatë gjithë jetës.
Atëherë ne natyrshëm na lindin disa pyetje në mendjen tonë të cilat kërkojnë përgjigje:
Po për çfarë na shërbejnë shkollat, kur njeriu paska edhe mënyra të tjera për të nxënë dhe për të marrë informacione ?
Pse njerëzit shpenzojnë kaq shumë mund dhe financojnë kaq shumë para për të ndjekur shkolla të ndryshme ?
Mos ndoshta njerëzit ende nuk e kanë kuptuar se ka mënyra të tjera për të nxënë dhe për të marrë informacione, përveç shkollës dhe që kushtojnë më pak ?
Apo sepse ka një dallim thelbësor midis të nxënit në shkollë dhe të nxënit jashtë sistemit ansimor?
Kjo po është e vërtetë, sepse ka një dallim thelbësor midis dijes dhe informacionit që një individ merr gjatë viteve të studimit, dhe dijes dhe informacionit që individi merr jashtë shkolle nga mediet, nga interneti, etj. Sigurisht, është gjithmonë e domosdoshme të jesh i informuar për ato çka ndodhin rreth teje dhe të jemi koherentë (që të mos përhumbemi), por ky informacion nuk është një dije që kthehet në kompetencë siç ndodh me dijen që marrim gjatë shkollimit.
Për këtë arsye shërbejnë shkollat, për këtë arsye njerëzit shpenzojnë kohë dhe para, për të bërë të mundur zotërimin e dijeve të kthyera në kompetenca dhe për t’u bërë profesionistë në fusha të ndryshme të jetës.
Shkollat tradicionale ashtu siç ndryshojnë nga pikëpamja strukturore me shkollat bashkëkohore, po ashtu ndryshojnë edhe nga pikëpamja funksionale.
Pavarësisht se në ditët e sotme po shohim një tendencë të madhe drejt të resë apo modernes, nuk duhet të mohojmë që edhe kurrikula tradicionale ka nxitur dhe promovuar kreativitetin, pasi në të kundërt shoqëria jonë nuk do të ishte aty ku është sot dhe nuk do të kishte bërë progres.
Gjithashtu ne duhet të pranojmë që punën kurrikulare e dominon një model i përzier midis tradicionales dhe bashkëkohores por që manifestohet ndryshe, duke iu përshtatur kushteve sociale, kulturore dhe mjedisore që na rrethojnë.
Në ditët e sotme vëmë re një interes mbarë botëror për qasjen kah dijeve të kthyera në kompetenca. Kompetencat përkufizohen si aftësi të qëndrueshme për të menduar, vepruar, nxënë, transferuar dije dhe për të kërkuar zgjidhje në mënyrë të pavarur.
Në sistemin tonë arsimor akoma në ditët e sotme i jepet përparësi më shumë transmetimit të kulturës dhe informacionit dhe më pak përvetësimit të kompetencave që do t’i shërbenin më mirë nxënësve për kultivimin e një jetese më të suksesshme.
Megjithatë, këndvështrimi tradicional që e shikon arsimin si një sistem në të cilin nxënësit supozohet të mësojnë të njëjtat gjëra në të njëjtën kohë heq mundësinë për të zhvilluar rolet dhe format e kuptimshme të pjesëmarrjes në komunitetin e të nxënit mbi bazën e dijes vetjake.
Vihet re në kurrikulat e reja që synojnë një edukim global një thjeshtëzim i gjërave dhe një riformulim i dijeve dhe informacioneve mbi zhvillimin e historisë së njerëzimit (si koncept i përgjthshëm duke përfshirë gjithë çka bërë dhe çfarë ka trashëguar shoqëria njerëzore që nga lindja e saj e deri në ditët e sotme) në kuptimin e një sinteze apo të arritjes në disa përfundime të përgjithshme për t’u bërë pjesë e kulturës së përbashkët të edukimit të brezave të rinj.
Kurrikula me qendër bazën shkollore ka pasur zhvillime historike të ndryshme në vende të ndryshme prandaj edhe kërkesat e mëdha të kohës për të arritur një edukim global po hasen në këto vështirësi të mëdha që janë të dukshme dhe të prekshme për të gjithë ne.
Përvoja ka treguar se kemi raste të vërteta të studenteve apo nxënësve shqiptarë të cilët kur kanë shkuar për të vazhduar studimet në një vend tjetër të Europës kanë dalë të parët.
Atëherë natyrshëm na ka lindur pyetja:
Si është e mundur vallë që një nxënës shqiptar të arrijë rezultate të tilla mbi nxënësit europianë ndërkohë që ato shkojnë në kopshte që në mosha të vogla dhe jetojnë e mësojnë në kushte shumë më të mira se ata shqiptarë, ndërsa këto të fundit mund të mos kenë qenë fare në kopsht dhe dalin nga shkolla me kurrikula tradicionale?
Pse kur ne paskemi anë pozitive nga shkolla tradicionale kërkojmë të shkëpusim të gjitha lidhjet që kemi me të dhe i kemi shpallur luftë asaj si një armiku të urryer?
A jemi të ndërgjegjshëm ne për rrugën në të cilën duam të ecim? Apo thjesht po tërhiqemi nga zërat tingëllues të turmës “Do shkojmë drejt Europës”?
Pa vënë në dyshim zhvillimin e Europës dhe ëndrrën e madhe që ka gjithsecili prej nesh për të jetuar në ato standarde, ne duhet të mendojmë më parë :
- Sa është e realizueshme kjo kur në shkollat tona mësuesit dhe nxënësit punojnë dhe studiojnë me dy standarde ?
1- Shkollat e qytetit me infrastruktura moderne dhe biblioteka që i përmbushin kërkesat dhe nevojat e nxënësve dhe, 2- Një pjesë dërrmuese e shkollave të fshatit që jo vetëm infrastruktura e tyre lë shumë për të dëshiruar as për t'u klasifikuar si tradicionale,jo më moderne, por ajo çka është më e rëndësishme me biblioteka që nuk përmbushin nevojat dhe kërkesat e nxënësve, ( që praktikisht mund t’i quajmë jofunksionale ).
A do të shkojmë drejt Europës të aftë për t’u integruar në shoqërinë e saj, apo drejt Europës të parealizuar dhe për pasojë të paaftë për t’u bërë pjesë e asaj shoqërie?
Sigurisht që kjo të bëhet realitet duhet kontribut, investim infrastrukturor dhe mbi të gjitha pasion, dëshirë, dashuri dhe vullnet në punën tonë të përditshme në mënyrë që të funksionojnë siç duhet hallkat e larmishme të këtij sistemi që ne e quajmë EDUKIM.
Kontributi im si punonjëse në arsim sapo ka nisur dhe me siguri do të jetë një rrugë e gjatë, e bukur e mbushur me sfida, emocione dhe kënaqësi të mëdha kur sheh të rriten dhe të edukohen prej teje breza të rinj, të cilët na mbushin me shpesë se ditë më të mira do të vijnë për vendin tonë.
Nga Lindita Dosku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi