Thirrje konkursi

COD dhe ALBAS konkurs për ilustrimin më të bukur të përrallave, aplikimet deri në 20 tetor

Qendra për Hapje dhe Dialog, në bashkëpunim me shtëpinë botuese Albas, organizon një konkurs për fëmijët 10-15 vjeç, që sfidon kreativitetin e tyre për të ilustruar kopertina të përrallave klasike. Aplikimet janë të hapura nga 14 deri më 20 tetor 2024, me shpërblime dhe ekspozitë në Panairin e Librit.

Në një kohë kur teknologjia shpesh sfidon leximin dhe imagjinatën tradicionale, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, në bashkëpunim me shtëpinë botuese Albas, organizon një konkurs unik, i cili synon të ringjallë dashurinë për librin dhe artin vizual tek të rinjtë. 


Me titullin "Ilustrimi më i bukur i kopertinës së një përralle klasike", ky konkurs ofron një mundësi të artë për fëmijët e grupmoshave 10-15 vjeç të eksplorojnë aftësitë e tyre artistike dhe të përfaqësojnë klasikët e letërsisë për fëmijë përmes ilustrimit. 


  Aplikimet për pjesëmarrjen në konkurs janë të hapura deri më 20 tetor 2024. Aplikimi nga nxënësi duhet të përmbajë të dhenat si: Emër, Mbiemër, mosha, shkolla dhe një nr. kontakti ose email. Këto aplikime dërgohen në email-in zyrtar [email protected] të Qendrës për Hapje dhe Dialog. 


Krijimet do të realizohen në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë në dy faza: 23 tetor 2024 përgjatë orarit 14:00 - 15:00 dhe 28 tetor 2024 përgjatë orarit 16:00 - 17:00. (Hyrja nga bulevardi)


Konkursi “Ilustrimi më i bukur i kopertinës së një përralle klasike" do të bazohet në historitë e: “Bëmat e Lizës në Botën e Çudirave”, “Piter Pani” dhe “Aventurat e Pinokut".

Sipas Jetona Koçibellit, Drejtoreshë e Drejtorisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog, qëllimi kryesor i këtij konkursi është të stimulojë kreativitetin e të rinjve duke i sfiduar ata të vizatojnë kopertina të këtyre përrallave të njohura.


"Konkursi është i hapur për të gjithë nxënësit që kanë dëshirë për të marrë pjesë, pavarësisht nëse ndjekin lëndë artistike apo jo. Gjithashtu mund të aplikojnë edhe nxënës nga diaspora shqiptare," shpjegon Koçibelli, duke theksuar se gjithçka që nevojitet është pasioni për artin dhe kreativitetin. 


Sa i përket kritereve të vlerësimit, Koçibelli, tha se "Ilustrimi duhet të jetë sa më i detajuar, ku të përcjellë momentin e historisë së njërës prej përrallave, brenda formatit A3 që ata do ta krijojnë në Qendrën tonë". 


Do të kemi tre çmime fituese, ku përveç certifikatave të vlerësimit sipas renditjes do të dhurohen dhe kolanat e klasikëve nga Shtëpia Botuese Albas. Punimet fituese do të publikohen si një ekspozitë online nga Qendra për Hapje dhe Dialog dhe njëkohësisht në “Panairin e Librit 2024” nga presidentja e shtëpisë botuese “Albas” Rita Petro.


Koçibelli thekson se përmes këtij konkursi, nxënësit inkurajohen të zhvillojnë një marrëdhënie më të thellë me librin dhe artin. “Leximi i përrallave stimulon imagjinatën e fëmijëve dhe u ndihmon atyre të eksplorojnë skenarë të ndryshëm, të cilët më pas mund t’i pasqyrojnë përmes artit të tyre,” shprehet ajo. Përmes ilustrimeve, fëmijët janë të ftuar të përjetojnë historitë që kanë lexuar dhe t’i transformojnë ato në krijime artistike. 


Në përfundim të konkursit, COD synon të vazhdojë mbështetjen e artistëve të rinj përmes aktiviteteve të tjera të ngjashme, duke përfshirë promovimin e tyre në hapësira publike dhe organizimin e ekspozitave. Me një program të vazhdueshëm që përfshin promovimin e artistëve dhe shkrimtarëve të rinj, COD synon të ndërtojë një platformë të qëndrueshme për krijimtarinë e rinisë shqiptare. 



Ky konkurs është një shembull i qartë i angazhimit për të ruajtur dhe kultivuar dashurinë për librin dhe artin tek brezat e rinj, duke i ofruar atyre mundësi të rralla për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’u bërë pjesë e botës artistike dhe letrare të vendit.

Jetona Koçibellit, Drejtoreshë e Drejtorisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog


Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

943 Lexime
1 muaj më parë