Shpallen fituesit e konkursit “Poetët e së ardhmes” nga Albas Kosovë

Albas Kosovë shpalli fituesit e konkursit “Poetët e së Ardhmes”, ku morën pjesë mbi 100 poezi nga fëmijë të talentuar. Çmimin e parë e fitoi Zana Elezaj me poezinë “Terapi pa zë”. Ky konkurs inkurajoi krijimtarinë dhe pasionin për poezinë, duke ofruar një hapësirë të re për talentet e rinj.

Albas Kosovë ka shpallur fituesit e konkursit të poezisë “Poetët e së Ardhmes”, një garë e cila ka mbledhur mbi 100 poezi nga fëmijë të moshave të ndryshme. 


Ky konkurs, i organizuar në kuadër të Ditës së Poezisë (21 mars), inkurajoi krijimtarinë dhe pasionin për poezinë, duke ofruar një hapësirë të re për talentet e rinj.


“Ju falënderojmë të gjithë për pjesëmarrjen! Ishte një kënaqësi e madhe të lexonim krijimet tuaja, të cilat reflektonin imagjinatën dhe talentin tuaj të jashtëzakonshëm. Urojmë që ky konkurs të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë në botën e artit letrar,” – u shprehën organizatorët.


Pas një përzgjedhjeje të kujdesshme, juria ka vendosur fituesit si më poshtë:


Vendi i parë:

“Terapi pa zë” – Zana Elezaj


Vendi i dytë:

“Dita e poezisë” – Helena Hajdari

“2024…” – Arsa Ismaili


Vendi i tretë:

“Vëllau im” – Jara Kallaba

“Libri im” – Diella Neziri

“Gara” – Eliks Elezi


POEZITË FITUESE


VENDI I PARË


"Terapi pa zë" - Poezi nga Zana Elezaj 


Shkruaj, mbase jam qenie librash,

Fjalë e rresht me ndjenja qëndisur,

Ti fletë e bardhë porsi fontanë çudirash,

Seç e ndiej më je molisur?


Terapi e shpirtit më je ti,

Më dëgjon e dot s'rënkon,

Në detin e mendimeve pa kufi,

Ditë e natë me mua noton.


Papafingo e pluhurosur përjetimesh,

Që të ngjallin kërshëri,

Çaste gëzimi e mallëngjimesh,

I mbërthen plot nostalgji.


Andaj të dua ty, copë letre,

Simfoni e tingujve të vetmisë,

Vatër qetësie prej çdo lloj kthetre,

Oazë në shkretëtirën e monotonisë.



VENDI I DYTË


"Dita e poezisë" - Poezi nga Helena Hajdari


Dita e poezisë së shpejti po vjen,

Më 21 mars në pritje na gjen,

Poetët e vegjël lexuan në konkurs,

Shtëpia “Albas” do t’i zgjedh fitues.


E mora lapsin të shkruaj një poezi,

Kam shumë tema që unë i di,

Por, sot mendova për dashurinë 

që ju fëmijëve ia keni lakmi.


Tani po ju them lamtumirë,

mos na harroni ju përsëri,

na motivoni të shkruajmë poezi

E kush fiton nuk ka rëndësi.



"2024…" - Poezi nga Arsa Ismaili


Në këtë vit që po largohet ngadalë,

mësova se jeta s’është veç një lojë fjalë.

Në kthesat e vitit mësova të jem,

një vajzë që kërkon përtej çfarë duket në skemë.


Jo thjesht një numër në kalendar të zbehtë,

por një udhëtar që kërkon kuptim në jetë.

Ndryshimi më sfidoi, në stuhi rrëmbyeshëm,

nevojë për guxim, për shpirt të pathyeshëm.


Në shkollë të re, mes fytyrash të panjohura,

diku e përhumbur mes diskutimeve të përfolura.

Më hodhi në ujëra, ku s’kisha lundruar,

për të zbuluar forcën brenda mendjes së qëndruar.


Gabimet nuk ishin më pika të errëta,

por udhëzues që ndriçuan rrugë të fshehta.

Fillova të përqendrohesha në artin poetik,

ku në çdo gjë gjeta një thesar unik!




VENDI I TRETË 


Vëllau im - Poezi nga Jara Kallaba


Vëllau im është lazdran,

ai sillet si Tarzan.

Sa herë mami e qorton,

ai me vrap më përqafon.


Vëllau im gjithçka më tregon,

asnjëherë nuk më lëndon.

Pa të shtëpia është në qetësi,

çdo ditë na jep kënaqësi.



Libri im - Poezi nga Diella Neziri 


E kam shokun më të mirë

Që më shoqëron në çdo hap

Loz me shokët me dëshirë

Por tek libri kthehem vrap.


E shfletoj me dashuri

Me kujdes duke e shikuar 

Më mësoj shumë gjëra që s’i di

Sot unë jam një vajzë e zgjuar.



Gara - Poezi nga Eliks Elezi


Për breshkën dhe lepurin 

Mësova në shkollë

Lepuri shumë i shpejtë

Por garën s’e fitoi.


Me vete pyeta 

“Ç’është kjo çudi?”

Fiton i ngadalti

Në garën për shpejtësi.


Më vonë e kuptova 

Që nëse do të fitosh 

Më shumë se këmbët e shpejta

Të duhen mend në kokë.






Albas Kosovë fton të gjithë të rinjtë e pasionuar pas poezisë të ndjekin aktivitetet e ardhshme, të cilat do të ofrojnë mundësi të reja për të shprehur dhe zhvilluar talentin e tyre.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

272 Lexime
4 ditë më parë