KARTËMONEDHAT

BSH-ja korrigjon gabimet në kartëmonedhat tona. Ja kartëmonedhat e reja

Pas konstatimeve të gabimeve drejtshkrimore në kartëmonedhat tona nga redaktorja Sevi Lami, Banka e Shqipërisë korrigjon gabimet në prerjet e reja të kartëmonedhës me vlerë 5000 lekë, dhe pak muaj më parë edhe ato me vlerë 500 lekë.

Tani gjuha shqipe respektohet denjësisht edhe te paratë tona


Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë bëhemi seriozë dhe shfaqim interes të madh, veçanërisht që t’i kemi ato. Por rrallëherë e shikojmë një kartëmonedhë me syrin kritik, apo thjesht me vëmendje nëse ajo është shkruar saktë nga ana drejtshkrimore.


Pas konstatimeve të gabimeve drejtshkrimore në kartëmonedhat tona nga redaktorja e shtëpisë botuese “Albas”, Sevi Lami, Banka e Shqipërisë korrigjon gabimet në prerjet e reja të kartëmonedhës me vlerë 5000 lekë, dhe pak muaj më parë edhe ato me vlerë 500 lekë.


Redaktorja Sevi Lami prej vitesh kishte vërejtur se në kartëmonedha ka gabime drejtshkrimore dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën “ë”-së dhe “ç”-së që mungojnë, sepse këtë mund ta justifikojmë me çështje dhe aftësi teknike, që në ditët e sotme edhe ky korrigjim është shumë i lehtë, por flasim për shkrimin gabim të numërorëve shprehje, si: “Pesë mijë lekë”, “Një mijë lekë”, “Dy mijë lekë”, që shkruhen ndaras, por që në paratë tona i gjejmë: “Pesëmijë lekë”, “Dymijë lekë”, “Njëmijë lekë” etj. Për këtë, Lami publikoi artikullin me titull  “Leku, një shekull i shkruar gabim!”, si një thirrje për të korrigjuar këto gabime në kartëmonedhat tona. Një shekull që e qarkullojmë nëpër duar, që e kemi pjesë të pandarë dhe të rëndësishme të jetës sonë. 

Pas shkrimit të Lamit, Banka e Shqipërisë premtoi se do t’i korrigjonte këto gabime te prerjet e reja të kartëmonedhave tona. 


Sot erdhi dita, që nëpër duar qarkullojmë kartëmonedha të shkruara saktë dhe pa gabime drejtshkrimore, dhe kjo na bën krenarë ne, si shqiptarë! Tani shqipja shkruhet pastër dhe pa gabime edhe te paratë, që kishin një shekull që shkruheshin gabim! Te prerjet e reja të kartëmonedhave këto gabime janë korrigjuar dhe sot kemi paratë tona të shkruara me një shqipe të pastër nga ana gjuhësore.  



Është koha që të ruajmë dhe mbrojmë gjuhën shqipe!


(Përgatiti P.Shtini; Portali Shkollor)

9,048 Lexime
5 vjet më parë