Baudelaire flet shqip me “Lulet e së keqes”/ 5 dekadat që iu deshën përkthyesit
Një inetrvistë me Primo Shllakun, përkthyesi i dy titujve të rinj që solli “Albas” për këtë edicion të Panairit të Librit. Në një takim me lexuesit, ai rrëfeu kohën që i është dashur për të sjellë Charles Baudelaire në shqip.
Primo Shllaku është përkthyesi i dy titujve të rinj që solli “Albas” për këtë edicion të Panairit të Librit. Në një takim me lexuesit, ai rrëfeu kohën që i është dashur për të sjellë Charles Baudelaire në shqip. Në këtë intervistë, Shllaku përmend 5 dekadat që iu deshën, për të sjellë “Lulet e së keqes” së Baudelaire, ku nënvizon përkushtimin dhe angazhimin. Ndërsa gjykimin ia lë në dorë lexuesit…
Z. Shllaku, përse morët një kohë kaq të gjatë për të sjellë Charles Baudelaire në shqip?
Unë e kam treguar vetëm si kohëzgjatje. Nuk kam dashur të kondicionoj as cilësinë, edhe as diçka tjetër që ka lidhje me cilësinë, thjesht unë kur kam përmendur 5 dekadat me të cilat unë jam marrë, kam nënvizuar që përkushtimi dhe angazhimi im për poemat e Baudelaire ka qenë maksimal. Pastaj sesi ka dalë, a është përkthyer 50-vjecari edhe në cilësi kjo është diçka të cilën e vendos kritika dhe lexuesi.
Ju si përkthyes, si jeni ndier gjatë kohës që e keni përkthyer, a ka qenë një punë e vështirë dhe cilat kanë qenë përjetimet tuaja?
Ajo ka qenë një punë tmerrësisht e vështirë, ka qenë një punë shumë e gjatë përgatitore. Unë një pjesë të madhe të poemave, sidomos ato kryesore i kam përkthyer disa herë dhe shpesh herë ka qëlluar që kam lënë diçka të mirë te një poemë dhe kam marrë dicka tjetër të cilën unë e kam konsideruar si më të rëndësishme në lidhje më kriteret paraprake që unë i kam vendosur përkthimit në mënyrë që të dali një variant sipas projektit tim.
Po lidhur me “Metamorfozën”? Franz Kafka ka ardhur edhe më herët në shqip, por çfarë e bën të veçantë këtë risjellje tuajën?
Nuk e di. Unë gjithmonë e kam lexuar në gjuhë të huaj dhe të them të drejtën kur e kam filluar përkthimin kam patur parasysh vetëm një variant, atë italisht, por gjithmonë kam pasur kujdesin që ajo gjermanishtja e frazave të gjata me shumë fjali nënrenditëse edhe me situateë shumë të ngarkuara dhe të komplikuara gjuhësore, në shqip të përkthehet në një sintaksë më të çlirët, më të qetë, më horizontale dhe mua më është dashur t’a fragmentarizoj sintaksën e gjermanishtes për të ardhur në një strukturë sintaksore më afër gjuhës së sotme të folur.
Po lidhur me Panairin e Librit, si e shihni këtë edicion të 21 të tij?
Tashmë është një aktivitet rutinë. Ditën e parë përshembull konstatova që kishte shumë pak njerëz. Edhe vjet apo parvjet, natën e parë ka patur më tepër frekuentim qoftë edhe nga kureshtarët, por sonte (dita e dytë) e shoh që ka një rritje të fluksit të vizitorëve dhe ma merr mendja se kjo mund të përkthehet edhe në shitje, edhe në xhiro, ma merr mendja, por sonte situata më duket më pozitive nga pikëpamja e frekuentimit edhe e kallaballikut që ka. Mbrëmë ishte e kollajshme të ecje, mund të bëje edhe patinazh (qesh), ndërsa sonte duhet të shtysh njerëz që të ecësh.
Z. Shllaku, ju falënderoj për këtë bisedë. Nëse doni të shtoni diçka tjetër…
Do të thoja se Shtëpia Botuese “Albas” po merret me punë shumë delikate dhe kam idenë se ka një nuhatje për një përzgjedhje shumë speciale dhe unë mendoj se të gjithë ata njerëz që punojnë si përkthyes edhe merren me realizimin e projektit të kësaj Shtëpie Botuese duhet të ndiejnë një përgjegjësi, e cila është e lartësisë së kujdesit që tregon zonja Rita, botuesja.
Librin "Lulet e së keqes" mund ta porosisni këtu
Librin "Metamorfoza" mund ta porosisni këtu
(Portali Shkollor)
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Thuaji JO bullizmit!
Mesazhet më të bukura të nxënësve shqiptar për Ditën e Tokës në Portalin Shkollor