“Asnjë ndërhyrje politike në autonominë universitare”
"Janë të parat zgjedhje ku qeveria shqiptare kritikohet se pse nuk ndërhyri në zgjedhjet në universitete. Janë të parat zgjedhje ku draft rregullorja u konsultua me të gjitha IAL-të"
Një godinë e re moderne i shtohet Korpusit Qendror të Universitetit të Tiranës. Një godinë bashkëkohore e pajisur me ambiente në funksion të zhvillimit të procesit mësimor dhe punës kërkimore shkencore për studentët dhe pedagogët.
Projektimi dhe zbatimi i këtij objekti katër katësh është zhvilluar tërësisht në përputhje me kërkesat dhe nevojat që duhet të plotësojnë ambientet, me specifikë studimin e degëve inxhinierike, siç janë Standardet Shtetërore të Cilësisë.
Ky investim është i shtrirë në një sipërfaqe ndërtimi totale rreth 8 mijë metra katrorë, ku përfshihen 24 klasa me sipërfaqe rreth 1 500 metra katrorë, 6 salla leksionesh me sipërfaqe rreth 800 metra katrorë, 8 laboratorë me sipërfaqe afro 600 metra katrorë, si dhe zyra për stafin mësimor e atë administrativ. Ndërkohë që janë 3000 metra katrorë sipërfaqe e gjelbër, e cila mendohet të shërbejë si ambient relaksues për studentët.
Ky objekt i ri dijesh pritet të përmirësojë kushtet e mësimdhënies për studentët, në përgatitje të tyre për tregun e punës.
Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në ceremoninë e inaugurimit të godinës së re të Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës:
Përshëndetje të gjithëve!
Bashkohem me urimin e rektorit drejtuar pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Politeknik, ta gëzojnë godinën e re, klasat dhe auditoret modern dhe bashkëkohore. Është një investim që qeveria shqiptare po bën në arsimin e lartë, investim që do të pasohet edhe në të ardhmen.
Fakti që këtu shikoj shumë përfaqësues edhe nga universitetet e tjera të Tiranës, shumë ndër ta që nesër garojnë për t’u përzgedhur si fitues në garën për dekanë, rektorë, shefa departamentesh, do doja të ndaja me ju disa fjalë.
Sot, është dita e heshtjes zgjedhore dhe në respekt të saj besoj se secili prej jush tërhiqet në këndin e vet të reflektimeve. Lejomëni të ndaj me ju disa prej sfidave të përbashkëta në këtë garë zgjedhore në universitetet publike. Si çdo garë edhe kjo ka pasur sfidat e veta, e secili prej jush është përballur me këto sfida.
Unë si ministre e Arsimit do doja të kujtoja disa nga sfidat e mia personale. Kam marrë shumë telefonata. Kam bërë shumë debate me miq, me kolegë me të njohur e me kundërshtarë, se pse Edi Rama, pse unë, pse PS, po i lë zgjedhjet në rrjedhën e tyre të lirë. Pse qeveria nuk ndërhyri për të zëvendësuar rektorët aktual dhe për të komanduar disa të tjerë?! Pse jo, tanët?! Ata që ishin të identifikuar me PS apo me koalicionin. Pse nuk i shtymë zgjedhjet?! Përgjigjja jonë ishte dhe është po ajo! Jemi të vendosur për ta larguar politikën nga arsimi, jemi të vendosur për ta larguar ndërhyrjen e qeverisë nga universitetet sepse besojmë fort që universitetet janë institucione autonome, ku liria akademike kushton shtrenjtë ndaj dhe ne vijuam së bashku në këtë garë, që është nga garat më model që do të impaktojë nesër edhe shoqërinë shqiptare.
Janë të parat zgjedhje ku qeveria shqiptare kritikohet se pse nuk ndërhyri në zgjedhjet në universitete. Janë të parat zgjedhje ku draft rregullorja u konsultua me të gjitha IAL-të. Janë të parat zgjedhje ku nuk pati ndryshime të rregullores në proces. Janë të parat zgjedhje ku ka zero ankimime apo paqartësi për shkak të rregullores.
Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk pamë e nuk dëgjuam, dhe sikur nuk komunikojmë me çdo problematikë.
Tre ditë më parë një ngjarje e shëmtuar, e papranueshme, u bë fakt në komunikimin tonë. Falë ndërhyrjes së organizmave të drejtësisë, qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme, kush guxoi të cënonte autoritete e arsimit të lartë po përgjigjet përpara drejtësisë.
Ajo që është e rëndësishme është të jemi edhe më të bashkuar për të vijuar garën demokratike dhe për ta finalizuar nesër në një proces të hapur, të pastër e të ndershëm zgjedhor.
Ju bëj thirrje të gjithë studentëve e pedagogëve që ta përmbyllim me sukses këtë garë model që jam shpresë plotë që do të impaktojë edhe shoqërinë për nga niveli i demokracisë.
Do të zgjedhim 14 rektorë, 55 dekanë fakultetesh, mbi 155 shefa departamentesh dhe qendrash kërkimore. Mbi të gjitha do të jetë gara e parë ku qeveria dhe politika nuk ndërhyri.
Suksese dhe mbarësi!
Tirana mban rekord për numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%
Hartimi i planit vjetor të shkollës për nxënësit me AK