“Bëhuni mësuesit që do të donit të kishit pasur!”, letër për kolegët nga mësuesja Irida Xhura
Me rastin e festës së 7 Marsit, një letër në trajtë reflektimi dhe urimi vjen për të gjithë kolegët e saj, nga Irida Xhura, mësuese e lëndëve Gjuhë shqipe dhe Letërsi në shkollën "Tomorrow's Education System" në Tiranë.
Tiranë, më 07 mars 2023
Miq,
Është dita jonë sot.
Ju kujtohet vetja në bankat e shkollës? Cili imazh ju shfaqet? Me siguri secili prej nesh e ka një mësues që i gdhendi një vlerë, e një tjetër që e shtyu të bëhet më i fortë.
(A urove ndonjë nga ish-mësuesit e tu?)
Nuk është vetëm një festë, është një ditë reflektimi, vlerësimi, shkëmbimi, mirënjohjeje.
Ne jemi shpesh në dyzime për zgjedhjen e punës sonë, sepse ndryshe nga të tjerat, kjo jona nuk është vetëm një punë.
Është një mision!
Kur bëhesh mësues, bëhesh mësues brenda dhe jashtë punës, bëhesh model publik dhe ndonjëherë ndihesh si “VIP” i vëzhguar.
Duhet të jesh i përkorë!
Ajo që ne bëjmë ka një ndikim të pashlyeshëm në kohë: çdo fjalë e çdo veprim yni është një model, çdo buzëqeshje është një mbështetje, çdo sugjerim a vërejtje është një mësim.
(Unë nuk i kujtoj sot ekuacionet apo derivatet, por kujtoj me shumë mirënjohje e përulësi zërin e butë dhe durimin e pashembullt të profesorit tim të matematikës.)
Ne përcjellim urtësinë e jetës përmes fjalëve dhe veprave tona!
Vetëm ne, mes njëri-tjetrit, arrijmë ta kuptojmë peshën që mbajmë mbi ndërgjegje, ndaj unë dua t’ju them:
Ndihuni krenarë për veten!
Nuk është vetëm një festë, është një ndalesë për të kuptuar sa të rëndësishëm jemi me atë që bëjmë çdo ditë, sa të pazëvendësueshëm jemi për atë që rritet çdo ditë, sa të mrekullueshëm jemi për durimin e dëshirën e pashtershme për dije e zhvillim.
Nëse zëri brenda vetes të thotë të vazhdosh, atëherë misioni që ke zgjedhur të përket.
Unë ju uroj durim e kthjelltësi!
Bëhuni mësuesit që do të donit të kishit pasur!
Me dashuri,
Irida
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Festojmë 28-29 nëntorin!
Për ty nëna ime, sepse nënat janë frymëzim i jetës