STUDIM

Ariana Isufi: Të mësuarit vetërregullues, roli i prindërve dhe mësimdhënësve në këtë proces

Vetërregullimi i referohet shkallës në të cilën nxënësit janë përgjegjës për të mësuarit e tyre duke u angazhuar në vendosjen e qëllimeve të qarta, zgjedhjen apo vendosjen e strategjive për përmbushjen e angazhimeve, monitorimin, vlerësimin dhe reflektimin mbi punën e tyre.

Një nga qëllimet më të rëndësishme të reformës në arsim duhet të jetë promovimi i aftësive të nxënësve për të mësuar si të mësojnë. Në mënyrë që të zhvillojnë aftësinë e nxënësve për të mësuar si të mësojnë, kërkohen strategji të përshtatshme dhe efektive të mësimdhënies, por jo vetëm, sepse edhe prindërit janë ata të cilët me praktikat prindërore, ndikojnë që t’i stimulojnë fëmijët rreth të nxënit vetërregullues dhe gjithashtu përfshirja e prindërve luan rol kyq në arritjet akademike. Prindërit zhvillojnë stile të ndryshme të bashkëveprimit me fëmijët e tyre, dhe ata ndryshojnë në mënyrën se si përpiqen të kontrollojnë ose të shoqërojnë fëmijët e tyre dhe shkallën në të cilën e bëjnë këtë. 


Vetërregullimi si një komponent i rëndësishëm për zhvillimin e mësimit efektiv në klasë dhe më gjerë, përkufizohet si proces përmes të cilit aktivizohen dhe mbahen të sistemuara mendimet, sjelljet dhe emocionet që të arrihen qëllimet e synuara rreth të nxënit (Zimmerman & Schunk, 2011). Vetërregullimi i referohet shkallës në të cilën nxënësit janë përgjegjës për të mësuarit e tyre duke u angazhuar në vendosjen e qëllimeve të qarta, zgjedhjen apo vendosjen e strategjive për përmbushjen e angazhimeve, monitorimin, vlerësimin dhe reflektimin mbi punën e tyre. Nxënësit e angazhuar në proceset vetërregulluese arrijnë nivele më të larta në aspektin personal, akademik, profesional si dhe në kontekste të ndryshme sociale. 


Strategjitë e të nxënit vetërregullues janë teknika përmes të cilave nxënësit marrin pjesë aktive në të mësuarit e tyre dhe marrin përgjegjësi për të inkurajuar veten për të kuptuar materialet me të cilat merren, për të kryer detyra, për të monitoruar veten, për të vlerësuar pikat e forta dhe dobëta të tyre dhe për të marrë veprime korrigjuese bazuar në raportet e vetëvlerësimit. 


Në tërësi procesi i të mësuarit tek nxënësit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për arritjet e tyre në shkollë por edhe në përmbushjen e qëllimeve afatgjata. Studime të shumëta tregojnsë se në mungesë të strategjive specifike rreth të mësuarit, nxënësit ballafaqohen me dështim në shkollë. Andaj, në këtë drejtim, e një rëndësie të veçantë është që nxënësit të kenë një repertor strategjik të të nxënit si dhe të monitorojnë dhe vlerësojnë përparimin e tyre, mirëpo që të arrihet kjo padyshim që prindërit dhe mësuesit janë ata të cilët përmes shkathtësive dhe mjeshtrisë ndihmojnë nxënësit të bëhen të pavarur në përputhje me rrethanat. Mbështetja nga prindërit dhe mësimdhënësit nuk është gjithmonë e drejtpërdrejtë, shpesh vjen në formën e reagimeve efektive të cilat përfshijnë informacionin për atë që nxënësit kanë bërë mire, çfarë ata kanë nevojë për të përmirësuar dhe hapat që mund të ndërmarrin për të përmirësuar punën e tyre. Inkorporimi i strategjive të të mësuarit vetërregullues, nuk do të thotë se nxënësit shkëputen tërësisht nga të kërkuarit ndihmë dhe këshilla rreth të nxënit, përkundrazi ata kërkojnë ndihmë në raste të caktuara me qëllim që të bëhen më shumë të pavarur dhe t’i bëjnë përmirësimet e duhura në të ardhmen. Në këto raste, përfshirja e prindërve në edukimin e fëmijëve ka një impakt veçantë sepse nga lidhja emocionale që krijojnë me fëmijët e tyre mund të ndikojnë në rritjen e autonomisë dhe suksesit në shkollë ose anasjelltas pasi që përmes pritjeve që kanë prindërit për fëmijët e tyre dhe mënyra si ua kumtojnë këto pritje ndikojnë në qëndrimet që fëmija krijon fillimisht për shkollën dhe të mësuarit në tërësi. Po ashtu, rëndësia e qasjes së mësimdhënësve ka një rol të rëndësishëm sidomos informimi se nxënësit zhvillohen me ritme të ndryshme dhe strategjitë që punojnë më mirë për një nxënës mund të mos jenë të efektshme gjithmonë me të tjerët (Felder & Brent, 2005). 


Strategjitë prej të cilave udhëheqet të mësuarit vetërregullues klasifikohen në tre strategji të përgjithshme: 1) strategjitë kognitive të të mësuarit, 2) strategjitë metakognitive dhe 3) strategjitë e menaxhimit. Megjithatë, edhe pse shumica e studiuesve qëndrojnë në klasifikimin e këtyre tre strategjive, ka disa studiues të cilët motivimin e njohin si strategjinë e katërt të të nxënit të vetërregulluar (Boekaerts, 1997; Pressley, 2002; Weinstein & Mayer, 1986). 


Strategjitë njohëse –ekzistojnë tre lloje kryesore të strategjive njohëse: së pari, përpunimi apo elaborimi përmes së cilës krijohen lidhje midis materialit të ri dhe asaj që tashmë është njohur. Së dyti, provat apo përsëritjet, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e informacionit në kujtesë duke përsëritur materialin dhe e treta strategjitë organizative për të vizualizuar materialin për të lehtësuar mësimin. Strategjitë metakognitive – ku dallohen tre faza: E para është faza e planifikimit, e cila ka të bëjë me kohën që i duhet dhënë një detyre, se si duhet filluar, kur duhet filluar, radhën që duhet ndjekur etj. Faza e dytë është monitorimi me ç’rast nxënësi në mënyrë të përsëritur kontrollon nëse e kupton materialin, p.sh. nga vetëpyetjet. Faza e tretë dhe e fundit është ajo e vlerësimit apo e vetë reflektimit, gjatë së cilës nxënësi vlerëson procesin e mësimit duke u kthyer në ato që kanë ndodhur gjatë mësimit dhe pse kanë ndodhur si dhe planifikimi për atë që duhet bërë në të ardhmen. 


Strategjitë e menaxhimit - fokusohen në mjedisin e të mësuarit dhe përdoren për të krijuar kushte optimale të të mësuarit. Nxënësit planifikojnë dhe këmbngulin në raste vështirësishë për të gjetur zgjidhje duke kërkuar ndihmë apo duke bashkëpunuar me të tjerët si dhe duke e organizuar mjedisin fizik (p.sh. duke përdorur fjalor dhe / ose duke shkuar në bibliotekë). 


Strategjitë motivuese – rrisin orientimin drejt qëllimit të të nxënit dhe ndihmojnë në arsyetimin pse merret përsipër një detyrë duke rritur besimin dhe ngritur performancën. Mirëpo, që nxënësi të nxitet në përdorimin e taktikave të të nxënit vetërregullues rol shumë të rëndësishëm luajnë prindërit me anë të qasjeve prindërore duke i mbështetur fëmijët dhe duke u miratuar qëllimet e tyre si dhe mësimdhënësit më anë të metodave dhe praktikave mësimore duke inkurajuar dhe mbështetur zhvillimin e të nxënit të vetërregulluar dhe angazhimin e tyre në klasë. 


Megjithëse, roli i prindërve dhe mësimdhënësve është akoma më i gjerë nga sa duket. Përmirësimet që ndodhin tek nxënësi si rezultat i përfshirjes së prindërve parashikojnë rënie në sjelljet problematike, përmirësime në aftësitë sociale dhe arritje më të larta në shkollë. Gjithashtu, marrëdhëniet e nxënësve me mësuesit e tyre sikurse dhe me prindërit kanë një rol shumë të rëndësishëm, duke ndikuar kështu në lidhjen e nxënësve me shkollën, motivimin, performancën akademike dhe mirëqenien psiko-sociale sepse nxënësit kalojnë shumë kohë në shkollë dhe klasa është burim i shumë prej marrëdhënieve dhe aktiviteteve të tyre ndërpersonale. Mësuesit madje luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe në parandalimin apo zvogëlimin e dhunës mes nxënësve, sjellje këto të cilat e pengojnë të nxënit tek nxënësit. 


Sipas Lotfi dhe Yarahmadi (2014) stilet prindërore përfshijnë një model të përgjithshëm të ndërveprimeve dhe jo një akt të vetëm që formon sjelljen e një fëmije. 


Prindërit zhvillojnë stile të ndryshme të bashkëveprimit me fëmijët e tyre, dhe ata ndryshojnë në mënyrën se si përpiqen të kontrollojnë ose të shoqërojnë fëmijët e tyre dhe shkallën në të cilën e bëjnë këtë.


Baumrind (1971) përcaktoi tre stilet e prindërimit: stilin autoritativ, stilin autoritar dhe stilin  tolerant. 


Stili autoritativ i prindërimit – përfaqëson stilin më të suksesshëm prindëror, janë gjithashtu të dashur dhe të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre, dëgjojnë mendimet e fëmijëve dhe ju japin shpjegime për vendimet e tyre. Fëmijët e prindërve autoritativ zakonisht janë më kurreshtarë, më me besim në vetvete, më të pavarur dhe më të përgjegjshëm nga pikëpamja  shoqërore. 


Prindërit autoritar - karakterizohen si tepër kërkues, ushtrojnë kontroll të fortë mbi sjelljet e fëmijëve të tyre dhe i detyrojnë të zbatojnë kërkesat e tyre me kërcënime dhe  ndëshkime. Fëmijët e të cilëve shqetësohen me lehtësi duke shpalosur sjellje të paqëndrueshme, agresivitet dhe probleme të sjelljes. 


Prindërit tolerant - janë të dashur, shumë mbështetës dhe emocionalisht të ndjeshëm.  Ata vendosin shumë pak kufizime në sjelljet e fëmijëve megjithëse, japin një pranim dhe inkurajim për fëmijët e tyre, ata japin shumë pak në lidhje me strukturimin dhe parashikimin. Fëmijët e prindërve tolerant kanë veti të jenë të papjekur, të pa respektueshëm, impulsiv dhe jashtë kontrollit. 


Përveç prindërve, një rol të rëndësishëm në të mësuarit vetërregullues tek nxënësit luajnë edhe mësimdhënësit në ndërveprim me nxënësit. 


Ndërveprimi përkufizohet si shkëmbim sjelljesh në kohë reale të dy ose më shumë pjesëmarrësve, p.sh. mësues – nxënës (Markey, Lowmaster & Eichler, 2010). Ndërveprimi efektiv ndërtohet kur mësimdhënësit i inkurajojnë nxënësit në zhvillimin e aftësive të rëndësishme në zgjidhjen e detyrave në klasë, zhvillimin e njohurive fleksibile, inkurajojnë në analizimin dhe vlerësimin e informacionit si  dhe ndihmojnë nxënësit se si të mësojnë duke u dhënë feedback të vazhdueshëm dhe duke trajtuar butësisht mendimet, besimet dhe ndjenjat e nxënësve në shkollë në mënyrë që nxënësit të ndjejnë mbështetje emocionale. Në anën tjetër, ndërveprimi jo efektiv mësimdhënës-nxënës rezulton në mungesën e inkurajimit për nxënësit rreth zhvillimit të njohurive të reja.

Janë dy dimensione të sjelljes të cilat ndërtojnë ndërvepimin mësimdhënës – nxënës:  Dimensioni i dominimit tregon mënyrën se si mësuesi drejton dhe kontrollon komunikimin  me nxënësit, gjersa dimensioni i afërsisë tregon shkallën e bashkëpunimit midis  mësimdhënësit dhe nxënësit. Të dyja këto dimensione përshijnë 8 lloje të sjelljeve të mësuesve. Sjelljet si: strikt, qortues, i pasigurt, i pakënaqur me nxënësit e përbëjnë - dimensionin e dominimit, kurse katër tipet tjera të sjelljes si: miqësor, i kuptueshëm, lider dhe mësues që u jep nxënësve liri të jenë përgjegjës për sjelljet e tyre e përbëjnë dimensionin e afërsisë (Wubbels & Brekelmans, 2005). 


Përveç faktorëve me ndikim në të mësuarit vetërregullues, studiuesit Isaacson dhe Fujita (2006) pohojnë se vetërregullimi në të nxënë shihet të jetë një parashikues i suksesit në shkollë sepse nxënësit që priren të jenë më vetërregullues në zgjidhjen e detyrave të ndryshme janë në gjendje t’i aplikojnë njohuritë aty ku është e nevojshme, të përfitojnë njohuri të reja në mënyrë që t’i ndërtojnë dhe t’i modelojnë idetë e tyre sa më suksesshëm.


Nga MA. Ariana Isufi- Psikologji Shkollore dhe Këshillimi



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,698 Lexime
3 vjet më parë