Anna Kove dhe romani “Kafsha e zemrës”: diktaturat janë ende të pranishme
Përkthyesja, Anna Kove, rrëfen për romanin e nobelistes Herta Müller, “Kafsha e zemrës”. Vepra është pritur mirë nga lexuesit shqiptar, pasi tematika e tij lidhet me realitete të pranishme diktatoriale, shfaqur në forma të ndryshme.
“Përveç ngjarjeve shumë të rëndësishme dhe shumë të prekshme për shoqërinë shqiptare, romani ‘Kafsha e zemrës’ përbën letërsinë e vërtetë dhe është një letërsi që i shërben kujtesës. Duke qenë se është një letërsi e tillë, ajo kërkon deduksione të rëndësishme, jo vetëm për të kujtuar ato që kanë ndodhur, por edhe për të shoqërizuar momentet letrare me ato jetësore, që një shkrimtare si Herta Müller jep. Për lexuesin jepet një thirrje e madhe: Të shkuarën e kemi sërish të tashme!”– kështu është shprehur përkthyesja, Anna Kove për “Kafsha e zemrës, që ajo ka sjell në shqip, të nobelistes Herta Müller, me botim të shtëpisë botuese ALBAS. Ajo ka rrëfyer shumëçka jo vetëm për veprën, por edhe për përkthimin në veçanti. Ju ftojmë të lexoni intervistën që përkthyesja ka dhënë për Portalin Shkollor.
Zonja Kove, së fundmi ju keni ardhur pranë lexuesve si përkthyese e një prej kryeveprave të nobelistes gjermane Herta Müller, fituese e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2009. Mund të na flasësh pak për kontaktin e parë me të? Ka qenë nëpërmjet njohjes së veprave të saj si lexuese? E ke takuar autoren? Si ndodhi të sjellësh në shqip “Kafsha e zemrës? Pra, ne jemi të etur të dimë pikënisjen!
Kur Herta Müller mori çmimin Nobël për letërsi, si përkthyese dhe autore unë u njoha nëpërmjet internetit dhe po në atë kohë i propozova asokohe redaktorit të revistës letrare “Mehr Licht” të bënim një dosier të plotë për shkrimtaren nobeliste. Në atë dosier të botuar te Mehr Licht, pas marrjes së Nobelit është një panoramë e jetëshkrimit të Herta Mullerit, e panjohur dhe e padëgjuar për shumë nga lexuesit shqiptar deri në atë kohë. Përveç jetëshkrimit përktheva edhe fjalimin e saj të Nobelit të vitit 2009 me titull “Ke shami?”. Kjo ishte njohja e parë e publikut shqiptar me Herta Müller-in. Për dosierin përktheva edhe disa tregime marrë nga libri i saj i parë, i quajtur shumë i suksesshëm nga kritika. Ky le të themi ka qenë kontakti i parë, pra 10 vjet të shkuara.
Po më pas?
Më pas, në vitin 2015 unë isha bursiste e Kolokiumit Letrat të Berlinit, në një rezidencë autoriale dhe përkthyesish, dhe aty vendosa të përkthej vëllimin me tregime “Niederungen”. Po këtë vit, Herta Müller kishte një mbrëmje leximi në Urania (salla e madhe me lexuesit e saj), ku u takova personalisht me autoren, mora një autograf nga ajo pikërisht për librin që po përktheja në atë kohë. Ky ishte takimi i parë, ku u prezantova si përkthyesja e saj e parë në gjuhën shqipe. Më vonë, nëpërmjet rrjetit Traduki, shtëpia botuese Albas, pati dëshirën e mirë dhe nuhatjen për ta sjellë këtë autore të madhe në shqip, përmes veprës të saj më përfaqësuese, Kafsha e zemrës”, që ka për të folur shumë edhe me lexuesin shqiptar.
Anna Kove me nobelisten Herta Müller, takimi i parë, viti 2015
Cilit zhanri i përket “Kafsha e zemrës”? Çfarë trajtohet në të?
Kjo vepër, ashtu si edhe shumë vepra të Müllerit, trajton ndrydhjen e personalitetit të njeriut në diktaturën dhe regjimin komunist të Çauseskut në Rumani. Specifika, ndryshe nga ajo që ne jemi mësuar të lexojmë nga kjo tematikë, është shumë më e gjerë, pasi ajo vetë i përket një komuniteti që ishte dyfish i persekutuar, komunitetit me prejardhje gjermane që jetonte në Rumani. E gjithë kjo zë një pjesë shumë të rëndësishme të krijimtarisë së Herta Müllerit. Pikërisht “Kafsha e zemrës” trajton këtë temë të madhe: persekutimin në diktaturë, ndrydhjen e individit, frikërat që ka qenia, arratisjen nga vendi, përgjimin nga sigurimi i shtetit të asaj kohe, por në roman trajtohet edhe mënyra se si mund të jetojë një individ në këtë presion, si mund të rritet një fëmijë në diktaturën më të egër të asaj kohe. Personazhi kryesor i veprës, Lola, përshkruan gjithë jetën nëpërmjet përjetimeve dhe marrëdhënieve të saj, jo vetëm brenda familjes dhe komunitetit, por edhe jetën studentore, derisa përfundon në vetëvarje, apo zhdukje përmes varjes, çka nuk del e qartë në fund të romanit.
Sa të përfshiu personazhi kryesor i veprës gjatë përkthimit, studentja e re e gjendur përballë të papriturash? Mendoni se lexuesit do të gjejnë pikëtakime me të?
Besoj se gjithë lexuesit shqiptar do të gjejnë pikëtakime me veprën e Herta Müllerit, pasi ata vetë e kanë kaluar një regjim të egër diktatorial. Aty ka personazhe të cilët kanë mendimin e tyre, por e kanë të pamundur ta shfaqin. Por më lejo të them një detaj, vepra nuk është një vepër e konsumit të përditshëm, domethënë që e bleve dhe e përthithe me lexim të pavëmendshëm. Ajo kërkon një përqendrim të madh dhe një kulturë të lexuesit. Pra, le të themi, kërkon një lexues të kultivuar, pasi autorja flet shumë nëpërmjet simboleve, metaforave dhe nëntekstit. Ka edhe shumë poezi brenda përshkrimeve.
A ka të vërteta të pathëna në këtë roman të kohës së komunizmit, që nuk janë thënë deri më tani?
Herta Muller është shteruese, është e pamëshirshme edhe me vetë veten e saj, me njerëzit e saj. Nëse do të bënim një qasje krahasimore me letërsinë tonë, ku të vërtetat janë vetëm të pathëna, unë sërish do ta përmbyllja këtë me një fjali të sajën në lidhje me diktaturën: “Vërtetë është thënë që gënjeshtra ka këmbë të shkurtra, por e vërteta s’spaska këmbë fare”.
Romani mund të themi që ka pasur interes ende pa dal në treg. Çfarë mendoni se e bën atë tërheqës, nisur nga eksperienca juaj si shkrimtare?
Përveç ngjarjeve shumë të rëndësishme dhe shumë të prekshme për shoqërinë shqiptare, kjo është një letërsi e madhe, dhënë përmes një stili sfidues, është një letërsi që i shërben kujtesës njerëzore dhe të tashmes njerëzore. Duke qenë se është një letërsi e tillë, ajo kërkon deduksione të rëndësishme, refleksione të rëndësishme, jo vetëm për të kujtuar ato që kanë ndodhur, por edhe për të shoqërizuar momentet letrare që një shkrimtare si Herta Müller jep, me ato ngjarje tronditëse të historisë së Europës Lindore. Për lexuesin jepet një thirrje e madhe: Kafshën e zemrës së njerëzve që pjellin diktaturat e kthen të shkuarën sërish në të tashme!
Çfarë impakti ka pasur vetë titulli tek ju?
“Kafsha e zemrës”, është një referencë mbi neologjizmin rumun inimal, që vjen nga shkrirja e fjalëve inimă (zemër) dhe animal (kafshë). Çdo njeri, ashtu siç thotë romani, mbart një kafshë brenda zemrës së tij, që përcakton karakterin dhe mendjen e tij. Këtij titulli nuk kisha pse t’i ndryshoja asgjë. Natyrisht është titull goditës, meditativ. Edhe ne në jetët tona kemi rreth e rrotull njerëz, që i shoqërizojmë ndër mendime me cilësi kafshësh të ndryshme. Kafsha e zemrës së dikujt mund të jetë miu, e dikujt tjetër sorkadhja. Bota jonë është shumë e larmishme, ashtu si pylli; edhe njerëzit kanë gjethe thotë Müller-i. Letërsia e saj është një areal i madh i simbolikave.
Romani patjetër që vjen me mesazhe për ata që do ta lexojnë. Mund të na veçoni njërin prej tyre?
Marrëdhënia e njeriut me frikën! Ne të gjithë kemi frikërat tona. Dikush më shumë e dikush më pak. Mesazhi kryesor i kësaj vepre për mua është: ushqimi ekzistencial i njeriut nuk qenka buka që hamë, ndoshta ndonjëherë as ajri që thithim, por frika e madhe që ndjen nën presione, survejime apo kontrolle. Si ta mposhtim atë?
A do të gjejnë lexuesit përgjigje për frikërat “diktatoriale” që ata mund të kenë?
Po i referohem edhe një herë njërit prej fjalimeve të Herta Müller: “Diktaturat janë ende prani dhe diktatura nuk quajmë vetëm diktaturat e pushteteve por le të themi diktaturat religjoze. Të gjitha diktaturat janë të rrezikshme, të gjitha diktaturat që mbjellin pasiguri, ankth, frikë tek njeriu, të gjitha ato duhet të na i mbajnë sytë hapur.
Ndalemi pak te pjesa e të përkthyerit. Sa e vështirë, ose jo, ishte t’i përshtateshe stilit të autores gjermane Herta Müller?
Ky është një roman që në dukje është i thjeshtë. Autorja rrëfen nëpërmjet fjalive të shkurtra, por ky është një kurth shumë i bukur për lexuesit, sepse në fillim në rolin e përkthyeses mendova sa e thjeshtë qenka. Natyrisht, është kurth i bukur, sepse nëpërmjet thjeshtësisë mund të deduktohen hap pas hap ngjarje të mëdha dhe njëkohësisht mesazhe të mëdha. Romani nuk është i ndarë në kapituj, nuk ka kronologji, i gjithë romani është i ndarë në paragrafë të vegjël kuptimorë drejt një rrjedhë të vetme, që mblidhet në shtratin e madh të të gjithë romanit. Romani fillon njëlloj dhe mbaron njëlloj. Me të njëtat fjali.
Mos ndoshta kjo do të thotë se romani do të ketë vazhdim?
Besoj se po. E vazhdon lexuesi përmes reflektimeve të tij. Ky është edhe suksesi më i madh i një vepre të tillë. Sipas një kritiku të Herta Müller, me çdo fjali të saj mund të ndërtohet një roman. Dilema e madhe e dikurshme shekspiriane “të jesh a të mos jesh”, në këtë roman vjen në formën: të flasësh, apo të heshtësh?!
A hasët ndonjë vështirësi gjatë përkthimit të romanit dhe nëse po cilat ishin ato?
Kam hasur shumë vështirësi, sepse Herta është shumë simboliste në këtë roman dhe të çon në realitete të panjohura. Përkthimit m’u desh t’i kthehesha dy herë. Autorja përdor shumë kompozita. Gjuha gjermane është e njohur për këtë fenomen gjuhësor që tek nobelistja është edhe stilistik. Tek Herta Müller ka bimë që flasin, ka pemë që flasin, ka shpjegime ngjarjesh përmes emra lulesh, që shumë prej tyre nuk ekzistojnë në shqip. Marrëdhëniet e personazhe me njërit-tjetrin dhe marrëdhënia që ata krijojnë indirekt me lexuesin janë gjithashtu shumë shtresore. Aty gjithashtu janë të pranishëm disa grupe të ndryshme kulturore. Gjithsesi kontakti apo marrëdhënia e shpeshtë me përkthimin, apo me përkthyesit e autores në gjuhë të ndryshme, më ka bërë që shpesh edhe vështirësitë që kam hasur t’i kapërcej për të mos i krijuar vështirësi lexuesit.
Si i përzgjedh librat që përkthen? Nga çfarë nisesh për t’i dhënë lexuesve një libër të përkthyer nga ty?
Duke qenë se jam vetë autore, mundohem që të përkthej ato romane që stilistikisht më tërheqin. Më shumë ndikohem nga vepra që japin mesazhe pwrtej tematikës; kryesisht edhe prej stilit, kështu që është sfidë të përkthesh vepra stilistikisht të vështira.
Libri më i veçantë që keni përkthyer?
Vazhdoj të mendoj se janë poezitë e Paul Celan-it, poeti i quajtur i papërkthyeshëm, ai që e ktheu vdekjen në lirikë, ai që i dha frymë lirikës gjermane pas Luftës. Në kohën e Holokaustit çdo gjë u bë hi, ai i dha përgjigje pyetjes: “A ia ja vlen të ketë lirikë pas Holokaustit? Paul Celan ishte poeti që tronditi dhe vazhdon të trondisë lexuesit me lirikën e tij pas kësaj ngjarjeje.
Kur përktheni a i ndjeni personazhet?
Marrëdhënia e përkthyesit është e njëjtë me lexuesit pasi përfundon veprën. Mua më pëlqejnë shumë personazhet komplekse, ata që kanë metamorfoza të çuditshme brenda vetes. Të njëjtin personazh e kam dashur dhe e kam urryer me të njëjtën fuqi në romanin “Kafsha e zemrës”.Kjo ishte Tereza. Do ta njihni kur ta lexoni vetë.
Si ka ndikuar përkthimi te ju në jetën profesionale por edhe personale?
Çdo njeri maturohet shumë kur lexon; e natyrisht edhe kur përkthen libra të tillë të këtyre përmasave. Të njëjtën gjë mund të them për ndikimin që më ka dhënë përkthimi në jetën personale. Duke bashkëjetuar me personazhet, ti bëhesh më i përgjegjshëm, më i matur, më i mirë, por bëhesh edhe më reagues. Ndodh të të rritet kurajoja edhe për disa gjëra që në kushte të tjera do të heshtje. Por njëkohësisht edhe të heshtësh, kur ke guxuar më shumë se ç’duhej për disa gjëra të tjera. Unë them se ato përkthime që kam bërë më kanë ndryshuar për mirë! Por i kanë ndihmuar shumë edhe formimit e komunikimit tim ndërkulturor.
(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
65 tituj të rinj, ALBAS ju pret në Panairin e Librit!
"Më quajnë Nexhmije Pagarusha", intervistë me autoren Meliza Krasniqi
“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri