Përurohet Abetarja Mbarëkombëtare nga ALBAS

ALBASI përuron Abetaren Mbarëkombëtare, prof. Xhevat Lloshi: “Nuk është keq të jenë disa abetare...”

ALBASI përuroi në Panairin e Librit në Prishtinë Abetaren Mbarëkombëtare. Ky aktivitet mblodhi bashkë studiues, gjuhëtarë, pedagogë e mësues, prindër e fëmijë. Abetarja Mbarëkombëtare, ndonëse ka pak muaj që është botuar, ka marrë vlerësime nga ekspertë të arsimit, mësues e prindër...

 Abetarja Mbarëkombëtare është libër fizik dhe digjital, që ofron të mësuarit interaktiv të gjuhës shqipe përmes materialeve multimediale.


Paketa e Abetares Mbarëkombëtare është hartuar si një projekt i përbashkët i një grupi pune nga: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva. Autorët e saj janë: Xhevat Lloshi, Shpëtim Elezi, Natasha Pepivani, Naim Berisha, Mirela Tërova, Alida Thaçi, Vehbi Kadriu; recensentët dhe konsulentët didaktë: Qenan Hetemi, Ilda Alushaj, Sebeate Azizi; ilustrueset Ledia Kostandini, Semela Mero; dizajnere: Eva Kukaleshi, redaktore përgjegjëse Ervisa Paloka; ideoi dhe drejtoi grupin e punës Rita Petro. 

Kjo abetare ishte pjesë e konkursit të shpallur nga të dyja ministritë e arsimit në Shqipëri dhe në Kosovë. Meqenëse ky konkurs e përjashtoi tekstin alternativ, fituese do të dilte vetëm njëra prej  abetareve konkurruese, e cila po përdoret në shkollë që prej shtatorit të vitit 2022, me autorë:  Mimoza Gjokutaj, Tereza Babasuli, Saranda Pozhegu, Naser Zabeli (Pegi dhe Dukagjini).


Në Panairin e Librit të Tiranës, 2022,  u përurua njëra nga abetaret konkurruese, ajo e shtëpisë botuese Mediaprint, me autore: Dhurata Shehri, Persida Asllani, Linda Mëniku, si një abetare në treg të lirë, pa pasur të drejtën e përzgjedhjes nga mësuesit për t’u përdorur në shkollë. E njëjta situatë vlen edhe për Abetaren Mbarëkombëtare botuar nga Albas. 


Sipas botueses Rita Petro, grupi i punës dhe redaksia vendosën ta botojnë këtë abetare, duke qenë të vetëdijshëm për vlerat e saj si tekst fizik dhe digjital. Nuk është hera e parë që Albas ka në treg një libër abetareje, madje me të njëjtin titull, i cili për 14 vjet ka qenë njëra nga abetaret më të kërkuara prej prindërve dhe mësuesve në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë.

 

Abetarja Mbarëkombëtare e re është ndërtuar në përputhje me kurrikulën e përbashkët Shqipëri-Kosovë, si dhe më përtej, përshtatet edhe me kurrikulat e Maqedonisë së Veriut, të Preshevës dhe të Diasporës, duke e bërë një abetare që mund të përdoret mbarëkombëtarisht.


Po cila është e reja që vjen me botimin e Abetares MbarëkombëtareAlbasit

Gjatë aktivitetit të përurimit u diskutua për vlerat e këtij projekti nga gjuhëtarët e mirënjohur Xhevat Lloshi dhe Shpëtim Elezi, ekspertet e arsimit profesoreshat Majlinda Gjelaj, Edona Kida Berisha dhe Albërie Rraci Sejdiu. Ata vlerësuan si përmbajtjen shkencore, ashtu edhe atë didaktike, dhe variantin digjital, duke nënvizuar se kjo abetare krijon kushte për të qenë lehtësisht e përdorshme në të gjitha trevat ku jetojnë fëmijët shqiptarë, si dhe në Diasporë.


Abetarja e re e Albasit, në thelb, është një minienciklopedi, ku, përveç mësimit të shkronjave, janë ndërthurur dhe edukimi gjuhësor, edukimi letrar, edukimi shëndetësor, mjedisor, shkencor, artistik, teknologjik etj. Edukimi atdhetar realizohet jashtë deklaratizmave dhe vjen natyrshëm përmes dashurisë për familjen, shokët, mësuesit, vendin e lindjes, si dhe përmes tolerancës e pranimit të tjetrit që është ndryshe. Forcimi i identitetit kombëtar nuk paraqitet i izoluar,  por në përqafim dhe bashkëjetesë me kulturat e ndryshme të botës.  

Sipas autorëve të tekstit, katër personazhet e abetares janë përzgjedhur mbi kriterin e përfaqësimit: dy janë fëmijë, Joni dhe Vesa, që i takojnë botës njerëzore, Bubi nga bota e kafshëve dhe robot Roki që i përket botës së teknologjisë. Ato i shoqërojnë fëmijët përmes  36 tregimeve të ilustruara që lidhen me 36 shkronjat e alfabetit. Duke u vendosur në situata të ndryshme plot humor e plot ngjyra, ato sjellin mesazhe ku mbizotërojnë interesat, dëshirat, pasionet, emocionet dhe aktivitetet e fëmijëve në përditshmërinë e tyre. Sepse është shumë e rëndësishme që fëmija, gjatë të mësuarit, të bëhet mik me personazhet e tekstit. Kjo ka bërë që të shmangen tërësisht tekstet e sajuara për hir të mësimit të shkronjës, gjë që  ka qenë një ndër defektet më të mëdha në abetaret e mëparshme. 


Gjatë përurimit u fol edhe për gjuhën e abetares, e cila në aspektet fonetikore, morfologjike, sintaksore dhe drejtshkrimore, përputhet me shqipen standarde, përveç rasteve kur, për shkak të përdorimit të gjuhës së letërsisë, janë marrë tekste në dialekt ose tekste të vjetra. Gjuhëtari Shpëtim Elezi nënvizoi pasurinë e dialekteve të shqipes në këtë tekst: “Edhe ne kemi futur me qëllim tekste që janë të shkruara kohë përpara krijimit të këtij standardi, me qëllim që fëmijët të mund të lexojnë dhe të mësohen, dhe është me rëndësi të mësohen, të lexojnë tekste që janë të shkruara në varietete të tjera…”


Teksti digjital, që u prezantua nga Ervisa Paloka përmes materialeve multimediale, si: foto, video, audio, u demonstrua në një ekran të madh gjatë promovimit dhe zgjoi një kërshëri të madhe te të pranishmit. Si varianti fizik, ashtu edhe ai digjital, siç u theksua dhe në promovim, u jep nxënësve në dorë një tekst të krahasueshëm me ato që përdorin bashkëmoshatarët e tyre Europë.

Nevoja për abetare alternative

Ekspertë të arsimit në fjalën e tyre theksuan nevojën për më shumë se një abetare të përbashkët, në mënyrë që mësimdhënësit të zgjedhin vetë librat me të cilët do të punojnë. Prof. Xhevat Lloshi, pasi foli për historikun e abetareve shqip, theksoi nevojën për abetare alternative.

 Ai u shpreh, se: “Ku ka një abetare, ka një shkollë... Kur një njeri përdor një abetare vetë, ka filluar të bëjë një shkollë vetë. Nuk është keq të jenë disa abetare, sepse prandaj u bë kjo rrugë e gjatë...”Ai shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit në grupin e punës, duke uruar që Abetarja Mbarëkombëtare të jetë kudo ku ka shqiptarë.



Rita Petro theksoi se çdo vlerësim zyrtar, sado korrekt të jetë, të çon te monopoli. 

“Mundësia e përzgjedhjes përmes alternativës, jo vetëm i krijon liri e përgjegjësi mësuesve dhe prindërve, por edhe sjell cilësinë në mënyrë të padiskutueshme. Në treg ka pasur dhe do të ketë edhe Abetare të tjera edhe me më shumë vlerë. Para viteve ‘90-të, kur ishte vetëm një shtëpi botuese, përcaktohej nga shteti kush do të shkruajë dhe kush jo. Libri i Abetares është nostalgji, se të kthen në fëmijëri, por, nëse ne e ngremë nostalgjinë si politikë, atëherë i mbyllim çdo shteg vetes për të rritur cilësinë. Respektojmë punën e kolegëve tanë për abetaren fituese dhe të kolegëve të tjerë për abetaret alternative. Me këtë botim ne sjellim variantin tonë, të cilin mund ta përdorë kushdo, edhe prindërit, edhe mësuesit mund ta përdorin si material plotësues, sepse aty ka shumë ushtrime të mira, po ashtu mund të përdorin dhe materialet e digjitalizuara. Alternativa sjell pasuri dhe mundësi përzgjedhjeje, monopoli korrupsion dhe varfëri idesh e konceptesh.”

Nanila Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,294 Lexime
1 vit më parë