“Antigona” dhe “Edipi Mbret” në përkthimin e ri të Sokol Çungës, veçanërisht për letërsinë shkollore
Intervistë me përkthyesin Sokol Çunga mbi përkthimin e ri të "Antigona" dhe "Edipi mbret" nga Sofokliu. Veprat vijnë në prozë poetike, të paprekur nga forma e vargjeve të thyera, duke ruajtur thelbin poetik dhe strukturën origjinale për të afruar lexuesit shqiptarë me tragjedinë klasike dhe filozofinë e saj.
Në këtë intervistë të veçantë, përkthyesi Sokol Çunga na shoqëron në një udhëtim nëpër botën e klasikëve, duke sjellë për herë të parë në shqip veprat e Sofokliut, Antigona dhe Edipi Mbret, në një formë të re dhe inovative – me vargje jo të thyera, një përshtatje që synon ruajtjen e thellësisë poetike të origjinalit, duke larguar kufizimet e jashtme metrike. Veprat vijnë si botime të këtij viti nga Shtëpia Botuese Albas, të cilat veçanërisht do të promovohen gjatë Panairit të Librit “Tirana 2024”. Ndërkohë ato do t'i gjeni edhe në libraritë fizike Albas (Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Preshevë) dhe online në www.librarialbas.al , e të shpërndara në librari të tjera.
Sokol Çunga tregon për sfidat dhe frymëzimin pas këtij përkthimi që përqendrohet tek thelbi dhe emocioni i veprës, duke shmangur formën tradicionale të rimës dhe metrit të përkthyer. Ai ndan përvojën e tij të veçantë me këto dy tekste monumentale, përgatitjen që kërkon një përkthim i tillë dhe përse ky stil ndihmon në lexueshmërinë e veprave për një audiencë të re.
Në intervistë, përkthyesi diskuton edhe rëndësinë e pasjes së një qasjeje moderne ndaj letërsisë klasike dhe se si këto vepra përcjellin mesazhe universale për brezat e rinj, përfshirë idenë sofokliane të përballjes me fatin dhe fuqinë e karakterit njerëzor për të qëndruar i papërkulur.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
Sokol, fillimisht më lejoni t’ju uroj për prurjet e reja në shqip për audiencën moderne do preferoj ta quaj unë! Çfarë ju frymëzoi për të sjellë një përkthim të ri të tyre, pra, të përshtatura si në origjinal Antigonën dhe Edipi mbret? Dhe sa kohë ju mori kjo gjë?
Ju falënderoj për përgëzimet dhe vëmendjen!
Koha është relative, kur flasim për tekste që kanë efekt “pushtues” mbi përkthyesin apo lexuesin, por dhe kur kërkojnë përgatitje ndryshe nga tekstet bashkëkohore. Teksa e përditshmja ime nuk zhvillohet mes klasicizmit, edhe mua m’u desh të rilexoj e të rifreskoj çështje që i pata studiuar më parë, por edhe të informohem për studimet që janë botuar që prej herës së fundit kur kam lexuar Sofokliun. Gjithsesi, asnjëherë nuk jam marrë me Sofokliunnga pozita e përkthyesit, ndaj dhe ky proces më edukoi nga fillimi. Nëse duhet të përcaktoj kohën fizike për këtë përkthim, duhet të jenë diku mes 4-5 muaj punë part-time për të dyja veprat bashkë. Duhet të kemi parasysh se të dyja veprat nuk i kalojnë 100 faqe, dhe këto përmbajnë shumë dialogë brenda tyre, pra, jo faqe të plota. Çka do të thotë se koha është pothuaj dyfishi i asaj që shpenzoj për një vepër bashkëkohore. Nga ana tjetër, fakti që kisha të njëjtin autor e bëri punën më të thjeshtë e, ndërkaq, ndjeva dhe më shumë lidhje me të, teksa kaloja nga njëri tekst, në tjetrin. Ideja për përkthimin ishte e botueses, znj. Rita Petro, nuk e kisha menduar më herët të merresha me Sofokliun. Pasi peshova në mundem ta bëj këtë punë, pranova idenë dhe shijova procesin.
Si asnjëherë tjetër dy veprat madhore të Sofikliut, Edipi Mbret dhe Antigona vijnë nën një zhaner të ri, duhet ta themi. A kemi këtu prozë apo poezi? Ose më mirë kur kemi veprat në duar, pse nuk na vjen teksti edhe figurativisht në formë poezie? Çfarë elementesh përpiqet të ruajë përkthimi, në mënyrë që të mbetet besnik ndaj origjinalit?
Kopertina e veprës Edipi mbret, botim i ri i ALBAS
Kopertina e veprës Antigona, botim i ri i ALBAS
Po të shkojmë pas në kohë e të kujtojmë se cila është arsyeja pse lindi poezia me rimë dhe metër, do të vëmë re se një sistem i caktuar ritmik i fjalisë apo frazës, shoqëruar me fjalë që mbyllin frazat / fjalitë duke krijuar rimë, ia lehtësonte këngëtarit apo krijuesit bartës (bardit) procesin e krijimit apo të mësimit përmendësh të tekstit. Duke qenë se ky proces estetik i jashtëm, që nuk lidhet drejtpërdrejt me tekstin, mbetet në mendjen e publikut po aq sa teksti, gjinitë artistike që e kanë burimin tek poezia vijuan të ruajnë atë formë të jashtme. Ndërkaq, po të shohim se kur filloi të shkruhej poezia në vargje, pra, fjalia apo fraza të thyhej aty ku ndodhet fjala që do të krijojë rimë me fjalën më sipër apo më poshtë në tekst, vëmë re se kjo ka ndodhur relativisht vonë, nga shek. X (pas K.) e mbrapa. Përpara kësaj periudhe poezia shkruhej në rresht, njësoj si proza e sotshme. Duke iu rikthyer Poetikës së Aristotelit, kujtojmë se për kohën e autorit poezia lirike nuk është e vetmja pjesë që përbën tragjedinë.Tragjedia, që të quhet e tillë, ka të domosdoshëm mitin (rrëfenjën), karakterin (moralin), ligjërimin (stilin), mendimin (idenë), spektaklin (vënien në skenë) dhe muzikën. Pra, janë një sërë elementesh që mbushin skeletin e tragjedisë, jo vetëm poezia. Përmasa metrike është forma e jashtme e tragjedisë, është pjesë e përmasës estetike, jo thelbi poetik që ka vepra. Kësisoj, teksa duket sikur ky përkthim i Antigonës dhe Edipit mbret vjen përkthyer prej nesh në prozë, kjo është thjesht përshtypje e jashtme, pasi zgjodhëm të mos thyejmë vargjet. Kjo dukuri e jashtme nuk përcakton përmbajtjen e tekstit, sepse vepra mbetet poetike në përbërësit e saj kryesorë, në mënyrën e konceptimit, në strukturë dhe në shtjellimin përmes teksteve të personazheve.
Nga ana tjetër, duhet të rikujtojmë se çfarë ishte vargu në metër për autorët klasikë. Për këtë do të përdorim një krahasim. Dimë se kemi tri stile kolonash në arkitekturën klasike: dorike, jonike dhe korintike. Ndryshimi kryesor mes këtyre stileve është kapiteli, pjesa e epërme, ky që sjellim në imazh (shih figurën 1). Këto kolona janë përdorur kështu nga kohët antike e më pas, dhe janë emërtuar me të njëjtën mënyrë. Sa herë dikush ndërhyn apo rreket t’i përshtatë në përputhje me një tjetër estetikë arkitekturore, ato nuk janë më kolona dorike, jonike dhe korintike, por diçka tjetër.
Figura 1: Kolonat e arkitekturës klasike helenistike. Nga e majta, në të djathtë: kolonë e stilit dorik, jonik dhe korintik.
Tipare të ngjashme ka dhe metrika e vargje në tekstet poetike të periudhës klasike. Le të shohim si duket struktura e vargjeve të Parodos I, strofa 2 (vargjet 134-147) tek Antigona (figura 2):
Figura 2: Struktura e vargjeve tek Antigona, Parodos, strofa 2, vargjet 134-147 (sipas studimit që shoqëron botimin e tekstit origjinal tek: Sir Richard C. Jebb, Sophocles Plays: Antigone, Bloomsbury Academic, 2004, fq. lviii).
Siç i rezulton studimit të R. Jebb, në këtë pjesë kemi varg logaoedik, i cili shtrihet në hekzapod, tetrapod dhe tripod (gjashtë këmbë, katër këmbë, tri këmbë) gjatë strofës. Vargu logaedik ndërtohet prej kombinimit të këmbës daktile (një zanore e gjatë pasuar nga dy të shkurtra) dhe këmbës trokaike (zanore e theksuar, pasuar nga një e pa theksuar), siç tregohet në shenjat konvencionale vendosur mbi tekst. Me të tilla forma është ndërtuar e gjithë vepra e Sofokliut, bashkë me to dhe Antigona dhe Edipi mbret.
Tani, a nuk do të prisnim prej përkthyesit që të ruante të njëjtën arkitekturë estetike (kupto: rimë dhe metër) në përkthim? Tradita e përkthimit na thotë se, po, kur teksti në origjinal është shkruar sipas këtyre kritereve, atëherë edhe përkthimi duhet t’i bartë ato. Mirëpo, a është e mundur të rishikim stilet arkitekturore, të përfaqësuara nga kapiteli dorik, jonik dhe korintik, duke pretenduar se i kemi rindërtuar? E njëjta përgjigje vlen edhe për përkthimin e metrit të letërsisë klasike. Teksa në gjuhën drejt së cilës përkthejmë, pavarësisht cila është ajo, nuk kemi mundësi të rindërtojmë të njëjtat marrëdhënie mes gjatësisë së vargut dhe pozicionit të zanoreve të theksuara dhe të pa theksuara, çfarëdo përpjekje do të ishte e paplotë ose e rreme. Sikur të përshtatnim metrin e Sofokliut duke ndjekur vargun e cilësdo forme poetike të kultivuar në shqip, do t’i jepnim lexuesit një tekst të këndshëm fonetikisht, por krejt të ndryshëm nga origjinali.
Kësisoj, në këtë përkthim ruajtëm poezinë që përmban teksti, por jo formën estetike të tekstit, pasi e gjykuam të pamundur dhe të pa arritshme në shqip. Kurse ideja e thyerjes së tekstit sipas modelit të vargut të lirë na u duk krejt e padobishme dhe dezinformuese për lexuesin, pasi do të krijonte idenë se po ndjekim metrin e origjinalit, pa pasur, në thelb, asnjë marrëdhënie me origjinalin. Këto çështje i kemi shpjeguar edhe në hyrjen dhe parathënien që shoqërojnë respektivisht Antigonën dhe Edipin mbret.
Çfarë ndikimi mendoni që do të kenë këto versione të reja në prozë të Antigonës dhe Edipi mbret në lexueshmërinë dhe të kuptuarit e tyre nga nxënësit dhe mësuesit? Çfarë avantazhesh ofron ky format sidomos për nxënësit në krahasim me versionin në poezi?
Forma e jashtme e tekstit që sjellim në këtë përkthim ndryshon vetëm në faqosje nga cilado formë tjetër sjellë në shqip më parë. Ndërkaq, teksa çdo përkthyes ka zërin e tij unik, në këto botime vjen zëri ynë si përkthyes. Shpesh e më shpesh dëgjojmë apo lexojmë se nxënës, studentë apo lexues në përgjithësi kanë një lloj frike apo ngurrojnë të lexojnë poezi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë, ndonëse ky nuk ishte synimi ynë kryesor, ja ku po sjellim një tekst poetik, por pa formën e jashtme “të frikshme” të vargut dhe poezisë, që step lexuesit. Matanë asaj që ofron teksti i ripërkthyer, urojmë të shërbejë si lehtësim për t’u afruar tek teksti dhe kjo formë e jashtme.
Si e shihni rëndësinë e këtyre tragjedive të Sofokliut në kulturën dhe arsimin shqiptar sot? Pse mendoni se është e rëndësishme që nxënësit shqiptarë të njihen me vepra të tilla klasike si ato të Sofokliut? Çfarë mesazhesh universale përcjellin këto vepra për brezat e rinj?
Për nxënësit e sotshëm është e rëndësishme të përsërisim faktin se Sofokliu jetoi gjatë periudhës së artë të qytet-shtetit të Athinës, kohë në të cilën u konsolidua demokracia, vlerat etike dhe artistike u bënë edhe parime politike të shtetit, u zhvillua qyteti dhe shoqëria e Athinës, si dhe tekstet skenike dhe arti skenik arritën majat, për botën antike.Vëmendja e arteve teorike dhe shkencave të zbatuara arriti në pikën e pjekurisë ku çdo krijim apo zbulim duhej t’i shërbente njeriut dhe të zhvillohej në funksion të tij. Pra, sipas parimeve teorike, kemi një periudhë humaniste në Athinën e shek. V para K.
Elemente të këtij realiteti i shohim ende në shoqëritë tona bashkëkohore, madje edhe në Shqipëri, por i konsiderojmë si diçka normale. Ndryshimi qëndron se ajo që ndodh me shoqërinë e sotshme është imitimi marrëdhënies së shtetit me qytetarët, teksa në botën klasike kishim shqetësimin dhe mbështetjen e shtetasve nga shteti. Paralelet janë të vështira të shtrohen, por thelbi është i thjeshtë: përmasa e shtetit social fillon me demokracinë e Athinës së periudhës klasike.
Këto parime të Athinës demokratike Sofokliu i bart edhe në veprat e tij. Për botën e Sofolkut Fati është ajo forcë e panjohur dhe e pashpjegueshme e cila qëndron prapa gjithçkaje që u ndodh njerëzve. Askush nuk del jashtë vullnetit të pa komandueshëm të Fatit, as hyjnitë, as njerëzit. Mirëpo, sipas Sofokliut njeriu ka fuqinë për të mos u përkulur, njeriu ka fuqi të përballet me Fatin e pashmangshëm pa mohuar veten, ndonëse nuk mundet të korrigjojë të shkuarën. Goditjet e Fatit mund ta bëjnë njeriun të nënshtrohet, të mos pajtohet me ato që ka bërë apo ka besuar në të shkuarën, mund ta shtrëngojnë të ndryshojë mënyrë dhe qëndrim jetese e, në fund, të thyhet. Por kur këto goditje bien mbi njeriun e kthjellët dhe me karakter të fortë, arrijnë të skalisin edhe më qartë personalitetin dhe të forcojnë bindjet e tij.
Në konceptin antropocentrik të Sofokliut njeriu nuk i nënshtrohet me dëshpërim Fatit, as asgjësohet nga goditjet e tij. Ky qëndrim nuk shmang kurrsesi përmbushjen e Fatit, por heroi e mbyll veprën (ndoshta dhe jetën) me dinjitet, duke u qëndruar besnik parimeve të tij. Viktima e Fatit mbetet Njeri pa kompromis. Për Sofokliun është shumë i rëndësishëm njeriu dhe madhështia heroike e tij: fryma e lirë, ndërgjegjja demokratike, mrekullia e botës klasike duhet të mbeten të paprekura prej goditjeve të Fatit, sepse vetëm kështu njeriu do t’ia dalë të krijojë vepra madhështore. Ky është heroi me të cilin na prezanton Sofokliu: njeriu që ruan moralin klasik deri në fund të jetës.
Në këtë kontekst, Fati tek Sofokliu merr një formë tjetër: kthehet në forcë krijuese, bëhet shkas dhe mundësi për të kuptuar më shumë dhe për të gjetur harmoninë mes së shkuarës, përgjegjësisë vetjake dhe së ardhmes. Kjo është një nga fijet që përshkon veprën Edipi mbret të Sofokliut. Por, më parë, pak fjalë për jetën e autorit.
Këto, mendojmë, janë thelbi i asaj që na thotë vepra e Sofokliut, dhe do të ishte arritje e madhe sikur çdo nxënës t’i bartte këto ide dhe t’i kthente në mënyrë jetese.
Cilat aspekte të përkthimit dhe përshtatjes së këtyre veprave ishin më sfiduese për ju si përkthyes? Çfarë keni dashur të ruani më së shumti nga origjinali?
Në çdo përkthim ajo pjesë që është më e rëndësishme është stili, i krijuar përgjithësisht nëpërmjet figurave letrare, fjalorit dhe sintaksës. Të gjitha këto janë praktikisht të pamundura për t’u sjellë në përkthim, diku vjen diçka më mirë, diku diçka çalon apo duhet riformuluar duke iu larguar inventarit leksikor të origjinalit, etj. Tek këto vepra që janë shkruar rreth 2500 vjet më parë është dhe më delikat ky proces. Ndaj, e vështira e përkthimit të këtyre veprave qëndron tek ruajtja e stilit, në mënyrë që të bartë ndjesinë se nuk kemi të bëjmë me një tekst bashkëkohor, por njëkohësisht të jetë i kuptueshëm dhe komunikues me lexuesin e sotshëm. Sa e kemi arritur, këtë e gjykon lexuesi, sidomos ai i kultivuar.
Pas kësaj risie që sollët, çfarë prisni më tutje për promovimin e këtyre veprave? Ose e thënë ndryshe, a keni ndonjë dëshirë si përkthyesi i tyre që t’i shihni ato jo vetëm ne formatin e librave?
Nëse në këto përkthime ka një risi, ajo është distancimi prej së padobishmes që qëndronte në pamjen e jashtme të tekstit. Gjithçka tjetër është thjesht punë përkthimore, pa qenë në garë me askënd dhe pa synuar të sjellë risi nga tekste që, gjithsesi, janë të njohura në shumë forma të tjera, jo vetëm përmes kontaktit tërësor me to. E nëse këto përkthime do të shërbenin si frymëzim për t’u vënë në skenë, synimi për të cilin edhe janë shkruar nga Sofokliu, kjo do të ishte kënaqësi e përveçme! Mirëpo, mbetet dëshirë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve