Mësuesi guximtar

“Unë ju akuzoj”, letra prekëse e një mësuesi italian drejtuar disa figurave te ekranit

Përmes një letre goditëse që po bën xhiron e botës, mësuesi italian Marco Galice ka thënë të vërtetën ashtu siç e mendon. Ai ngre gishtin e akuzës ndaj disa figurave që konsiderohen ikona të ekranit në vendit fqinj, por që për mësuesin nuk janë gjë tjetër veçse arsyeja e degradimit të brezave të rinj.

Marco Galice është një mësues në Itali, i cili përmes një letre akuzon ashpër me emër dhe mbiemër ikonat e televizioneve italiane Barbara D’Urso, Maria De Filippi, Alfonso Signorini dhe Alessia Marcuzzi duke i quajtur autorët e drejtpërdrejtë të shoqërisë dekadente në të cilën jetojmë. Galice drejton gishtin drejt të ashtuquajturve TV gjeneralistë ndërkohë që i akuzon si ndër fajtorët kryesorë të kalbëzimit kulturor të Italisë.



Letra e plotë e mësuesit Marco Galice


JU AKUZOJ

Barbara D’Urso, Maria De Filippi, Alfonso Signorini, Alessia Marcuzzi dhe gjithë hordhinë tuaj në llogoret e këtij ferri.

Unë ju akuzoj se jeni ndër fajtorët kryesorë të kalbëzimit kulturor të vendit tonë, të barbarizmit të tij shoqëror, të korrupsionit dhe gërryerjes të tij morale, shkatërrimit mendor të brezave të rinj, varfërimit etik të tyre dhe shtrembërimit të edukimit të fëmijëve tanë.

Ju, me televizionet tuaja plehra, me programet tuaja të pista, shfaqjet tuaja artificiale, false, mashtruese, pseudo, keni kontribuar në vetën e parë dhe pa skrupuj në kalbëzimin e Mijëvjeçarit të tretë, i cili këtë herë, për fat të keq, nuk mbart ndonjë vlerë, por vetëm zeron (asgjënë) kozmike.

Ju jeni bashkëpunëtorë dhe promovues të vetëdijshëm të atij procesi pervers mediatik që ka ngulitur bindjen për një vetë-realizim të bazuar ekskluzivisht në pamjen e jashtme, në shfaqjen e famës, suksesit dhe bukurisë, në kërkimin e vazhdueshëm të duartrokitjeve, në miratimin e publik, për ndërtimin e asaj që të tjerët duan dhe jo të asaj që jemi.

Kjo është bota juaj, kjo është ajo që villni nga studiot tuaja televizive për vite me radhë.

Ju promovuat vrazhdësinë, injorancën, varfërinë morale dhe kulturore si modele të marrëdhënieve dhe njohjes shoqërore, sepse programet tuaja janë të mbushura, me sharlatanë, injorantë dhe të paedukuar. U keni dhënë famë dhe i keni shndërruar në modele për tu imituar personazhe që nuk kanë vlera, nuk kanë kulturë, nuk kanë asnjë busull morale.

Ju përfaqësoni poshtërimin e të diplomuarve, turpërimin e atyre që studiojnë, të atyre që investojnë kohë dhe burime në kulturë, të atyre që janë të zhgënjyer dhe më në fund braktisin Italinë, sepse vëmendja është për aktorët e programeve tuaja.

Unë flas si një mësues, i cili sheh me zemërim si nxënësit e tij imitojnë arrogancën, gënjeshtrën, pamjen e jashtme, provokimin, vrazhdësisë që përhapin personazhet në televizionin tuaj. Flas si ai që sheh të njëjtën dinamikë në një realitet të trishtë që përsëritet në klasat e mia, me nxënës që besojnë se kjo dhe vetëm kjo është mënyra për tu lidhur me bashkëmoshatarët e tyre dhe për tu pranuar prej tyre dhe për t’u vlerësuar prej tyre. Si mësues i cili sheh hutim, frikë, izolim në sytë e atyre fëmijëve që nuk përshtaten, që nuk i dorëzohen më joshjes së kësaj bote të tmerrshme, por që për këtë shpërblehen me veçim dhe tallje.

Kam parë në vitet e mia si mësimdhënës së pari me hutim, pastaj me shqetësim dhe tani me terror qindra nxënës që sillen si kopje të personazheve të turpshëm që mbushin programet tuaja, duke u përpjekur të jenë si ata. Dhe unë jam i neveritur nga vetëkënaqësia që ju kullon në programet tuaja në prani të personazheve të caktuara.

Unë ju akuzoj, sepse ju jeni personalisht përgjegjës për të gjitha këto.

Shpresoj për fundin tuaj profesional dhe zhdukjen tuaj mediatike, sepse këto janë ndëshkimet e duhura për dëmet e pariparueshme që i keni shkaktuar vendit.




Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,300 Lexime
3 vjet më parë