Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Si do të dukej bota nëse nuk do të ketë më mësues? Në fakt kriza duket që ka nisur, pasi në të gjithë botën po vihet re mos përzgjedhja e profesionit të mësuesisë dhe kjo prej disa faktorëve të përbashkët që prestigjiozja ndërkombëtare Forbes i ka renditur së fundmi.
Gjendja e arsimit në mbarë botën është bërë një shqetësim i madh i këtyre viteve të fundit. Mësimdhënësit, që dikur u shpallën si shtylla të përparimit shoqëror, tani po përballen me sfida të panumërta.
Për komplikimet e shfaqura në fushën e arsimit dhe problemet që mësuesit nëpër botë po hasin për momentin, kemi sjellë një material të bazuar në median ndërkombëtare Forbes.
Në momentin e parë që mësuesit zgjedhin të futen në fushën e arsimit, nisen me mendimin se do të ndryshojnë botën apo vendin ku ata jetojnë. Ata duan të shtrijnë ndikimin e tyre në gjeneratën e ardhshme në aspektin pozitiv, dhe t’u hapin atyre dyert drejt suksesit.
Por, realisht një gjë e tillë po u pamundësohet për shkak të largimit të tyre nga puna. Problemi nuk qëndron vetëm te largimi i mësuesve aktualë nga fusha, por është bërë e vështirë që të gjenden zëvendësuesit e tyre.
Shkaqet e largimit të mësuesve nga vendi i punës lidhen në shumicën e rasteve me pagat e ulëta dhe kushtet e punës që atyre u ofrohen. Ndaj, këto janë rastet që çojnë mësuesit në mendimin se po nënvlerësohen dhe respektohen shumë më pak sesa duhet.
Sipas Forbes-it, në vitin 2022, mësuesit u paguan rreth 26,4% më pak sesa profesionistët e tjerë me arsim të ngjashëm. Kur në vende kaq të mëdha nëpër botë ka probleme të tilla, paramendoni se si mund të jetë gjendja në vendet tona.
Nëse marrim shembull Shqipërinë dhe Kosovën, vërejmë që edhe në këto dy vende pagat e ofruara për mësimdhënësit janë të pakënaqshme. Përkundër ngarkesës fizike dhe psikike që marrin si shenjë e kontributit në fushën e dijes, pagat janë të pamjaftueshme për ta. Çmimet janë shtrenjtuar, ndërkohë pagat e tilla nuk ndihmojnë për jetesë, por për mbijetesë.
Siç u përmend më herët, paga e ulët nuk është arsyeja e vetme që arsimi është një zgjedhje jo tërheqëse për karrierë, por sigurisht është një ndër arsyet më të mëdha.
Mbështetja e mësuesve në mënyra kuptimplote nuk është vetëm e mirë për mësuesit, por gjithashtu rrit shanset që nxënësit e tyre të kenë një përvojë pozitive në shkollë.
"Kjo i nxit ata që më shumë të regjistrohen vetë në arsimin e mesëm dhe të kenë më shumë gjasa të shqyrtojnë mësimdhënien si një karrierë të mundshme."
Nëse kjo sfidë që ka kapluar stafin arsimor kërkon zgjidhje, duhet të ketë sa më shumë mundësi për njerëz të rinj në këtë profesion dhe për ta bërë këtë duhet të mbështesim ata që tashmë i kemi.
BURIMI:www.forbes.com
Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor “Albas” për Kosovën.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër nga një Babagjysh i lezetshëm
Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Teknologjia dhe mirëqenia e fëmijëve si kambanë alarmi në Ditën Botërore Të Shëndetit Mendor
15 gabimet që NUK duhet të bëhen në komunikim